Këshilli i Ministrave miratoi sot në mbedhjen e tij të rradhës, në drejtimin e Kryeministrit Fatos Nano, disa projektligje dhe vendime. - Këshilli i Ministrave miratoi projektligjin "Për
Këshilli i Ministrave miratoi sot në mbedhjen e tij të rradhës, në drejtimin e Kryeministrit Fatos Nano, disa projektligje dhe vendime.
- Këshilli i Ministrave miratoi projektligjin "Për ratifikimin e Protokollit shtesë të Konventës Penale për Korrupsionin".
Qëllimi i kësaj Konvente është krijimi i një sistemi të qëndrueshëm ndëshkimi të koordinuar të veprave të korrupsionit, duke përkrahur bashkëpunimin për proçedimin e këtyre veprave, sikurse edhe një mekanizëm pasues efektiv të hapur për shtetet anëtare dhe jo anëtare mbi baza barazie.
Në plotësim të këtij kuadri rregullator shtetet anëtare të Këshillit të Europës dhe shtetet e tjera palë në Konventë, duke patur parasysh programin e veprimit kundër korrupsionit të adoptuar nga kryetarët e shteteve dhe qeveritë e Këshillit të Europës në Samitin e dytë të mbajtur në Strasburg, më 10 dhe 11 tetor 1997, bazuar në standartet dhe vlerat e Këshillit të Europës, si dhe për të siguruar një ekuilibër dhe luftë të efektshme për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit kanë hartuar Protokollin shtesë të Konventës penale për korrupsionin, i cili është nënshkruar nga Qeveria Shqiptare, më 15 maj 2003 në Strasburg.
Ratifikimi nga Republika e Shqipërisë e këtij protokolli mundëson plotësimin e një sistemi ligjor për goditjen e korrupsionit dhe kërkon plotësimin e shpejtë të përpunimit të instrumentave ligjorë ndërkombëtarë mbi bazën e programit të veprimit kundër korrupsionit.
- U miratua vendimi "Për fillimin e procedurës së ndërtimit me konçesion të Hidrocentralit të Gizaveshit. Librazhd, si propozim i pakërkuar".
Shoqëria "Dardania-Energji" sh.p.k. Tiranë ka paraqitur kërkesën për ndërtim me konçesion të hisdrocentralit të Gizaveshit, në fshatin Gizavesh, të qarkut të Librazhdit, sipas propozimit të pakërkuar.
Ky hidrocentral parashikohet të ndërtohet në fshatin e sipërpërmedur, në verilindje të qytetit të Librazhdit, rreth 7 km larg tij, sipas rrugës automobilistike. Ai është i tipit me derivacion të hapur dhe parashikon të shfrytëzojë ujërat e kanalit kryesor ujitës të Allanit, tashmë të ndërtuar dhe të vënë në shfrytëzim prej shumë vitesh, për nevojat e bujqësisë. Ky kanal nga ana e tij për t'u furnizuar me ujë shfrytëzon prurjet e lumit Rapun, të cilat i merr nga ky lum me anë të veprës së marrjes së ndërtuar në krahun e majtë të rrjedhjes së lumit, rreth 3.5 km mbi vendin ku parashikohet të ndërtohet ndërtesa e hidrocentralit.
Ndërkohë, prodhimi i energjisë nuk do të cënojë sektorin e bujqësisë i cili do të ketë në çdo kohë dhe pandërprerje sasinë e ujit për të cilin ka nevojë.
Sipas studimit, vlera totale e investimit parashikohet të jetë rreth 81.3 milion lekë, me një agregat, me një fuqi të instaluar prej 800 kË dhe prodhim mesatar vjetor të energjisë elektrike prej 5.5 milion kËh.
Të gjitha punimet e ndërtimit si dhe makineritë dhe pajisjet, do të jenë të nivelit bashkëkohor në përputhje me standartet ndërkombëtare, që garantojnë funksionimit normal, si dhe arritjen e të gjithë parametrave teknike e me efektivitet të lartë.
- U miratua vendimi "Për disa shtesa dhe ryshime ne vendimin nr.281, datë 2.6.2000, të Këshillit të Ministrave, "Për organizimin dhe funksionimin e Akademisë së Policisë".
Hartimi i vendimit lindi si domosdoshmëri nga problemet që kanë dalë gjatë zbatimit në praktikë. Ai synon që të plotësojë më mirë misionin e arsimit të lartë policor. Për vetë kushtet aktuale del i nevojshëm zhvillimi i veprimtarisë kërkimore dhe studimore në fushën e rendit e të sigurisë publike, të luftës ndaj krimit dhe policimit në tërësi. Për t'i paraprirë dhe zgjidhur në kohë problemet Akademia do të realizojë programe konkrete zhvillimi si dhe botime shkencore të karakterit profesional mbështetur në përvojat e përparuara të policisë shqiptare dhe policive perëndimore.
Një nga ndryshimet e tjera është se kudo pas togfjalëshit "Akademia e Policisë" do të shtohet emërtimi "Arben Zylyftari".
Në vendim është parashikuar edhe ulja nga 2 vjet që ishte në vendimin e mëparshëm në 1 vit, i afatit të pranimit në Akademi i punonjësve që kanë mbaruar Institutin e Policisë. Po ashtu, është përcaktuar që punonjësit e policisë që përfundojnë kurse trajnimi të pajisen me çertifikatat përkatëse.
- U miratua vendimi "Për ngritjen dhe mënyrën e funksionimit të Komitetit të Sigurisë së Aviacionit Civil për Aeroportin Ndërkombëtar "Nënë Tereza".
Vendimi merr në konsideratë ndryshimet e ndodhura në aviacionin civil në operimet ndërkombëtare mbas ngjarjeve tragjike të 11 shtatorit, standartet dhe rekomandimet praktike pas amendimit të Aneksit 17 "Siguria" të Konventës sëÇikagos (ICAO), Manualin e Sigurisë së Aviacionit Civil, si dhe dokumentin 30 të Konferencës Europiane të Aviacionit Civil (ECAC). Gjithashtu, ai është mbështetur në eksperiencën e tonë të mëparshme, në eksperiencën e vendeve të tjera dhe në vlerësimet e asistencës së huaj përmanente në Aeroportin Ndërkombëtar "Nënë Tereza" të Rinasit, ICITAP-A, CAM-A, INTERFORZA dhe PAMECA.
Rikompozimi i Komitetit të Sigurisë së Aeroportit, përcaktimi i detyrave dhe aktivitetit që ai do të ushtrojë, do të plotësojnë në mënyrë të plotë dhe efektive misionin e përmirësimit të masave të sigurisë dhe garantimin e standarteve në shërbim të transportit të pasagjerëve dhe mallrave, operimeve dhe ekuipazheve ajrore, pajisjeve dhe mjeteve ndihmëse aeroportuale.
Duke u standartizuar me kërkesat e legjislacionit ndërkombëtar të aviacionit civil, ndërtimi dhe funksionimi i Komitetit të Sigurisë së Aeroportit "Nënë Tereza" që ofrohet në vendimin e miratuar, do të ushtrojë efekte pozitive edhe gjatë funksionimit të aeroportit në konditat e operimit dhe administrimit nga Konçesionari.
- U miratua vendimi "Për lejimin e Institutit të Sigurimeve Shoqërore të fillojë procedurën për prodhimin e mjeteve lëvizëse për invalidë".
Vendimi parashikon fillimin e procedurave me Fondacionin Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar, për prodhimin e mjeteve lëvizëse për invalidë, me qëllim që të arrihen dy objektiva socialë shumë të rëndësishëm:
Së pari, për herë të parë, këtë vit, parashikohet t'i jepen invalidëve mjete lëvizëse, si përfitime në natyrë.
Së dyti, i jepet prioritet biznesit social duke punësuar persona me aftësi të kufizuar për prodhimin e mjeteve lëvizëse për invalidë.
Fondacioni Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar ka ngritur punishten "Mirësia" për të prodhuar mjete lëvizëse për personat me aftësi të kufizuar, sipas modelit të bazuar në parimet e biznesit social e që synon përfshirjen e personave me aftësi të kufizuar në jetën shoqërore, integrimin e tyre nëpërmjet punës, prodhimin e artikujve për ta, si dhe aplikimin e politikave sociale aktive.
- U miratua vendimi "Për disa shtesa në vendimin Nr. 294, datë 13.6.2000, të Këshillit të Ministrave, "Për miratimin e planit të përdorimit të tokës në portin e Durrësit".
Ministria e Bujqësisë dhe Ushqimit nëpërmjet fondeve të kredisë së Bankës Botërore për zhvillimin e peshkimit, ka filluar nga zbatimi i investimeve për rehabilitimin e porteve të peshkimit në Vlorë dhe në Sarandë. Projekti për portin e Durrësit kap vlerën e 500 000 USD dhe parashikon të bëhet rehabilitimi i godinave ekzistuese, i bankinave, furnizimi me karburant, ujë të pijshëm dhe energji elektrike etj. Realizimi i këtij investimi krijon kushte për zhvillimin normal të aktivitetit të peshkimit.
- U miratua vendimi "Për disa ndryshime në vendimin nr. 402, datë 11.6.2001 të Këshillit të Ministrave, "Për disa çështje në zbatim të ligjeve nr. 7703, datë 11.5.1993, "Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar, dhe nr. 7870, datë 13.10.1994, "Për sigurimet shëndetsore në Republikën e Shqipërisë" të ndryshuar.
Ndryshimet e propozuara synojnë:
• Të përcaktohet edhe më saktë se kush do të konsiderohet i vetëpunësuar në bujqësi dhe për rrjedhojë do të sigurohet si i tillë në sigurimet shoqërore.
• Në kuadrin e strategjisë së sigurimeve shoqërore për barazimin në mënyrë graduale të masës së kontributit të të vetëpunësuarve në bujqësi me masën e kontributit të të vetëpunësuarve në qytet, të rritet masa kontributit për të vetëpunësuarin në bujqësi. Kjo rritje është planifikuar në projektbuxhetin e sigurimeve shoqërore për vitin 2004.
Instituti i Sigurimeve Shoqërore në strategjinë e tij ka përcaktuar se në fund të vitit 2012, masa e kontributit të të vëtpunësuarve në bujqësi do të jetë e njëjtë me masën e të vetëpunësuarve në qytet. Kjo strategji në fushën e kontributeteve është e lidhur edhe me strategjinë e barazimit të masës së pensioneve të qytetit me ato të fshatit.
- U miratua vendimi "Për domosdoshmërinë e plotësimit të kriterit të njohjes së gjuhës angleze nga ushtarakët e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë për gradimin e radhës"
Për t'ju përgjigjur më mirë kërkesave të së ardhmes dhe, në mënyrë të veçantë, për të aftësuar kuadrot e larta ushtarake në nivelin e duhur të përfaqsimit, u miratua që në kriteret që analizohen në komisionet e karrierës për t'u graduar në gradën pasardhëse, sidomos në gradat e larta ushtarake që përfshijnë rolet komanduese të njësive tona ushtarake, në kuadrin e kriterit të arsimimit dhe kualifikimit të nevojshëm në shkolla e kurse, të vihet në pah kriteri i arritjes së një niveli të përshtashëm, sipas gradës të të nxënit të gjuhës angleze i shkallëzuar sipas STANAG 6001 të NATO-s.
Kjo do të shërbente si detyrim që personeli ushtarak krahas punës për rritjen e nivelit ushtarako profesional, të kenë objektiva të qarta edhe për rritjen e nivelit të gjuhës angleze.
- U miratua vendimi "Për miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Bullgarisë, për bashkëpunim në fushat e shoqërisë së informacionit, telekomunikacionit dhe shërbimeve postare".
Kjo marrëveshje ka si qëllim bashkëpunimin midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Bullgarisë në fushat e teknologjisë së informacionit, telekomunikacioneve dhe shërbimeve postare, si komunikime efektive për zhvillimin ekonomik, social dhe mirëqënien e popujve të të dy vendeve.
Marrëveshja do të nxisë të dy palët për të marrë të gjitha masat për zhvillimin dhe përmirsimin e cilësisë së lidhjeve në fushën post-telekomunikacionit dhe për të inkurajuar tranzitimin e këtyre shërbimeve përmes territoreve të tyre, në kushte mjaft të favorshme.
Bashkëpunimi midis palëve do të realizohet nëpërmjet:
1. shkëmbimit të informacionit dhe dokumentacionit
2. konsultimeve dypalëshe
3. misioneve të ekspertëve dhe grupeve të punës
4. formave të tjera efikase të bashkëpunimit.
- U miratua "Për miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe misionit të Kombeve të Bashkuara për administratën e përkohshme të Kosovës (UNMIK), në emër të institucioneve të përkohshme vetëqeverisëse në Kosovë, për nxitjen dhe mbrojtjen e ndërsjelltë të investimeve.
Marrëveshja synon intesifikimin e bashkëpunimit ekonomik nëpërmjet nxitjes dhe mbrojtjes së investimeve reciproke mbi bazën e përfitimit të ndërsjelltë. Gjithashtu marrëveshja do të stimulojë inisiativat investuese ndërmjet dy vendeve duke krijuar mjaft lehtësira si dhe të forcojë bashkëpunimin ekonomik.
- U miratua Vendimi per "Miratimin në parim të marrëveshjes grant, ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për përgatitjen e projektit "Parku Kombëtar i Butrintit- Biodiversiteti dhe ruajtja e trashëgimisë globale"
Zona përreth qytetit antik të Butrintit është shpallur Park Kombëtar me Vendim te Këshillit të Ministrave dhe zë një sipërfaqe prej 25 km2. Sipërfaqja prej rreth 13500 ha në të gjithë zonën është një nga dy zonat Ramsar në vendin tonë aprovuar nga Këshilli i Ministrave dhe Konventa e Ramsarit si ligatinë me vlera ndërkombëtare (ndryshe quhet dhe zonë Ramsar). Kjo për shkak të diversitetit biologjik që gjendet në të. Kjo zonë përmban lloje bimore dhe shtazore të rëndësishëm për mbijetesën e larmisë biologjike të gjithë trevave shqiptare. Gjithashtu Butrinti përfaqson një rast unikal në pellgun mesdhetar për bashkëjetesën e pejsazhit kulturor dhe historik me atë natyror.
Për vlerat që mbart kjo zonë dhe duke parë rrezikun që i kanoset territorit të zonës së Butrintit nga aktivitetet e shumta që i afrohen gjithnjë e më shumë zonës , Banka Botërore ka bashkëpunuar me Ministrinë e Mjedisit dhe Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për hartimin e një projekti për tu financuar nga Fondi Global për Mjedisin (GEF). Përgatitja e projekt propozimit kërkon mbështetjen prej 25.000 USD që shërben për hartimin e plotë të projekt dokumentit sipas kërkesave të GEF-it.
Granti do të ketë katër komponentë: 1)grumbullimin e informacionit ekzistues për problemet e ndryshme mjedisore dhe që lidhen me komunitetin; 2) grumbullimin e informacionit ekzistues për impaktet mjedisore të mundshme të projektit; 3) vlerësim për nevojat dhe asistencën e nevojshme për ngritjen e kapacitetve lokale, për menaxhimin financiar të projektit; dhe 4) menaxhimi dhe administrimi i projektit.
- U miratua vendimi për "Miratimin në parim të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të MInistrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për mborjtjen dhe ruajtjen e pasurive kulturore"
Ky vendim ka për synim vendosjen e një bashkëpunimi midis Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara, në fushën e mbrojtjes së pasurive kulturore të të dy vendeve, duke zgjeruar në këtë mënyrë spektrin e bashkëpunimit ndërmjet dy qeverive.
Marrëveshja është propozuar nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Qeverisë Shqiptare, dhe ka për objekt të saj: mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore (vendet e kultit, qendrat historike, monumentet, varrezat, memorialet, arkivat lidhur me to) të të gjitha grupeve kombëtare, fetare dhe etnike që jetojnë ose kanë jetuar në territoret e palëve, përfshirë këtu edhe viktimat e genocidit të Luftës së II Botërore.
Për zbatimin e kësaj marrëveshje palët do të bashkëpunojnë me rrugë diplomatike me anë të përfaqsuesve, Agjentëve Ekzekutiv, të cilët do të jenë anëtarë të një Komisioni të Përbashkët të Trashëgimisë Kulturore.
Arritja e kësaj Marrëveshje do të ndihmojë në shtrirjen dhe intensifikimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e trashëgimisë kulturore; në forcimin e kontakteve ndërshtetërore në funksion të dialogut ndërkulturor duke respektuar dhe vlerësuar trashëgiminë e të gjitha kulturave.
- U miratua vendimi "Për Lejimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve të fillojë procedurën për mbikqyrjen e vazhdimit të punimeve të ndërtimit të segmentit rrugor Lezhë-Shkodër.
Ndërtimi i rrugës Lezhë-Shkodër, i financuar tërësisht nga buxheti i shtetit ka filluar në vitin 2001, i ndarë në katër kontrata sipërmarrjeje, sipas 4 segmenteve :1.Lezhë-Balldre (kontrata1), Kthesë Vau Dejës- Shkodër (kontrata 2); Balldre-Piraj (kontrata 3); Piraj-Kthesë Vau Dejës (kontrata 4).
Për pamundësi të planifikimit në kohë të fondeve të nevojshme, punimet e ndërtimit të rrugës Lezhë-Shkodër nuk përfunduan brenda dy vjetëve, sipas afatit të përcaktuar, por ato akoma vazhdojnë në kontratat 2, 3 dhe 4, për të cilat janë programuar dhe fondet përkatëse në buxhetin e vitit 2004. Punimet në këto kontrata janë parashikuar të përfundojnë në shtator 2004. Gjithashtu në buxhetin e vitit 2004 janë parashikuar edhe fondet prej 38 milionë lekë për mbikqyrjen e këtyre punimeve.
- U miratua vendimi "Për një shtesë fondi në buxhetin e vitit 2004, miratuar për Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve, për financimin e shpenzimeve për hapjen e kutive të votimit, të përdorura në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore, të datës 12 tetor 2003"
Në përputhje me ligjin "Kodi zgjedhor i Republikës së Shqipërisë" në të cilin thuhet se "Me marrjen e kutive të votimit dhe fletëve të votimit të papërdorura, pas afatit për ankimet, K.Q.Z-ja hap të gjitha kutitë e votimit, nxjerr proces-verbalet e votimit, si dhe tabelat dhe proçesverbalin e numerimit të fletëve të votimit, dhe ja dërgon ato Arkivit Qëndror të Shtetit në mënyrën e caktuar prej tij. Të gjitha fletët e votimit dhe kundërfletët digjen nën mbikqyrjen e K.Q.Z-së."- Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka vendosur hapjen e kutive të përdorura në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore
Për financimin e këtij proçesi nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve është parashikuar një fond prej 1.400.000 lekë.