Kamata 5 për qind në ditë, rritet edhe çmimi i ujit
05/12/2004 Fatura e re e çmimit të ujit, ndryshe nga sa u premtua në Parlament, kur u kthye në titull ekzekutiv, ka rritur ndjeshëm vlerën e saj. Në fakt, nuk është rritur asnjë lek çmimi i ujit për metër kub, por Ndërmarrja e Ujësjellësit ka gjetur një tjetër formë për të mbledhur paratë e qytetarëve. Për çdo ditë vonese në pagimin e faturës, paguan 5 për qind të vlerës së faturës. Problemi qëndron në faktin se nuk gjendet gjëkundi fatura. Ujësjellësi nuk e sjell më në shtëpi, por ka lajmëruar në të gjitha pikat e pagimit konsumatorët, që të drejtohen ta marrin në Drejtorinë e Ujësjellësit. Penaliteti i kamatës i kushton çdo familjeje me katër anëtarë 300 lekë në ditë, duke qenë të detyruar në fund të muajit për vonesën të paguajnë më shumë kamatë se ujin e harxhuar. “Uji nuk mund të paguhet pa marrë më parë faturën në drejtori”, thotë sportelistja në pikën e pagimit të faturave publike në Rrugën e Elbasanit. Urdhri i Drejtorisë së Ujësjellësit është që të gjithë njerëzit duhet të tërheqin faturën e re. Por, ndërkaq pjesa më e madhe e kryeqytetit e paguan ujin afrofe, sepse nuk ka aparat matës, duke i kushtuar 1300 lekë të vjetra për person. Kështu një familje me katër veta paguajnë 5200 lekë në muaj dhe 5 për qind mbi këtë vlerë do të thotë rreth 300 lekë në ditë, ose 2100 lekë në javë. “Vlera e faturës sime e shtatorit ishte 3900 lekë, por vonesa një muaj më bëri të paguaja edhe 390 lekë të tjera vetëm kamatë, ndërkohë që faturën e këtij muaji nuk di se ku ta gjej”, thotë Elsa Kushta, banore e Rrugës së Elbasanit. Por halli nuk mbaron këtu. “Në faturën e re llogaritet çmimi i ujit të pijshëm dhe mbi bazën e vlerës së ujit të harxhuar mbahej edhe 0.80 për qind vlera e kanalizimeve të ujërave të zeza”, ka shpjeguar juristja.
Aktualisht, Ujësjellësi aplikon faturën, ku vlera e ujit është 20 lekë për metër kub. Duke shumëzuar këtë vlerë me ujin e konsumuar, llogaritet vlera e ujit të pijshëm dhe mbi këtë shumë llogaritet në masën 0.80 për qind vlera e shërbimit të kanalizimeve të ujërave të përdorur. “Ka raste kur nuk ka aparat matës, që Ujësjellësi aplikon faturën afrofe, që do të thotë se çdo konsumator ka të drejtë të konsumojë 150 litra ujë në ditë për çdo anëtar dhe në bazë të numrit të familjes llogaritet dhe vlera e faturës”, tha përfaqësuesja e Drejtorisë së Përgjithshme të Ujësjellësit.