DUKURITË QË MUND TË SHOQËROJNË FUSHATËN
Nga Roland Lami
Periudha parazgjedhore po shoqërohet me angazhimin e forcave politike për të ideuar tipin e fushatës si dhe kostot financiare që do Të nevojiten në finalizimin e saj. Për sa i përket tipit të fushatës, mund të themi se prirja e partive është e orientuar kryesisht drejt modelit amerikan të të bërit fushatë. Një model shumë efikas dhe i kthyer tashmë në modë në shumë vende të tjera me demokraci të zhvilluar. LSI-ja është subjekti i parë që ka bërë publike firmosjen e kontratës me kompaninë e njohur amerikane “Grinderg Kuinlan Rosner”, ndërsa PS-ja ka përzgjedhur eksperten e njohur në fushatën presidenciale në Amerikë znj. Kristen Verdel për të ndërtuar strukturën e re pranë kësaj partie të emërtuar “Vullnetarët e bashkimit për ndryshim”. Gjithashtu, kjo parti si dhe Partia Demokratike, kanë deklaruar se janë në fazën e përzgjedhjes së një kompanie amerikane, por për arsye taktike zgjedhore nuk bëhet i njohur emri i kompanisë.
Për të analizuar dukuritë që e shoqërojnë këtë mënyrë të re zhvillimi fushate, vlen të marrim në konsideratë disa mendime nga specialistet e fushës së komunikimit. Kjo, për arsyen e thjeshtë që të mund të njohim efektet që mund të shkaktojnë të tilla fushata. Së pari, kompanitë e kontraktura nga partitë politike e konceptojnë të gjithë procesin elektoral si një fushatë marketingu ku kandidati dhe elektorati perceptohen si “shitësi” me “blerësin”. Kjo marrëdhënie i detyron kompanitë të racionalizojnë veprimet e tyre si dhe të identifikojnë mjetet më efikase për të plotësuar nevojat e këtyre blerësve potencialë (elektorati). Posterat, reklamat, flamujt, kapelet, bluzat, spotet televizive, fletëpalosjet, emisionet televizive, koncertet, mitingjet janë disa nga elementet që tentojnë të përmbushin këtë qëllim. Gjithçka shndërrohet në një spektakël të madh, me qëllim që t’i japë përshtypje elektoratit se aftësia, popullariteti, efikasiteti i kandidatit apo partisë që përfaqëson, janë të papërballueshme. Në këto rrethana suksesi i partive është i stimuluar më shumë nga përvoja e kompanisë marketuese sesa nga ajo çfarë përfaqësojnë në vetvete.
Një element tjetër lidhet me raportin e politikës me median. Shikohet që kandidatët apo partitë që janë më të favorizuara nga pikëpamja elektorale dhe që kanë më shumë mbështetje financiare, shihen ndryshe nga pjesa tjetër. Kryesisht reklama politike orientohet më shumë drejt kandidatit apo subjektit politik që ofron më shumë para sesa vetë cilësive që përfaqëson kandidati. Mirëpo në kushtet kur votuesit mësojnë rreth qëndrimeve të kandidatëve apo partive mbi një çështje të caktuar më shumë nga reklamat sesa nga lajmet apo takimet fizike, kjo strategji bëhet deri diku ndikuese në fitoren e kandidatit.
Gjithashtu, ndikimet janë edhe tek ligjërimi politik, ku spikasin fjalitë e shkurtra, arsyetimet e cekëta, batutat, fyerje ndaj kundërshtarit etj. Përmbajtja në njëfarë mënyre e kushtëzuar nga teknologjia e komunikimit i lë vend formës, kontakti fizik zëvendësohet me kontaktin vizual dhe virtual.
Një aspekt tjetër lidhet me kostot që shoqërojnë fushata të tilla elektorale. Fondet e siguruara nga buxheti i shtetit, kuotimi i anëtarësisë nuk arrijnë të mbulojnë shpenzimet e fushatës. Në këto kushte, lidhja e partive ose kandidatëve me individë apo grupe interesi të caktuara bëhet e domosdoshme. Pikërisht për natyrën e kësaj marrëdhënieje institucionet vendase dhe ndërkombëtare kanë nënvizuar nevojën e transparencës së këtyre financimeve, pasi kjo lidhje informale ndikon në vazhdimësi mbi mënyrën se si Parlamenti i përmbush detyrimet e tij përballë elektoratit.
Njëkohësisht, nevoja financiare i detyron disa parti të përfshijnë në listën e kandidatëve biznesmenë të fuqishëm që të mund të përballojnë kostot financiare të fushatës. Mirëpo, zgjedhjet e kaluara na kanë treguar se në këtë fazë rekrutimi nuk mungojnë raste kur biznesmenë, të cilët e kanë ngritur kapitalin financiar në rrugë të dyshimta, të kandidojnë në emër të subjekteve politike. Ky fakt ka sjellë që këta biznesmenë politikanë kanë krijuar një lloj të ri modeli në politikë, sipas të cilit nuk kanë rëndësi parimet dhe programet politike përpara qëllimit final për të siguruar pasuritë dhe kapitalin financiar nëpërmjet imunitetit parlamentar. Por njëkohësisht edhe partitë politike janë interesuar më shumë për kapitalin njerëzor dhe financiar që disponojnë këta biznesmenë sesa çfarë përfaqësojnë ata në të vërtetë.
Në këto kushte transparenca e burimeve financiare në prag të zgjedhjeve të përgjithshme përbën një çështje me shumë rëndësi për mirëfunksionimin e vendimmarrjes dhe përfaqësimit të interesave të një grupi sa më të gjerë. Në parim juridiksioni tek rregullimi i këtij “këmbimi të fshehur” mbetet i pafuqishëm dhe jashtë lojës “politiko-juridike”, edhe kur mundohet t’i identifikojë dhe kufizojë transaksionet financiare të lidhura me grupet e interesit. Aq më shumë kur këto raporte në shumicën e rasteve janë informale dhe në mungesë të plotë transparence.
Në këto rrethana, me të drejtë ngrihen disa pyetje që pritet të marrin përgjigje nga formulimi i një kuadri ligjor që do të mund të formalizonte këto marrëdhënie dhe të parandalonte fenomenet e parashtruara më sipër: Sa të konsoliduara janë institucionet e autorizuara me ligj për të kontrolluar financimet partiake? A ekziston një vullnet politik për të bërë transparencën e burimeve financiare? A ekziston një kuadër ligjor i detajuar për financimin dhe transparencën e këtyre financimeve?
I shtrojmë këto pyetje për arsye se sistemi që duam të ndërtojmë, për të garantuar përfaqësimin e interesave, nuk mund të jetë i qëndrueshëm, pa ndryshuar standardet dhe mentalitetin tonë për mënyrën e bashkëpunimit ndërmjet politikës dhe elektoratit, biznesit dhe politikës. Prandaj, del si detyrim për qeverinë, që në bashkëpunim me aktorë të tjerë politikë, të ndërmarrë një reformë të thellë në drejtim të transparencës së burimeve financiare si kusht për minimizimin e dukurive të lartpërmendura.