E Diel, 1 Nëntor 2026

Kamera përgjuese “Meta-Prifti”“ndez” debatin avokat-gjykatës

13/12/2011  Veleshnja: Videoja tregon Priftin hajdut. Dvorani: Po e përsërite do marr masa

TIRANE-Kërkesa e Prokurorisë për administrimin e kamerës si provë materiale në fashikullin e gjykimit, ka ndeshur në reagimin e fortë të avokatëve mbrojtës të të pandehurit Ilir Meta. Mbrojtësi i Metës, Gëzim Veleshnja, i ka kërkuar kolegjit penal të Gjykatës së Lartë që të mos administronte orën përgjuese pa videon e dytë, ku deputeti Dritan Prifti shfaqet bashkë me ish-zv/ministrin e Ekonomisë, Leonard Beqiri, duke ndarë shumën prej 70 mijë eurosh. “Ajo video vërteton para gjykatës se Prifti është një hajdut, tregon veprimin hajdutllëk të dëshmitarit kryesor të Prokurorisë”,-është shprehur avokati Veleshnja. Mirëpo pas kësaj deklarate ka ndërhyrë kryetari i Kolegjit Penal, i cili i ka tërhequr vëmendjen mbrojtësit të të pandehurit Ilir Meta, duke i vënë në dukje se në rast përsëritje, do merrte masa ndaj tij si avokat. Pas normalizimit të situatës, më tej prokurori Bujar Sheshi ka vijuar me kërkesat e tij përballë gjykatës, duke shtuan se kërkonte administrimin në dosje dhe të provave shkresore si USB, DVD e emisionit “Top Story” dhe Lap-Top-in. Në fund të kërkesave të Prokurorisë gjykata ka ndërprerë shqyrtimin gjyqësor për të vazhduar ditën e premte me administrim e provave të tjera për të cilat do të shprehet në një tjetër seancë. Ndërkohë që Gjykata e Lartë ka përfunduar pyetjen e dëshmitarëve të Prokurorisë dhe mbrojtjes në procesin në ngarkim të ish zv-kryeministrit Ilir Meta i akuzuar nga Prokuroria për korrupsion. Këtë të hënë para gjykatës u paraqitën pesë dëshmitarët e fundit mes të cilëve edhe vëllezërit Ymer dhe Skënder Tola, të cilët janë me 40 për qind të aksioneve në bashkimin e përkohshëm të kompanisë “Vllezërit Tola”, “Elba, Shpk”, “Arti Shpk” etj, që kishin aplikuar në koncesionin e ndërtimit të HEC-it të Shushicës në rrethin e Elbasanit. Në seancën e djeshme dëshmoi dhe përfaqësuesi i tre kompanive hungareze, Andi Dedja, i cili deklaroi para gjykatës se ai kishte autorizimin vetëm për të firmosur dhe jo për të kryer procedurat e punës se tre kompanive.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›