Juve-Real, gjigantët përplasin brirët
Bajerni i Munihut është i bindur se do t’i japë fund paraqitjes së shëmtuar në Bundesligë dhe do të bëjë një lëvizje më pranë fazës me eliminim direkt në Ligën e Kampioneve nëse do të mposhtë Fiorentinën të martën (direkt në Tring +2), me apo pa Luka Tonin.
Ndërkohë, që liderit e grupeve të tjera të së martës, Real Madrid, Mançester Junaitid dhe Arsenali, janë afër kreut në kampionatet në Spanjë e Angli, kampionia e Gjermanisë, Bajerni i Munihut, kanë poshtë tyre vetëm shtatë ekipe në Bundesligë.
Formacioni i Jurgen Klinsmanit është në krye të Grupit F dhe tri pikë të tjera kundër ekipit italian do ta bëjë Bajernin një favorit të zjarrtë për të arritur midis 16 ekipeve më të mira.
“Kjo ndeshje është një shans për ne për të çuar këmbët tona në derën e raundit tjetër”, - tha Klinsman. “Ne dëshirojmë fitoren, por do të jetë shumë e vështirë”. Klinsmani beson se Toni do të rikuperohet nga dëmtimi e të jetë në fushë kundër ish-ekipit të tij. “Ai po përmirësohet ditë pas dite dhe ne shpresojmë që ai të jetë i aftë të luajë kundër ish-klubit të tij”, - tha Klinsman. “Ai do të jetë ekstra i motivuar”.
Bajerni ndodhet me dy pikë më shumë se Fiorentina. Lioni ka dy pikë pas dy barazimeve dhe synon të arrijë fitoren e parë kundër vendit të fundit, Steaua Bukereshtit, që nga ana e saj ka vetëm një pikë.
Një tjetër ndeshje tërheqëse e së martës është ajo midis Juventusit e Realit të Madridit (Tring +1), dy ekipe që janë ndeshur midis tyre edhe në finalen e vitit 1998. Reali ndodhet në krye të grupit me gjashtë pikë, ndërsa Juve në të dytin me katër pikë, duke pasur tri pikë avantazh përkundrejt Bate Borisovit të vendit të tretë.
Ndërkohë që dy herë kampionët e Europës do të presin 9-herë kampionët e Europës, Realin e Madridit në Torino, bjellorusia Bate Borisov do të përballet në Rusi me Zenitin e St. Petërsburgut, fituesi i Kupës UEFA i sezonit të kaluar.
Madridi pret prej gjashtë vitesh për të arritur triumfin e 10-të në Europë, kompeticioni më prestigjioz për klubet.
Formacioni i Bernd Shusterit ka rigjetur top-formën, duke qenë i pathyeshëm në gjashtë ndeshje rresht në Ligën spanjolle dhe duke fituar dy ndeshjet e parë në Ligën e Kampioneve kundër Zenitit e BATE-s.
Fakti që vjen në Torino pas fitores 2-1 kundër fqinjit të tij, Atletiko, i ka dhënë ekipit më shumë besim. “Fitimi i derbit na bën ne më shumë të fuqishëm kundër Juventusit”, - tha Rud van Nistelroi, i cili shënoi pas vetëm 34 sekondash lojë kundër Atletikos. “Vlen shumë për moralin pas ne e dimë se na pret një udhëtim i vështirë”.
Arsenali do të përballet në Stamboll me Fenerbahçen (direkt në Tring +4), teksa “Topçinjtë” janë në krye të grupit G, ndërsa klubi turk i fundit.
“Do të jetë realisht vështirë. Unë e provova disa vite më parë dhe tifozët atje janë shumë tërheqës”, - tha anësori Robin van Persi, ekipi i të cilit ka katër pikë kundrejt Fenerbahçes që ka një. “Do të jetë shumë agresive, por kjo është në stilin e tyre. Ju keni të bëni me atmosferën. Nuk është shumë e këndshme, por kur ju mendoni se luani me Arsenalin ju duhet të përshtateni dhe të bëni lojën tuaj”.
Kampionia në fuqi e Europës, Mançester Junaitid do të bëjë një hap të madh në fazën me eliminim direkt nëse do të mundë Sëlltikun në ‘Old Trafford” (direkt në Vizion Plus).
“Djajtë e kuq”, të cilët kanë katër pikë pas dy ndeshjesh janë në formë të mirë, teksa kanë arritur pesë fitore rresht dhe me një sulmues si Uejni Runi, i cili ka shënuar tetë gola në gjashtë ndeshje për klubin dhe Kombëtaren e vendit të tij, Anglinë.
Ndeshja do të jetë një tjetër ballafaqim midis menaxherit të Junaitid, Aleks Ferguson dhe homologut të tij te Sëlltiku, Gordon Straçan, i cili ka luajtur nën urdhrat e Fergusonit te Aberdini, Mançester Junaitid dhe te Skocia.
Junaitid dhe Sëlltiku janë takuar gjithashtu në fazën e grupeve dy vjet më parë, kur ekipi i Fergusonit fitoi 3-2 në shtëpi, ndërsa ai i Straçanit triumfoi 1-0 në Skoci. Në ndeshjen tjetër të grupit E, Vilareali spanjoll, që gjithashtu ka katër pikë, do të presë në shtëpi Alborgun danez.
LIGA E KAMPIONEVE
DITA 3
E martë, 21 tetor 2008
Grupi E
Vilareal-Alborg
Man.Jun.-Sëlltik Vizion Plus
Man. United 2 4
Vilarreali 2 4
Sëlltiku 2 1
Alborg 2 1
Grupi F
Bajern-Fiorentina Tring +2
Steaua-Lion Tring +4
Bajerni 2 4
Fiorentina 2 2
Lioni 2 2
Steaua 2 1
Grupi G
Fenerbahçe-Arsenal Tring +3
Porto-Dinamo Kiev Tring + 5
Arsenal 2 4
Porto 2 3
Dynamo Kiev 2 2
Fenerbahçe 2 1
Grupi H
Zenit-Bate
Juventus-Real M. Tring +1
Real Madrid 2 6
Juventus 2 4
BATE 2 1
Zenit 2 0
Kanavaro: "Ndeshja kundër Juve, ndryshe nga të tjerat”
“Ndeshja kundër Juventusit për mua është një sfidë speciale. Jam i lumtur të kthehem dhe të gjej persona me të cilët kam kaluar dy vite fenomenalë”. Kjo është deklarata e Fabio Kanavaros gjatë një interviste të dhënë në sitin zyrtar të Real Madrid në prag të ndeshjes së ditës së martë në Ligën e Kampioneve. “Nuk do të shkojmë në Torino për të humbur, - vazhdoi mbrojtësi i Real Madrid, - jam i bindur se mund të dalim të paktën me një pikë. I kemi mundësitë për ta përballuar Juven”. “Në Torino kam luajtur vitet më të mira të karrierës sime sportive. Kam fituar dy tituj, edhe pse më pas na i hoqën. Kam një raport të shkëlqyer si me ish-shokët e mi ashtu dhe me tifozët, por besoj se nesër do të më fishkëllejnë pasi ika kur Juve u rrëzua në Serie B. Kjo nuk u pëlqeu njerëzve”.
Del Piero: “Reali do të na frymëzojë”
Në vigjilje të sfidës kundër Realit të Madridit, Alesandro Del Piero karikon skuadrën e tij: “Atë që ne dëshironim të merrnim të shtunën (kundër Napolit) nuk arritëm ta marrim, - thotë kapiteni i Juves. “Kemi punuar shumë gjatë kësaj jave, kemi pasur probleme për të superuar. Duhet vetëm të punojmë. Por të mërkurën do të jetë një ndeshje e ndryshme, që s’ka lidhje me momentin që po kalojmë”.. “Juve-Real është unike. Shpresojmë të bëjmë një rezultat të mirë, por dhe një paraqitje të bukur. Kemi shumë dëshirë të reagojmë. Jemi duke bërë të pamundurën për të dalë nga një moment i vështirë. Ndoshta, Reali do të na frymëzojë. Ranieri? Jemi të gjithë në një barkë”.
Toni: "Nëse shënoj do të festoj”
Sulmuesi i Bajernit, Luka Toni, do të përballet për herë të parë si kundërshtar kundër Fiorentinës. Italiani nuk e përjashtoi mundësinë e festimit të golit, pavarësisht se e respekton ish-skuadrën e tij. “Do të varet shumë nga rëndësia e rrjetës dhe nga situata në fushë. Unë nuk mendoj se të festosh një gol tregon mungesë respekti drejt Fiorentinës apo tifozëve të saj”.
“Një pritje e bukur nga tifozët e Fiorentinës? Nuk jam i sigurt, mendoj se shumë tifozë vjollcë ende me duan, por kësaj radhe do të kem veshur një fanellë ndryshe nga ajo vjollcë.“Kam shumë kujtime të bukura nga vitet e mia në Firence”. “Giraldino? Kam shumë raporte të mira me të, e njoh prej kohësh dhe jemi miq. Jam i lumtur që Fiorentina e ka marrë, është një sulmues i madh dhe besoj se edhe Alberto ka bërë mirë që ka zgjedhur Firence”.
Lipi: “Napoli luan futbollin më interesant”
Trajneri i Italisë, Marcelo Lipi, pohoi se është Napoli, skuadra që luan futbollin më interesant në Serie A, pavarësisht se Interi kryeson i vetëm kampionatin italian. “Kanë shpejtësi dhe vertikalizime. Janë në rrugën e duhur dhe rritja e lojtarëve vazhdon”. Në lidhje me listën prej 30 kandidatëve për të fituar “Topin e artë” të publikuar në revistën franceze të futbollit “France Football”, Lipi thotë: “Toni është duke përjetuar një moment të vështirë me Bajernin. Një qendërsulmues me karakteristikat e tij varet shumë nga skuadra”. “Ibrahimovic? Është një lojtar i madh, por ka nevojë të fitojë diçka të rëndësishme në nivelin ndërkombëtar, përndryshe do të jetë e vështirë të fitojë ‘Topin e artë’. Kur Italia fitoi Botërorin (2006), Kanavaro fitoi si ‘Topin e artë’ ashtu dhe ‘Fifa Ëorld Player’. Lojtari më i fortë në botë në këtë moment? Leo Mesi”.
Lipi flet edhe për Kombëtaren e Botërorin e ardhshëm (2010). “Ëndërroj një finale kundër Brazilit, por besoj se dhe Argjentina, edhe pse ka ndërruar trajnerin është shumë e rrezikshme. E dëshmoi në Gjermani”.
Morati elozhe për Murinjon
“Interi më i bukur i Murinjos? Patjetër, sigurisht”. Pas fitores madhështore ndaj Romës, duket qartësisht i kënaqur Masimo Morati.
“Skuadra u shpreh shumë mirë, duket evoluimi i lojës ashtu siç ka qëllim edhe Mourinjos. Është shumë mirë të shohësh ta realizuar, - shpjegon presidenti i Interit. “Është një përmirësim të cilin e prisja, por kampionati është i gjatë e më pas është dhe Champions...”. Ibra për “Topin e artë”? “Po, edhe Maikon”.
Galiani “Ronaldo? Kurrë nuk thuhet kurrë...”
Adriano Galiani ndihet i lumtur nga rilindja e Ronaldinjos. Jashtëklasi brazilian është duke u rikthyer në nivelit e tij falë punës së madhe të “MilanLab”. Galiani nuk harron t’i lëshojë edhe një mesazh të ngrohtë ndaj beniaminit të tij: Ronaldos.
“I uroj çdo të mirë të mundshme”. Fjalë të ëmbla për një kampion të pafat, i cili shënoi me fanellën kuqezi shumë gola në kampionat. Ronaldo prej tetë muaj pas dëmtimit në gju është duke punuar fort për t’u rikthyer në fushë. “Shpresoj me të vërtetë që të kthehet ai kampion i madh të cilin e kemi admiruar të gjithë për shumë vite”, - tha Galiani. Ronaldo ka marrë sinjale nga Mançester Siti në Angli dhe Paris Sën Zhermën në Francë, por lojtari zbuloi se për të është i interesuar edhe një klub italian, por duke nënvizuar se ky nuk është Milani.
“Një rikthim i tij në kuqezi do të ishte shumë i vështirë, pastaj në këto momente kemi shumë sulmues në grup në dispozicion të Karlo Ançelotit”. Por, Galiani qesh: “Kurrë nuk thuhet kurrë...”
Maldini: “Kaka ndryshoi ndeshjen”
Kapiteni i Milanit, Paolo Maldini, foli për mikrofonat e “Milan Channel” në lidhje me fitoren 3-0 kundër Sampdorias në Serinë A: “Ishte një fitore e bukur, e rëndësishme për klasifikimin e për gjithçka. Duhet të ambientohemi edhe të luajmë pas disa lojtarë, për shembull Pirlon, i cili thuajse është gati i pazëvendësueshëm për Milanin, një lojtar i madh. Ndeshja ndryshoi pas penalltisë dhe përjashtimit (të Lukinit), por edhe me hyrjen e një lojtari si Kaka, i cili për ne është shumë thelbësor”. Të enjten, Milan do të luajë në Holandë kundër Heerenveen për Kupën UEFA. “Është një skuadër për të cilën thonë se është shumë e shpejtë. Do të shkojmë në Holandë për të fituar, edhe pse e dimë se janë shumë ndeshje për t’u luajtur”.
21 Tetor 2008