E Shtunë, 31 Tetor 2026

Te fshehtat e gjerave te heshtura

Reportazh-intervistë në ekspozitën e piktorit abstrakt Gent Demi

Tiranën e mbuloi mbrëmja. Te Galeria e Akademisë së Arteve të Bukura, FAP, u ndal një furgon i bardhë. Katër duar nisën të nxjerrin, si prej një dhome magjike, një konstelacion prej 20 pikturash abstraksioniste, që krijuesi i tyre i kishte titulluar: “Modestia e gjërave të heshtura”. Fiks në orën 18.00, mbi 200 njerëz, duke hukatur pëllëmbët fillimisht, më pas duke u përqafuar pas shumë vjetësh, hynë në galeri dhe u shkrinë njëri pas tjetrit, në të fshehtat e 20 tablove. Ai, krijuesi i tyre, piktori Gent Demi, qëndronte i heshtur, ndërsa shumë sy kamerash dhe lapsa gazetarësh nisën ta pyesnin pareshtur mbi kuptimin e ciklit abstrakt të pikturave dhe për çdo njërën prej tyre. “Ç’ke dashur të thuash me ‘Këngë për një ditë të humbur?’ Po me ‘Materia e shpirtit?’ Po ‘Skenë underground?’ dhe ‘Stuhi?’ Apo ‘Tinguj?’ Interesante ‘Kohë e ndalur!’ Edhe ‘Pezull’; por, edhe ‘Shtangie’”. Ai, i qetë dhe i ndrojtur njëkohësisht, shpjegon dhe interpreton njëherazi vetëdijen dhe nënvetëdijen e vet në zbulimin e sekreteve të tablove. Një çift pleqsh, turistë të huaj, ngjiten pas bardhësisë së murit, para tablosë “Materia e shpirtit”: “Të kujtohet?” - i flet burri gruas flokëbardhë dhe plot energji. “E mban mend atë udhëtimin tonë në Las Vegas? Dhe natën e shiut pa hënë? Ja, më duket se kjo është…” Ajo tund kokën sikur tund një ëndërr para tij. Pothuajse dy orë më vonë, unë gjej një moment, kur piktori është i “zbuluar” nga gazetarët dhe i ofroj një kafe ekspres, për të ndarë me të edhe disa mendime mbi ekspozitën…

Profil

Gent Demi u lind në qytetin e Tiranës, aty nga fillimi i viteve ’70. Shkollën e mesme e kreu në gjimnazin “Qemal Stafa”. “Arratiset” nga fillimi i viteve ’90 në Greqi dhe nis jetën si mërgimtar në qytetin e vogël të Larisas. Nën peshën e qiellit fqinj dhe të tokës së ngrohtë helene, për të mbijetuar me një punë dosido, shkul patate nëpër arat e fermerëve grekë dhe më pas, për dy vjet, ndez kaldajën e një fabrike të vogël, po në Larisa. Në vitin 1993 boton vëllimin me poezi “Gjak lulesh”, ndërsa dy vjet më vonë vjen në Athinë. Nis punë në një atelie sixhadesh dhe qilimash, si modelist dhe befas, një lumë i rrëmbyeshëm ngjyrash i pushton vetëdijen dhe ai nis vizatimet e tij, në heshtje, pa ia zbuluar askujt dashurinë e re me ngjyrat, të cilat dëshiron t’i bëjë të flasin, ashtu si edhe poezitë. Në vitin 2000 niset për studime të larta në SHBA dhe gjen veten në auditorët e Universitetit të Arteve të Bukura, PRATT në Nju Jork. Diplomohet duke marrë me vete një tufë dosjesh dhe ëndrrash, tashmë më të prekshme e më të qarta dhe rikthehet në Athinë. Në vitin 2009 çel ekspozitën e parë me të njëjtin titull “Të fshehtat e gjërave të heshtura”, vetëm me 15 punime. Derisa uraganin e ngjyrave, që flenë në studion e tij, vendos ta sjellë në qytetin e lindjes. Këtu e presin surpriza dhe sfida të reja.

Intervistë

Përse “Të fshehtat e gjërave të heshtura?” Çfarë kërkon të zbulosh? Thjesht, vetveten? Apo...
Prej vitesh i flas vetes dhe botës sime të brendshme. Është pikërisht ajo, qendra ime e gravitetit, ku përplasen e djeshmja dhe e sotmja, por edhe e nesërmja. Ku njeriu ndihet më mirë se kudo. Ndjesia ime është aty. Edhe e miliona njerëzve të tjerë. Nevoja për të folur me botën time të brendshme gjen shprehje te piktura abstrakte, që është një ndjesi krejt e veçantë dhe jopërshkruese.

Kujt i drejtohet tabloja abstrakte?

Çdo njeriu. Të gjitha moshave. Ajo është pa status shoqëror. Njerëzit janë të njëjtë dhe brenda tyre jetojnë pjesët e fshehura të ndërgjegjes.

Dukesh sikur përjeton shumë ankth. Shumë makth…

Ankthi dhe makthi janë shprehje të vetëdijes dhe nënvetëdijes që përjeton çdo njeri. Aty është raporti i reales, i dramës sime dhe dramës së miliona njerëzve, përballë realitetit të përbashkët dramatik në jetët tona.

Përse zgjedh ngjyrat e errëta? Që herë pas here ndizen dhe shpërthejnë nga e kuqja dhe e bardha?

Piktura ime është e errët, por nuk është e zymtë. Ajo fsheh dhe zbulon njëkohësisht të brendshmen e panjohur të piktorit dhe njeriut rreth tij. E kuqja e pastër shpreh dinamizmin e fshehtë. E rëndësishme është paraqitja estetike e tablosë edhe filozofikisht, si dhe mesazhi që ajo përcjell.

M’u duk se takova në disa tablo Rembrandtin, Heminguejin te “Plaku dhe deti”, Da Vinçin me përmasat gjeometrike të zbulimeve të tij të hershme; ka plot objekte në disa tablo, që më bëjnë të ndiej se takova pikërisht ata dhe disa krijues të tjerë!

Edhe unë, ashtu si ti, i kam takuar prej kohësh. Derisa më detyruan të ulem e të zbuloj të fshehtat e mia dhe ato të ndërgjegjes njerëzore. Shoh vizitorët, si ndalen para tablove për një kohë të gjatë duke më rrëfyer më pas pikërisht gjetjen e vetes së tyre në disa piktura.

I qëllimshëm takimi dhe rilindja prej gjigantëve të artit të ngjyrave? Ose më saktë frymëzimi dhe pikëmbështetja te ta?

Sigurisht. Në ekspozitën time bashkohen arti klasik me ambientin bashkëkohor industrial. Ku unë i flas kujtesës, pjesëve të harruara të jetës së njeriut, ashtu siç kanë bërë edhe mjeshtrit e Rilindjes. Kjo ekspozitë është një thirrje shikuesit për të kthyer kokën pas, ndër vite dhe shekuj te njeriu…

Cili mbetet, ati yt shpirtëror, në çastin e krijimit?

Sigurisht që Caravaggio! Por, është edhe Franz Klein. Këta janë baza dhe mësuesit e mi shpirtërorë.

Ndihesh mirë në Tiranë? U bënë kaq vite në Greqi. Të pengojnë hapësirat dhe distancat?

Oh, këtu ndihem shumë, shumë ngrohtë, edhe pse bën dimër. Distancat? Janë fshirë tashmë. Mjafton një automjet dhe jam këtu brenda ditës…

Ç’mendon për Shqipërinë?

E dashura ime e parë. Që ndryshon çdo ditë. Të pandryshuara ngelen qyteti im, fëmijëria, shkollat, shokët, miqtë, të cilëve u ngjajnë pikturat e mia. Ata janë lumi dhe deti i ngjyrave, i sekreteve të mia të fshehta…

Krishtlindje dhe Vit të Ri të gëzuar paç, piktor!

Faleminderit!

Galeria është zbrazur. Ngelen aty vetëm tablotë me “Të fshehtat e gjërave të heshtura” dhe një muzikë e Bahut në sfond. Natën e mirë, Gent! Rishihemi, pas një viti ndoshta…

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›