E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klodi: Ogreni nuk e do Nedën, kur të dalin ata do ndahen

Klodi, vajza simpatike që rrëmbeu zemrën e Petritit, rrëfen 78 ditët e qëndrimit të saj në shtëpinë e ‘Big Brother’. Vazhdon të ndjejë keqardhje për daljen nga loja dhe pohon se kohët e fundit në mendjen e saj vërtitej ideja e fitueses. Por ndërsa loja e saj mbaroi, Klodi rrëfen si i sheh banorët tashmë nga ekrani i televizorit. Cili është opinioni i saj për të tjerët dhe çfarë ndodhi realisht mes saj dhe Petritit?

Klodi, e prisnit të dilnit këtë javë?

Ndoshta kishte ardhur koha për të dalë, edhe keq më erdhi edhe mirë…

Ndërsa rrethi ngushtohej, e keni menduar veten si fituese?

Nuk mund të nënvlerësoj veten, edhe unë e pashë veten si fituese një ditë, jo se kisha hyrë me këtë qëllim, që patjetër do të fitoj, por kur ngushtohej rrethi, sigurisht që fillon e mendon veten edhe ti.

Kë nuk do të doje të shihje fitues nga personat që janë në shtëpi?

Personat që nuk janë vetvetja dhe ata dihen kush janë?

Por me këta persona, ju keni pasur shoqëri fillimisht?

E vërtetë, sepse nuk mund të fillosh direkt pa e njohur personin marrëdhënie të keqe. Normal që i lë kohë dhe sillesh në të njëjtën mënyrë me të gjithë personat që je në shtëpi. Unë këtë kam bërë, gjë që e bëj edhe në jetën e përditshme, nuk mund t’i largoj personat pa i detur sesi janë dhe ndoshta nuk kam reaguar, ose kthyer përgjigje javët e para, pa i njohur, pa ditur se çfarë karakteri kanë dhe pa ditur se çfarë përgjigje mund të marrësh. Kur i njoha pastaj, dija t’u ktheja përgjigje dhe deri dikur e dija si do të reagonin.

Me Nedën pate mjaft shoqëri në fillim. Me Ogrenin, gjithashtu. A je zhgënjyer prej tyre, aq më tepër që në një farë mënyre ti ke qenë “mblesë” i tyre, je përpjekur t’i afrosh në fillim?

Jo nuk jam zhgënjyer, nga Ogreni jo se jo. Me të jam po një lloj, si në fillim, thjesht bëja shaka kur e “tallja” ose luaja me Ogrenin ndonjë çikë, por jo se kisha diçka me të. As me Nedën. Por mund të them se Neda është akoma e papjekur, dhe e shet veten si shumë të pjekur. Duhet të rritet edhe pak, që t’i kuptojë gjërat më mirë. Dhe të dijë të përgjigjet edhe më mirë.

Po ju edhe e keni imituar, a ju vinte keq atyre nga kjo?

Patjetër, dhe e forta është se ju thashë të dyve që ju kemi imituar dhe Neda tha, “oo njerëzit e rëndësishëm imitohen”. U thashë se nuk ju kemi imituar se më dukeni të rëndësishëm, pasi të gjithë i imituam, ndaj nuk ka pse të ketë hatërmbetje. Ajo thjesht na erdhi spontanisht pa ndonjë plan. Ishim duke ndenjur dhe unë bëra atë fytyrën e Ogrenit për një moment, Mirjeta Nedën dhe kështu filloi gjithçka. Mua ata më bënin për të qeshur me sjelljet e tyre, gjatë gjithë kohës.

Mendon se është e vërtetë lidhja e tyre?

Neda më duket se e do Ogrenin, ndoshta mund të jetë edhe strategjia e saj në lojë, por Ogreni nuk më duket i afeksionuar pas Nedës. Dhe ajo besoj se kuptohet edhe nga teleshikuesit jashtë.

Po nëse Ogreni nuk është i afeksionuar, përse po vazhdon kjo lidhje?

Aty brenda bëhet lojë. Nuk mund të them se jam e sigurt, pasi ndoshta kështu e koncepton lidhjen Ogreni, unë nuk mund të them fjalën e fundit, por më duket shumë e pandjeshme nga ana e Ogrenit ajo marrëdhënie.

Beson se do funksionojë kjo lidhje jashtë shtëpisë?

Unë shpresoj, pasi Neda është shumë e dashuruar pas tij, por ta them haptazi nuk besoj se do të funksionojë kjo lidhje. Dhe këto ditë që kam qenë jashtë shtëpisë dhe i shoh gjërat si publiku, Ogreni më duket shumë i thatë ndaj Nedës. Shpresoj të jetë e ndjerë nga të dy, por Ogreni ndaj Nedës duket shumë fallco. Nuk është lidhje e ndjerë.

Me Petritin pate një lloj afrimiteti, madje edhe jeni puthur, pate ndonjë moment dëshirën për ta njohur më tepër?

Petriti është djalë fantastik, por unë nuk mund t’ia kthej atë që ai ndjen ndaj meje. Sot femrat vuajnë për një njeri që t’i dojë, por unë nuk jam e disponueshme për atë. Dhe ja kam thënë edhe vetes, që provoje se mund ta duash, po prapë nuk kisha një ndjenjë për të.

Por ama e keni puthur?

Puthja ka qenë pa vetëdije dhe sinqerisht më vjen turp ta them këtë…

Ermela është një banore që bie në sy, besoni se ajo ka bërë një strategji të mirë loje?

Normal që Ermela ka bërë një strategji, por ajo është një vajzë e zgjuar e rrahur me jetën jashtë dhe komplet e kundërta nga Neda, që na hiqet si e zgjuar me libra, Ermela është e zgjuar me jetën, ka shkollën e jetës, që është shumë më e fortë se Neda. Ermela po ecën shumë mirë dhe më vjen mirë për të.

Do të pëlqente ta fitonte Ermela?

Pse jo, Ermela ose Ergysi do të më pëlqente. Por ndoshta më shumë Ergysi, jo sepse kam një miqësi të ngushtë me të, por për faktin se dua të realizojë atë që nuk ka pasur më parë dhe shpresoj që t’i hapen shumë dyer nga ‘Big Brother’, ashtu si edhe mua.

E shpreson këtë gjë, që jeta jote do të ndryshojë nga ‘Big Brother’?

Unë në ‘Big Brother’ u futa më shumë për të njohur veten time, se sa mund të duroj unë, sesi jam në bashkëjetesë me persona të tjerë, pavarësisht kësaj edhe shpresoj se mund të kem disa rrugë të hapura pas ‘Big Brother”. Në televizion do të më pëlqente shumë.

Për cilën sjellje je penduar pasi ke dalë nga shtëpia?

Në shtëpi çdo gjë ishte e menduar mirë, nuk thua asnjë gjë pa e menduar mirë. Por zënka që kam pasur me Ermelën edhe mund ta kisha evituar dhe kalova dhe pak në ofendim, që nuk duhet ta kisha bërë. Ashtu siç do të theksoja se pastërtinë e kam fiksim dhe me njerëzit që bashkëjetoj i kam strikt në shtëpi, ndaj në ‘Big Brother’ e kisha pak të vështirë këtë pjesë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›