E Diel, 1 Nëntor 2026

Kamioni del nga rruga, plagosen rëndë 5 të rinj

Aksidenti rrugor ndodhi për shkak të kushteve të këqija të motit në zonën e Mokrës. Dy prej të plagosurve, në gjendje të rëndë në spitalin e Pogradecit

Pogradec- Shirat e 24 orëve të fundit në qarkun e Korçës janë bërë shkak i një aksidenti të rëndë automobilistik. Pesë persona janë plagosur, dy prej tyre në gjendje të rendë shëndetësore në zonën e thellë malore të Mokrës, teksa ishin duke udhëtuar me një kamion. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 16:00 të së dielës, në afërsi të fshatit Proptisht në Mokër, tek vendi i quajtur “Ura e Tereziut”, thanë burime të policisë lokale. Kamioni që ishte duke udhëtuar në një terren të vështirë malor, pranë një hidrocentrali ka dalë nga rruga, kur drejtuesi i mjetit kishte humbur kontrollin, ndërkohë që kanë mbetur të plagosur pesë persona, dy prej të cilëve në gjendje të rëndë. Sipas të njëjtave burime mësohet se të plagosurit janë shtetasit: Ladi Lushka, 26 vjeç, Valdet Katija, 25 vjeç, Riti Balliu, 30 vjeç, Ervin Rapçe, 23 vjeç, si dhe K. Korça, 15 vjeç. Mësohet nga burimet zyrtare se dy nga të plagosurit janë në gjendje të rëndë shëndetësore dhe janë dërguar në spitalin e Pogradecit për të marrë ndihmën e duhur mjekësore. Ndërkaq, tre personat e tjerë, sipas mjekëve ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Ata kanë marrë fraktura dhe plagë të tjera, por për fat pa prekur organet jetësore. Nga hetimet e para pranë vendit të ngjarjes mendohet se shkak i këtij aksidenti të jetë bërë lagështia e madhe në rrugë për shkak të reshjeve të shiut, të cilat kanë nxitur rrëshqitjen e kamionit në një greminë. Hetimet vazhdojnë, ndërsa mjekët nga ana e tyre janë duke u marrë me të plagosurit që janë në gjendje më të rënduar shëndetësore. Irena Vreto

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›