Kurthi i policisë kap 18 kg hashash në kufirin me Greqinë, arrestohet trafikanti
Policia e Gjirokastrës sekuestron sasinë e dytë të hashashit, brenda 24 orësh në kufirin me Greqinë. Njëri prej trafikantëve tenton t’i shpëtojë ndjekjes së policisë, por përplas makinën në rrugë
Gjirokastër Efektivët e Policisë së Gjirokastrës kanë sekuestruar një ngarkesë të dytë me drogë, që kishte si destinacion Greqinë. Pas bllokimit në një autobus pasagjerësh të 13 kilogramëve marijuanë dhe ndalimit të emigrantit që transportonte sasinë e drogës, blutë e kufirit kanë zhvilluar një tjetër operacion antidrogë. Kësaj radhe, ata kanë bllokuar në vijën e gjelbër të kufirit me Greqinë 18 kg marijuanë, kanë ndaluar njërin prej transportuesve të kësaj ngarkese, si dhe kanë shpallur në kërkim një person tjetër. “Si fillesë e këtij operacioni antidrogë ka shërbyer një informacion që ne dispononim, se orët e vona të ditës së shtunë, një automjet do të tentonte të transportonte në drejtim të fshatit Llongo, dhe më pas në zonën kufitare me Greqinë, një ngarkesë me lëndë narkotike”, thonë blutë e kufirit në Gjirokastër. Në këtë situatë, policia e kufirit të Kakavijës ka përforcuar shërbimet e kontrollit në kufirin e gjelbër me Greqinë, si dhe ka ngritur një grackë në dalje të fshatit Vrisera, Gjirokastër. “Ndërsa po afronte mesnata e së shtunës, duke u gdhirë dita e diel, në dalje të fshatit Vrisera ne konstatuam një automjet tip ‘Renault’, që po lëvizte me shpejtësi në drejtim të fshatit kufitar Llongo”, - thonë burimet policore. Ka qenë një automjet i policisë kufitare me fenelinë policie, i cili ka ndjekur për rreth 1 km mjetin e dyshuar, duke bërë që në afërsi të fshatit Llongo makina të ndalonte. “Pasi dolëm nga mjeti, ne u kërkuam dy personave që udhëtonin në makinë të hapnin bagazhin, por personi që ndodhej në vendin e pasagjerit, pasi goditi me derën e mjetit një efektiv policie tentoi të largohej. Por ne ndërhymë menjëherë duke bërë të mundur ndalimin e pasagjerit, i cili ishte 24-vjeçari Vilson Kalemi, lindur në Skrapar dhe banues në Gjirokastër”, - përshkruajnë aksionin specialistët e Policisë Kufitare në Gjirokastër. Nga kjo situatë duket se ka përfituar drejtuesi i ‘Renaultit’, i cili i ka dhënë gaz makinës dhe është larguar me shpejtësi nga kontrolli i policisë. Ndjekja e mjetit nga policia kufitare ka vijuar sërish për disa minuta. “Në aksin rrugor Vrisera-Llongo, në vendin e quajtur ‘Çeçem’, mjeti që ndiqnim si shkak i shpejtësisë së madhe ka dalë nga rruga dhe është përmbysur në një kanal, ndërkohë që drejtuesi i tij, duke përfituar nga errësira dhe shiu i rrëmbyeshëm është fshehur në një zonë të pyllëzuar”, - thonë agjentët e policisë kufitare. Gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin e braktisur tip “Renault Clio” me targa Tr 27 84 M, që i përkiste Armando Azisit, 24 vjeç, lindur në Tepelenë dhe banues në Gjirokastër, policia ka zbuluar në një çantë të madhe shpine 18 kg marijuanë të ambalazhuar në 15 pako të mbështjella me letër natriban. Me qëllim kontrollin e zonës dhe ndalimin e shoferit që kishte braktisur makinën që transportonte marijuanë, në ndihmë të efektivave të policisë kufitare kanë ardhur edhe kolegët e tyre të sektorit të Antidrogës në Policinë e Gjirokastër. Përgjatë gjithë orëve të para të së dielës, policia ka kontrolluar zonën pranë fshatit Llongo me qëllim ndalimin e 24-vjeçarit Azisi, i cili është shpallur person në kërkim. Mbështetur mbi provat e mbledhura, policia ka bërë ndalimin e 24-vjeçarit Kalemi, i cili udhëtonte si pasagjer në automjet, pasi dyshohet se atij i përkiste çanta me 18 kg marijuanë. Mbi të rëndon akuza për veprën penale “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”. Bledar Shehu