Terror me armë në lokalin e mbushur me klientë, dy në pranga
Sokol Kalemi dhe Mitat Agalliu kanë qëlluar me automatik në drejtim të një lokali në autostradën Fier-Lushnjë, pas një sherri me kamerierin. Arrestohen në fshatin e tyre 12 orë pas krimit
Dy të rinj nga Fieri terrorizojnë klientët dhe personelin e një lokali në Lushnje, pas një konflikti për motive banale. Ngjarja nisi në orët e para të mëngjesit të djeshëm, në kohën kur Sokol Kalemi 30 vjeç, dhe Mitat Agalliu 28-vjeç, kanë qenë duke udhëtuar nga Fieri në drejtim të Lushnjës, vendosën të bëjnë një ndalesë të shkurtër në një lokal në vendin e quajtur “Pushimi i Shoferit”.Sipas njoftimit për shtyp të policisë së Fierit, dy të rinjtë kanë kërkuar të pinë kafe, por nuk ka zgjatur shumë dhe ata kanë filluar një sherr me kamerierin e lokalit. Pas konfliktit ata janë larguar nga lokali, për t’u rikthyer aty me një automatik kallashnikov, me të cilin kanë ushtruar terror ndaj dhjetëra klientëve të lokalit që ndodhet në autostradën Lushnjë-Fier. Sipas burimeve të policisë, dy protagonistët e kësaj ngjarjeje kanë qenë duke udhëtuar nga Fieri në drejtim të Lushnjës, me një automjet tip furgon me ngjyrë blu, me targa FR 5778 A. Në orën 05:00 të mëngjesit, kur ata kanë devijuar nga rruga kombëtare dhe janë kthyer për të pirë kafe në lokalin që ndodhet i ndërtuar në anë të autostradës, e që shërben si një kompleks shërbimesh. Pasi kanë porositur kafe, e kanë shoqëruar atë me pije alkoolike. “Në pije e sipër, dy të rinjtë janë konfrontuar me një prej kamerierëve të lokalit. Ata kanë shkëmbyer sharje edhe me pjesëtarë të shërbimit të këtij lokali”,-thonë burime nga policia e Lushnjës. Pas debatesh të ndryshme, në gjendje të dehur Kalemi dhe Agalliu janë kthyer për në qytetin e Fierit. 45 minuta më vonë, autorët e akuzuar janë shfaqur sërish në lokal. Ata kanë gjuajtur me armë zjarri automatik në drejtim të këtij kompleksi shërbimesh, duke terrorizuar klientët që kishin zgjedhur si vend pushimi dhe çlodhjeje ato mjedise. Klientët janë alarmuar dhe janë munduar t’u shpëtojnë predhave që kanë shkatërruar disa xhama dhe pajisje të lokalit. Pasi kanë qëlluar dhe nxjerrë inatin me armë zjarri, fatmirësisht pa shkaktuar dëme në njerëz, autorët janë larguar nga vendi i ngjarjes. Policia është lajmëruar për gjithçka ndodhi në lokal dhe ka nisur kërkimet për kapjen e autorëve. Forca të shumta të Komisariatit të Policisë së Lushnjës kanë mbërritur në vendngjarje. Specialistët antikrim dhe antiterror kanë këqyrur dhe konstatuar dëmet e shkaktuara. në vendngjarje, si dhe kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale gëzhojat e plumbave të automatikut. Grupi hetimor ka marrë në pyetje pjesëtarë të personelit dhe klientë të rastësishëm, si dhe ka arritur të identifikojë autorët e këtij sulmi. Në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë së Fierit, uniformat e policisë lushnjare janë vënë në ndjekje të tyre. Pas më shumë se 12 orësh në kërkim, Kalemi dhe Agalliu janë kapur në fshatin e tyre Kraps. Ata janë dërguar në mjediset e Komisariatit të Policisë Lushnjë, ku janë marrë në pyetje për arsyet e sulmit me armë. Policia ka sekuestruar armën e krimit dhe i ka kaluar prokurorisë materialet në ngarkim të tyre.