Kamorra, policia arreston bosin në mungesë, Likiardi
Vinçenco Likiardi kishte mundur t’i shpëtonte të paktën tri herë arrestimit nga forcat policore. Policia shpeshherë ishte njoftuar për vendndodhjen e tij në Portugali, Spanjë dhe Francë
arrestuar dje, në rrethinat e Napolit, Vinçenco Likiardin, i cili është cilësuar si njëri nga bosët më të mëdhenj të rrjeteve mafioze dhe që ishte në kërkim prej pesë vjetësh. Likiardi, 42 vjeç, kërkohej që nga shkurti i vitit 2003 sepse duhej të kryente një vit burg për një dënim të mëparshëm. Më pas, ndaj tij u lëshua një mandatarresti në korrik të vitit 2004 për bashkëpunim të ngushtë me rrjetet mafioze dhe veprime të tjera të paligjshme. Më pas, në vitin 2005, ndaj tij u lëshua një urdhërarresti ndërkombëtar, ndërsa emri i tij figuronte në “programin special të kërkimeve” me të cilin merrej vetëm policia speciale e krimeve të rënda. Likiardi kishte mundur të arratisej të paktën tri herë pas kapjes nga forcat policore. Hetuesit kanë bërë të ditur se ai ka mundur të arratisej nga kanalizimet e ujërave të zeza. Policia shpeshherë ishte njoftuar për vendndodhjen e tij në Portugali, Spanjë dhe Francë. Së fundmi, Likiardi u arrestua në zonën e Kumës në Poxuoli, në apartamentin e një çifti të afërmish ku jetonte me bashkëshorten e tij. Ishte vetë ai që bëri të ditur se do t’u hapte derën e shtëpisë agjentëve rreth orës 4 të ditës së djeshme. Burri, që nuk bëri rezistencë, nuk përdorte telefonin për të komunikuar por vetëm pusulla të shkruara me dorë, të ngjashme me letrat e shkruara nga super mafiozi Bernardo Provencano dhe tani ekspertët i janë futur punës për të marrë vesh kuptimin e asaj që është shkruar. Likiardi, shefi i klanit, është konsideruar njëri nga kokat e klanit kamorrist dhe sipas hetuesve influencën më të madhe e ushtronte direkt në zonën e veriut të Napolit, ndërsa me zonat e tjera gëzonte aleancë edhe me bandat lokale. Sipas policisë, aktiviteti i Likiardit gjatë këtyre viteve kishte të bënte me trafikun ilegal dhe kjo falë një rrjeti të vërtetë ndërkombëtar, i cili merrej me pastrim parash që vinin nga aktivitete të tjera kriminale. Arrestimi i Likiardit është përshëndetur nga ministri i Brendshëm italian, Xhuliano Amato, i cili ka shprehur vlerësimin për punën e kryer nga shefi i policisë Antonio Manganeli. “Operacioni që jemi duke zhvilluar ka të bëjë me asgjësimin e të gjitha shoqërive kriminale. Forcat e rendit po i shpërbëjnë këto organizata të rrezikshme dhe nuk do të ndalen këtu”, - tha Amato në një komunikatë për shtyp.
8 Shkurt 2008