Kampionatet ne Europe

Paris SG në Francë dhe CSKA e Moskës në Rusi janë shumë pranë titujve kampion.
Gjithsesi, PSG duhet të presë ende, edhe pse kryeson bindshëm. Barazimi 1-1 në fushën e vet ndaj Valensienës nuk lejoi festën, madje Parisi rrezikoi të humbiste kur Danik shënoi për miqtë.
Më parë parizenët mbetën me 10 lojtarë pasi Tiago Silva u përjashtua me karton të kuq.
Mbrojtësi Aleks barazoi rezultatin dhe PSG kryeson me 74 pikë. Marseja ka 67 kur duhen edhe 3 javë deri në përfundim.
CSKA hodhi një tjetër hap drejt titullit në Rusi duke fituar vetëm 1-0 në Moskë ndaj Terekut të Groznit. Goli i vetëm i ndeshjes u shënua nga Vernblom.
Zenit e ndjek me 3 pikë më pak, kur duhen edhe 3 ndeshje deri në përfundim. Skuadra e Spaletit fitoi 4-0 ndaj Alanias së Vladikaukazit ku shkëlqeu sulmuesi brazilian, Hulk, me 3 gola.
Anzhi e pati të vështirë, 2-1 ndaj Rubinit të Kazanjit. Shënuan Traore dhe Samuel Eto në minutat e fundit.
Në renditje, CSKA e Moskës ka 60 pikë, Zenit është i dyti me 57.