Kampionati i pështymës
Edmond Tupja
Këto ditë që po zhvillohet kampionati botëror i futbollit në Afrikën e Jugut, më shkoi mendja te një kampionat tjetër që, pas përvojës së grevës së urisë organizuar kohët e fundit nga Partia Socialiste e Shqipërisë, mund të organizohet për herë të parë në historinë e sportit jo vetëm shqiptar. E kam fjalën, siç e shpreh edhe titulli i këtij shkrimi, për kampionatin e pështymës. ç’është e vërteta, në fëmijërinë time të hershme, kur isha nxënës në Shkollën e Kuqe të kryeqytetit, me çunat e klasës, herë pas here, bënim në ndonjë qoshe, larg syrit të mësuesve, garë se cili nga ne do ta hidhte më larg pështymën. Ndoshta këtu zuri fill, në mënyrë ...të pavetëdijshme, ideja e kampionatit në fjalë, por për atë më ndërgjegjësoi pa diskutim vesa apo shiu i vendosur i stërkalave të pështymës që shoqëroi tërë ato fjalime në gojën e liderve të opozitës në shëtitoren “Dëshmorët e Kombit” para turmës gjysmë të paguar të militantëve e të mbështetësve të vet. Sigurisht, të gjithë njerëzve që u duhet të shprehen para një auditori të caktuar me zë të lartë, u dalin pështymëza nga goja, të cilave, në mënyrë të figurshme, u thonë “parashuta”. Kështu, për shembull, aktorët në skenë lëshojnë “parashuta”, që mund t’u bien nganjëherë në fytyrë shikuesve të radhës së parë të karrigeve; gjithashtu, edhe mësuesve apo pedagogëve si puna ime, u dalin “parashuta” që mund të përfundojnë nganjëherë në fytyrën e nxënësve e të studentëve të radhës së parë të bankave. Por “parashuta” të tilla u dalin sidomos gojëtarëve që ulërijnë para turmave gjysmë të fanatizuara: në këtë rast bëhet fjalë për stërkala pështyme të dukshme edhe pa mikroskop, pavarësisht se kujt i përkasin ato, eksponentëve të partive të majta apo atyre të djathta. Gjithsesi, gjatë zhvillimit të grevës së urisë së lartpërmendur, liderët e së majtës patjetër që kanë thyer rekorde në hedhjen njëherazi sasiore e cilësore të pështymave të tyre plot pasione të të gjitha nuancave: urrejtje, mëri, mllef, zburth, zemërim, inat, pezëm, vrer, maraz, etj., etj., ndërsa prurjet e liderëve të pozitës duhet të kenë qenë më të pakta meqenëse ata folën më shumë në salla të mbyllura ose para grupesh relativisht të kufizuara njerëzish, me ndonjë përjashtim aty-këtu dhe herë pas here.
Tani do t’i lutesha lexuesit të vëmendshëm e të paanshëm të rubrikës sime të së dielës të përfytyronte për një çast sikur vërtet një ditë të bukur dhe të afërt të vendosej organizimi i një kampionati të pështymës në shkallë s’po them botërore, por të paktën europiane ose qoftë edhe thjesht ballkanike; e veçanta dhe e papritura e një kampionati të tillë do të ishte, sipas mendimit tim modest, që çdo vend do të duhej të paraqitej me dy skuadra kombëtare, njëra e majtë, tjetra e djathtë, të cilat, pavarësisht programeve të partive që do të përfaqësonin, do të luftonin me mish e me shpirt që sasia dhe cilësia e pështymës së tyre, e derdhur gjatë garave të ndryshme (pështyrje individuale nga karrigia, nga tribuna, nga parlamenti, nga salla e konferencave, nga sheshi i mitingjeve, pështyrje kolektive nga të njëjtat vende, pështyrje përpara, anash, symbyllazi, shurdhazi, gjunjazi, etj. etj.), t’u siguronin vendet më të lakmuara në renditjen përfundimtare të kampionatit. Përsa i përket ekipit të dyfishtë që do të shpallej kampion, kupa e fituar do të mbushej me pështymën e pjesëtarëve të tij deri në kampionatin pasardhës dhe, po qe se fitohej nga ekipi i dyfishtë i një vendi tjetër, atëherë ajo do të mbushej me pështymën e pjesëtarëve të këtij të fundit. Përveç kësaj, ka shumë të ngjarë që ky lloj sporti të masivizohet sidomos në ato vende që, si Shqipëria, ndodhen ende në fazën e tranzicionit nga një regjim totalitar në një regjim demokratik, ku mitingjet dhe antimitingjet, si pjesë e teorisë dhe e praktikës së shkencës llafologjike, përbëjnë një pasion partiak kombëtar. Rrjedhimisht, ky masivizim do të mundësonte lindjen dhe zhvillimin e një industrie të re, asaj të prodhimit të pështymoreve, një pjesë e konsiderueshme e së cilave do të shkonte për eksport, çka do të kontribuonte edhe në rritjen e pashmangshme të GDP-së, pra, të mirëqenies mbarëkombëtare. Para se të përfundoj, unë do t’i drejtoja vetëm një kërkesë dhe vetëm një Komitetit organizator të këtij kampionati tejet origjinal: të mos zhvillohej në asnjë mënyrë gara e pështyrjes së larti (jo rastësisht e kam lënë pa e përmendur më sipër këtë lloj gare), sepse, siç thotë populli shqiptar, sado lart të pështysh, pështyma jote, prapëseprapë, në fytyrë do të të bjerë.