E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Vezët e thëllëzave” ose kodet e mbijetesës

Ilirian Agolli

Mbijetesa e artitRomani “Vezët e thë-llëzave”, i autorit Rudi Erebara, është një provë bindëse se letërsia shqipe gjallon shëndetshëm në pena të reja. Vepra refuzon teknologjitë parafabrikate të paraardhësve, duke përdorur struktura të veçanta të shprehjes artistike. Autori dëshmon një talent të rrallë rrëfimi, me një subjekt tronditës, një figuracion therës dhe ndikime të thella katharsisi. Zoti Erebara tregon internimin të një familjeje gjatë viteve të diktaturës komuniste. Romani është një kryevepër mbijetese shumëplanëshe, ndërsa personazhet e brishta nënebijë luhaten gjatë rrëfimit në pragun midis jetës dhe vdekjes Do të rrojnë apo do të vdesin? Ankthi dramatik nuk të lejon ta lëshosh librin asnjë çast nga dora. Letërsia e Erebarës i ka bërë të pavdekshme Lindën dhe Afërditën, personazhet që hidhen në prova dhe dënime absurde, por ato asnjë çast nuk braktisin jetën me krenari dhe dinjitet. Ngjarjet rrëfehen me qetësi dhe naivitet nga Afërdita 13-vjeçare. është ditari i një fëmije në nivele të larta artistike. Autori e ka zbërthyer absurdin e diktaturës më të dhunshme me sytë e një fëmije. Përshkrimi i hollësishëm i ngjarjeve me një mori detajesh krijojnë një tërësi të gjallë dramatike.
“Vezët e thëllëzave” është një tjetër provë e pasurisë së madhe të gjuhës shqipe. Një fjalor i gjerë plot ngjyra shpalos ngjarjet dhe dhimbjen e personazheve. Veçanërisht leksiku që lidhet me natyrën dhe biologjinë. Dukuri natyrore, emra bimësh, shpendësh dhe kafshësh, jeta e tyre, përshkruhen me aq shumë delikatesë në këtë roman, pikërisht sepse ato kërcënojnë jetën dhe sigurojnë mbijetesën e personazheve të braktisura në mal. Romani përmban një mori detajesh nga fushat e gjuetisë, gatimit, bujqësisë, mjekësisë, pemtarisë, ndërtimtarisë; të gjitha këto të përshkruara besueshmërisht lirshëm e me masë në gjuhën e thjeshtë të një vajze vetëm 13 vjeç.
Teksa lufton për të mbijetuar përkrah të ëmës, Afërdita zbulon një nga një misteret dhe reagimet e botës njerëzore, kafshërore dhe bimore që e rrethon. Fjalitë e shkurtra janë me strukturë të thjeshtë dhe tregojnë më tepër se periudhat e koklavitura akademike. Po ashtu shprehjet dialektore edhe gjallëria e gjuhës së përdorur popullore i jep romanit një frymëmarrje dhe rrjedhshmëri të lehtë. Afërdita e vogël, në penën e zotit Erebara flet shumë bukur gjuhën shqipe. Afërdita arrin një nivel të lartë shprehjeje artistike edhe me shqipen më të thjeshtë. Këtë fuqi ajo e merr nga vetë gjuha shqipe. Ashtu si Afërdita, fuqitë e mistershme të shqipes edhe autori Erebara i njeh dhe i përdor mjaft mirë.
Mbijetesa e njeriut
Njeriu nuk vdes. Njeriu nuk vdes nga asnjë dhunë. Romani “Vezët e thëllëzave” i Rudi Erebarës është një pohim i plotë i kësaj të vërtete. Njeriu me vlera që e do jetën, njeriu i rritur me moral dhe karakter të fortë nuk e humb asnjëherë rrugën në errësirën e egërsisë të asnjë diktature. Autori Erebara tregon se Linda dhe Afërdita nuk vdiqën. Jo vetëm nuk vdiqën. Me shikimin e mprehur nga rreziku, ato jetuan me kokën lart. Qeniet e tjera, njerëzore apo kafshërore, që i mundonin dhe i kërcënonin me vdekje ato, në fakt kishin frikë prej tyre. Madje i respektuan ato në përpëlitjen nënebijë për mbijetesë dinjitoze. Natyra vetë sodit se si nëna i shpëton jetën vajzës, madje edhe se si bija e shpëton nënën nga vdekja e sigurtë.
Romani tregon se si diktatura komuniste i bëri viktimat e pafajshme të saj me iu dhimbs edhe ujkut. Aq keq i hodhi nëpër hone dhe i shkeli nëpër rrugë, i shtyu në aborte dhe poshtërime nga më të rëndat, sa që edhe ujqit e malit u bënë rojet e tyre më besnikë në dimrat më të egër. Mbrojtja që Linda dhe Afërdita gëzojnë nga ujku më i fortë e më i uritur i maleve është prova më e madhe e mbijetesës së njeriut. Mbijetesa e një nëne për arsyen e vetme që të sigurojë mbijetesën e vajzës së saj. Kjo, po, meriton respektin e një ujku në mal, kryetarit të një tufe ujqish të uritur, por jo edhe të kryetarit të kooperativës apo të sigurimsit. Përkundrazi, këta të fundit e rrahin Lindën me shkelma në bark që të abortojë fëmijën e përdhunimeve të tyre. Edhe pse autori deklaron formalisht qysh në krye se ngjarjet e romanit nuk janë reale dhe ngjashmëritë janë rastësore, në fakt aty ka aq shumë detaje biografike të jetës së vërtetë të qytetarëve të diktaturës, saqë çdo lexues gjen lehtë njerëz të njohur, familjarë, të afërm apo shokë e miq. Në këtë roman mund ta gjejnë veten të gjithë shqiptarët; edhe viktimat e diktaturës edhe përfaqësuesit e saj të çdo niveli.
Mbijetesa e besës dhe e fesë
“Vezët e thëllëzave” është një roman që ngre lart, edhe në ditët më të zeza, vlerat tradicionale të shoqërisë shqiptare. Besa triumfon dhe sjell jetë pikërisht sepse ajo vihet në provë në ditët më të zeza, si të ato të Lindës dhe të Afërditës. Besa shfaqet në mes të dhunës dhe të sulmeve vdekjeprurëse, duke buruar sërish mbijetesën e shqiptarëve. Nuk është vetëm besa, që shkëlqen në errësirën e diktaturës, por edhe humanizmi. Ai gjen shprehje edhe në një kokërr shegë të hedhur pas në baltë, edhe në një pako gjalpë nga kasollet e gabelëve, edhe në dy feta bukë të hedhura poshtë makinës. Ruajtja e nderit dhe moralit të femrës është po ashtu një sfidë e rëndë në atë rrëmujë aktesh të dhunshme nga agjenti i Sigurimit famëkeq të Shtetit dhe kryetari i kooperativës. Gjoni e fsheh Afërditën 13-vjeçare në shtëpinë e tij pranë nënës, pas një maratone të ethshme për t’i shpëtuar përdhunimit të sigurimsit, por edhe kosëtarët e fshatit bëhen gjithë kohës engjëjt e saj mbrojtës. Besa, pra, nderi dhe humanizmi janë kundërshtia e diktaturës, janë jeta përballë vdekjes së sigurtë. Autori vëren se traditat shumëshekullore të popullit shqiptar janë të pavdekshme dhe ato kundërshtojnë dhe mposhtin çdo diktaturë, sado që regjimet disadekadëshe mundohen t’i tjetërsojnë me dhunë këto burime të jetës së tij.
“Se ka Zot!” është një shprehje refren që gjendet shpesh në roman. Kjo fjali është një gjurmë që shenjon pikat kulmore të vuajtjeve të personazheve kryesore gjatë rrjedhës më të dhunshme të ngjarjeve. Në ditën më të keqe të jetës së njeriut është edhe prova më e madhe e besimit të tij te Zoti. Afërdita nuk e humb asnjë çast besimin te Zoti. Sepse asnjë çast ai nuk i braktisi nënebijë të internuara në mal, derisa u jepte shenjat e pranisë së vet me një mori ndodhish jetëdhënëse. Prania e Zotit është e prekshme edhe te natyra e gjallë që rrethon malin dhe fshatin e nxirë nga varfëria dhe keqmenaxhimi. Ky është një roman ku shpjegohet se si lidhjet e njeriut me Zotin bëhen më të forta se kurrë, sidomos në kushtet kur ato ndalohen me ligj dhe përndiqen nga struktura policore kriminale. Edhe kjo është një tjetër betejë e humbur e diktaturës komuniste. Edhe pse xhamia e atij fshati është shndërruar në një stallë derrash, besimtarët ndjekin ritet fshehuras dhe nuk e humbin asnjëherë lidhjen me Zotin. Edhe pse Kisha e fshatit është shpërthyer me dinamit, është grabitur, dhe ka mbetur një ndërtesë e rrënuar në fund të një rruge të humbur, me eshtrat e priftit të vrarë nga komunistët dhe të pavarrosur në mes të sallës…
Romani “Vezët e thëllëzave” është po ashtu një thirrje për kujtesë. Autori Rudi Erebara e shkroi këtë vepër realiste nga një distancë e konsiderueshme kohore me vitet e komunizmit. Tani nga largësia 20-vjeçare me diktaturën e rrëzuar, romani fton lexuesit që të mos harrohet dhe të ndriçohet dhuna e saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›