Kampionati malazez i futbollit - Tuzjanët shënojnë fitoren e parë

Skuadra e vetme shqiptare në kampionatin malazez të futbollit, KF Deciq, ka arritur që të shënojë fitoren e parë në kuadër të ligës së parë të shtetit më të ri në Evropë.
Skuadra nga qyteti i Tuzit ka mposhtur me rezultatin minimal skuadrën "KOM" të Podgoricës në ndeshjen e vlefshme për javën e gjashtë të kampionatit malazez. Golin e vetëm për tuzjanët që në këtë ndeshje luanin si mysafir e ka shënuar nga Edin Lekiq nga pika e 11-metërshit.
"Ishte vështirë. Kundërshtari edhe pa katër lojtarë titullarë është treguar një skuadër e fortë. Ne kishim thënë se në këtë ndeshje do të hyjmë për fitore, megjithëse doli shumë më vështirë sesa e kishim menduar", ka thënë pas ndeshjes kapiteni i KF Deciq, Edin Lekiq.
Skuadra tuzjane do të zhvillojë më 23 shator ndeshjen e prapambetur të javës së pestë me skuadrën "Zeta Golubovci", e cila bashkë me Buducnostin e Podgoricës është një nga ekipet më të mira të Malit të Zi.
"Jemi shumë të relaksuar pas kësaj fitoreje, por duhet të koncentrohemi për ndeshjet e radhës pasi nëse nuk arrijmë rezultat të mirë në ndeshjen me Zetën, atëherë fitorja e sotme nuk do të ketë vlerë", ka thënë portieri i skuadrës tuzjane Vedad Dresheviq.
Liridon Ibërdemaj