E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partizani, kreu i kuq e ka emrin “Bajko”

Nga Altin B.Kodra

Në fakt, falë një golaverazhi më të mirë (+4), është Shkumbini ai që kryeson renditjen e Kategorisë Superiore, me pikë të barabarta, 6, me Partizani (+3) dhe, me të drejtë mbase, tifozët dhe lexuesit peqinas do të kenë vërejtje për titullin e këtij shkrimi. Natyrisht, duke mos iu hequr asnjë përqind meritë që ka skuadra peqinase dhe trajneri i saj, Vasil Bici, dëshiroj të theksoj se personazhi i javës ka qenë skuadra e kuqe e kryeqytetit, e vecanërisht trajneri i saj, Neptun Bajko. Kjo jo thjesht për arsye se, në këto 3 javë të para, Partizani ka shmangur humbjen, duke lëshuar vetëm 2 pikë, edhe këto në atë barazim të vështirë në Durrës me Teutën e karikuar nga fitorja me Dinamon, në javën e dytë. Jo thjesht se, për momentin, të kuqtë ndajnë kreun e renditjes me pikë të barabarta me Shkumbinin, duke konfirmuar synimet e tyre për këtë sezon të ri. Por më tepër, themi se kryesimi i kuq mban emrin e Bajkos për arsyen e thjeshtë se, edhe për tifozin më të thekur të Partizanit, formacioni i sotëm ishte 50% i panjohur. Pavarsisht se veterani i pankinave dhe ish-trajneri i Kombëtares e mori Partizanin duke patur shumë pak kohë në dispozicion për ta stërvitur, pavarsisht se skuadra e sezonit të shkuar pësoi firo të konsiderueshme, pasi u larguan lojtarë të Delain, Allmuca, etj.; pavarsisht se merkatoja përmendi emra të mëdhenj, të tillë si Abilio, Leandro apo ndonjë tjetër dhe, pavarsisht se Bajkos i mbeti në dispozicion një skuadër ku 50% e lojtarëve janë mjaft të rinj të moshë dhe të paprovuar në nivelin më të lartë të futbollit shqiptar, ai diti ta shndërrojë Partizanin e tij në një grup kompakt, të cilit mund t'i mungojë bukuria dhe spektakli në lojë, por deri më tani ka marrë 7 nga 9 pikët e mundshme. Dhe kjo duke mos llogaritur këtu se Partizani është goditur nga dëmtimet dhe i mungojnë lojtarë me peshë, të tillë si organizatori Dorian Bylykbashi apo sulmuesi Gjergji Muzaka. Dje kundër Luftëtarit, Partizani kapërceu pësimin e një goli në 10 minutat e para, dhe arriti të barazonte rezultatin pas një gjysmë ore loje, me anë të Abilaliajt, duke vijuar të përmbyste gjithcka dhe duke vulosur praktikisht fatin e ndeshjes që në minutat e fundit të pjesës së parë, me golin e dytë, të shënuar nga një tjetër 20-vjecar, Gerard Progri. Paskëtaj, të kuqtë kanë dëgjuar vetëm trajnerin e tyre, duke u mbrojtur me kujdes dhe duke e vulosur gjithcka me një gol të tretë, të shënuar në dy minutat e fundit të lojës nga një i sapofutur, Sokol Bulku. Është vetëm java e tretë dhe është ende herët, madje shumë herët për të folur për synime. Por Bajko po e bën gjithcka sipas filozofisë së tij, që konsiston në atë që "e rëndësishme është të mos pësojmë gol", që në rastin tonë do të përkthehej "e rëndësishme është të mos pësojmë humbje". Gjithsesi, të dielën që vjen, e ka radhën vizita që Partizani do t'i bëjë Besës në Kavajë. Dhe Bajko do të shpresojë që, bashkë me fatin, të mos e tradhëtojë as durimi i presidentit të klubit, Albert Xhani. Sepse, në futboll fiton ai që duron dhe fati ndihmon zakonisht më të mirin…

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›