E Diel, 1 Nëntor 2026

Çipi: Humbëm ndaj Tiranës, të mos e dramatizojmë situatën

Nga ELTON NIKA

Shefi i klubit vlonjat pohon se në transfertën e fundit vendosën episodet dhe nuk mund të flitet për krizë të Flamurtarit

Flamurtari sërish i dobët në transfertë, por në Vlorë nuk pranojnë krizë. Humbja e fundit përballë Tiranës quhet e pranueshme në kampin vlonjat, edhe pse ka rezerva për lojën e Flamurtarit në ndeshjen e fundit. Shefi i klubit të Flamurtarit, Geri Çipi, ka pranuar se ekipi luajti dobët në transfertën e kryeqytetit, por nuk ka vend të flasësh për krizë, kur janë luajtur vetëm katër javë kampionat.

Sipas Çipit, ishte një ndeshje që u vendos nga episodet dhe Flamurtari nëse nuk do të kishte pësuar shpejt, mund të kishte dalë me të paktën një barazim nga kryeqyteti. Kemi humbur ndaj Tiranës në transfertë dhe nuk duhet parë si fundi i botës. Janë luajtur vetëm katër javë kampionat dhe distanca me kreun nuk është larg.

Vetëm një ndeshje na ndan nga kreu i renditjes, pra nuk mund të themi se Flamurtari është në vështirësi. Përkundrazi, ekipi vlonjat ka mundësi më shumë dhe ndoshta kjo ndërprerje e kampionatit do tu shërbejë si futbollistëve, ashtu edhe stafit teknik, për të rregulluar ndonjë mangësi që është vërejtur gjatë kësaj kohe.

Të humbasësh me Tiranën nuk është dramë dhe nuk duhet ta bëjmë të tillë, për vetë faktin se Flamurtari ka treguar se di të dalë nga situata të tilla dhe të shkojë në vendin që e meriton, citon sekretari Çipi.

Në këto katër javë kemi marrë dy fitore dhe dy humbje, por nëse mund të quhet humbje është kjo e fundit ndaj Tiranës, ndaj në katër javë kampioat mund të ndodhë edhe diçka e tillë .Gjithsesi, ka ende mjaft kohë për të rikuperuar pikët dhe ekipi të dalë në gjendjen e tij të mirë, si në lojë, ashtu edhe me rezultate. Koha punon në favorin tonë.

Ndërpritet kampionati për dy javë dhe pas rifillimit të tij do të kemi mundësië të luajmë dy ndeshje në shtëpi, në të cilat Flamurtari duhet të marrë maksimumin e pikëve, pra dy fitore. Më pas ka shumë kohë në dispozicion për të menduar për transfertat, pasi nëse pretendon të jesh në ekipet e kreut, duhet të marrësh pikë edhe jashtë fushës tënde.

Një humbje është keq për këdo, por u takon futbollistëve dhe stafit teknik të analizojnë mangësitë që janë vërejtur tek ekipi dhe të arrihen që gjërat të vihen në vendin e duhur. Flamurtari e ka grupin, stafin teknik dhe mbështetjen, ndaj le të lëmë ekipin të qetë të punojë në stërvitje.

Më besoni, do të vijë edhe rezultatet pozitive edhe në ndeshjet në transfertë, të mos krijojmë situata të cilat nuk qëndrojnë në këtë momente. Jemi një ekip cilësor dhe një humbje nuk ndryshon asgjë për Flamurtarin. Pikët do të vijnë, pasi sezoni sapo ka nisur, janë luajtur vetëm katër ndeshje, – përfundon shefi i ekipit vlonjat, Geri Çipi.

Lutaj në Suedi, stërvitja do të drejtohet Branica-Gogunja

Trajneri i Flamurtarit, Edmond Lutaj, ka përfituar nga ndërprerja e kampionatit për tu larguar disa ditë drejt Suedisë, aty ku ndodhet familja e tij, ndërsa stërvitja gjatë katër ditëve të ardhshme do të drejtohet nga Branica dhe Gogunja. Lutaj ka komunikuar me futbollistët dhe stafin teknik, duke përcaktuar edhe një program stërvitor. Ndërkohë, gjatë këtyre ditëve në stërvitjen e Flamurtarit do të mungojë mbrojtësi Franc Veliu, i thirrur nga ekipi kombëtar për ndeshjet në Francë dhe në Tiranë ndaj Rumanisë.

Ndeshjet jashtë mbeten tabu, probleme edhe sulmi

Flamurtari pa pikë në transfertë, sulmi vijon të mbetet problematik. Në katër javë kampionat vetëm një gol i realizuar nga sulmuesit e Flamurtarit është quajtur shumë pak nga specialistët vlonjatë dhe sportdashësit, të cilët duket qartë se presin më shumë nga lojtarët e këtij reparti.

Pesë gola ka shënuar Flamurtari në katër javët e para dhe vetëm një prej tyre është realizuar nga sulmuesi Hysa, ku golashënuesi më i mirë për vlonjatët deri tani me dy gola është një qendërmbrojtës, Franc Veliu. Një situatë e tillë ka vite që nuk ndodh tek ekipi vlonjat dhe natyrisht në këtë gjendje të krijuar mungesa e rezultateve në transfertë lidhet edhe me shterpësinë e sumuesve, të cilët ende nuk po arrijnë të gjejnë rrugën e rjetës.

Edhe ndaj Tiranës sulmi i Flamurtarit shumë pak vuri në vështirësi portën kundërshtare dhe kjo është quajtur një nga pikat ku pritet të punohet më shumë gjatë kësaj ndërprerjeje të kampionatit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›