E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kampionët shqiptarë!

Për dallim nga sezonet e kaluara, kur kryesisht luftonin për mbijetesë, një pjesë e mirë e futbollistëve shqiptarë janë treguar të suksesshëm këtë edicion me ekipet përkatëse. Besart Berisha, Agim Ibraimi, Fatos Beqiraj e kanë siguruar titullin e kampionit, ndërsa rrugën e tyre mund ta ndjekin edhe Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, Admir Mehmedi, Atdhe Nuhiu etj.

Futbollistët shqiptarë janë treguar të suksesshëm këtë sezon në ekipet përkatëse evropiane, por edhe më larg. Derisa Agim Ibraimi, Besart Berisha, Fatos Beqiraj tashmë e kanë siguruar titullin e kampionit me ekipet përkatëse, janë edhe disa futbollistë tjerë ‘legjionarë’ që mund ta ndjekin rrugën e tyre shumë shpejt.

Besart Berisha

Besart Berisha e ka kompletuar sezonin e suksesshëm në Brisbane, duke u stolisur me titull të kampionit të Australisë. Futbollisti kosovar ka qenë hero i Roar, duke shënuar dy gola në finalen e madhe ndaj Perth Glory, të zhvilluar të shtunën. Në përgjithësi, ish futbollisti i Hamburgut ka realizuar 21 gola, duke qenë njëherësh golashënuesi më i mirë i ligës Hyundai A-League. Për Brisbane Roar ky ishte titulli i dytë rresht në kontinentin e Kangurëve.

Agim Ibraimi

Pas Berishës, titullin e kampionit me ekipin e tij, Maribor e siguroi edhe futbollisti tjetër shqiptar Agim Ibraimi. Ai realizoi dy gola të dielën në fitoren bindëse 8:0 ndaj Triglav Kranj, e cila ia siguroi edhe matematikisht titullin e kampionit. Kur kanë mbetur edhe 5 xhiro pa përfunduar sezoni, Maribori ka 17 pikë më shumë se përcjellësi kryesor Olimpija Ljubljana, që nënkupton se futbollisti shqiptar nga Maqedonia dhe shokët e tij e siguruan epitetin e më të mirit në fundjavë.

Fatos Beqiraj

Fatos Beqiraj ishte i pari prej shqiptarëve që e siguroi titullin e kampionit. Sulmuesi pejan dhe shokët e Dinamos dominuan plotësisht këtë sezon ndaj skuadrave tjera. Dy xhiro pa përfunduar sezoni, klubi nga Zagrebi (68 pikë), që ka një ndeshje më pak, ka 14 pikë më shumë se ndjekësi kryesor Hajduk Split (54). Përfaqësuesi malazez e fitoi kështu titullin e dytë të kampionit në Kroaci.

Xherdan Shaqiri e Granit Xhaka

Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka janë shumë pranë mbrojtjes së titullit të kampionit me Baselin. Dyshja kosovare fitoi të dielën 3:0 ndaj Sionit dhe u shkëput në 16 pikë ndaj ndjekësit kryesor Luzern, pesë xhiro pa përfunduar sezoni.

Mirëpo, Luzerni ka bërë ankesë, duke kërkuar dy pikë ndaj Sionit, që u suspendua nga garat evropiane gjatë sezonit dhe që u sanksionua nga Federata zvicerane, prandaj Baseli ka refuzuar ta festojë titullin pa u qartësuar gjërat.

Sidoqoftë, praktikisht Shaqiri e Xhaka me shokë e kanë titullin në xhep, por është vetëm çështje titulli.

Admir Mehmedi

Edhe Admir Mehmedi mund ta festojë titullin e kampionit në fund të sezonit. Futbollisti shqiptar nga Maqedonia me Dinamo Kievin është njëri prej pretendentëve kryesorë për ta ngritur trofeun lart në qiell. Në fakt, ekipi nga kryeqyteti ukrainas e ndan pozitën e parë në tabelë së bashku me Shakhtar Donetsk, me nga 73 pikë të grumbulluara, dy xhiro pa përfunduar sezoni.

Atdhe Nuhiu

Ndër futbollistët që mund ta festojë titullin e kampionit është edhe Atdhe Nuhiu, i cili aktualisht me Rapid Vjenën gjendet në pozitën e dytë, me 3 pikë më pak se kryesuesi Salzburg. 5 xhiro pa përfunduar sezoni në Austri, ekipi nga kryeqyteti austriak ka gjasa reale për ta festuar titullin e më të mirit.

Xhevahir Sukaj

Xhevahir Sukaj po shkëlqen në ekipin Sepahan. Futbollisti shqiptar shënoi gol në fundjavë në fitoren 2:1 në udhëtim ndaj Foolad Khuzestanit. Ky trepikësh e afroi ekipin e tij tek titulli i tretë rresht kampion në Iran. Tri xhiro pa përfunduar sezoni, Sepahan ka 62 pikë, tri më shumë se Esteghlal, që ia rrezikon titullin e më të mirit.

Mërgim Mavraj

Derisa të lartpërmendurit po arrijnë suksese në ligat e para, ka prej futbollistëve që ishin të suksesshëm këtë sezon edhe në ligat e dyta. Më saktësisht, mbrojtësi kosovar Mërgim Mavraj, i cili me Greuther Furthin u shpall kampion i Bundesligës 2, duke e siguruar kështu një vend në elitën e futbollit gjerman sezonin tjetër. Ish futbollisti i Bochumit ishte njëri prej më meritorëve në sezonin e suksesshëm të Furthit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›