Kampioni Zidane

Zinedine Zidane është zgjedhur futbollisti më i mirë i dy dekadave të ekzistencës së Ligës së Kampionëve, në një anketë të kryer në faqen e UEFA-s në internet, në të cilën kishin të drejtë votimi gazetarë dhe vizitorë të faqes.
Klasi dhe eleganca e Zidanit arritën majat e garës elite të klubeve evropiane në vitin 2002, kur realizoi golin vendimtar në finalen ndaj Bayer Leverkusenit, me një gjuajtje mjeshtërore fluturimthi.
Francezi me bagazhin e tij të jashtëzakonshëm ka lënë pas yje të tjerë si Lionel Messi, Paolo Maldini, Xavi apo Raul, protagonistë absolutë edhe ata në dy dekadat e fundit, që kur Liga e Kampionëve zëvendësoi Kupën e Kampionëve.
Larg grupit të pesë futbollistëve të lartpërmendur, renditen Andres Iniesta, Iker Casillas, Ronaldo, Leite Kaka, Roberto Carlos, Ronaldinho dhe Cristiano Ronaldo. Befasues fakti që portugezi, në këtë renditje shfaqet vetëm në vendin e 30, ndonëse ka qenë protagonist në shumë edicione me Real Madridin dhe më parë edhe fitues me Manchester United.
Spanjollët, me tetë futbollistë në 20 vendet e para, janë kombi më i përfaqësuar. Morientes, Hierro, Mendieta, Casillas, Puyol, Iniesta, Raul dhe Xavi figurojnë të gjithë në këtë renditje.
Pavarësisht suksesit të madh që arriti gjatë karrierës së tij me klube dhe Kombëtaren e Francës, Zidane u pensionua nga futbolli me një incident që do të mbetet përgjithmonë në kujtesën e adhuruesve të tij dhe të futbollit në përgjithësi.
Në finalen e Kampionatit botëror 2006, Zidane u përjashtua me karton të kuq kur në lojën shtesë kishte qëlluar me kokë në gjoks mbrojtësin e Italisë, Marco Materazzi. Zidane ishte futbollisti kryesor i Francës gjatë garës që zhvilluar në Gjermani por i mungoi skuadrës atëherë kur ajo kishte më së tepërmi nevojë për të.
Në fund, Italia festoi pas ekzekutimit të penalltive ndërsa Zidane u tërhoq nga futbolli aktiv dhe aktualisht ushtron rolin e drejtorit në gjigantin spanjoll, Real Madrid.