Ylli pa Kombëtare

Nga shumë fytyra të reja që janë inkuadruar në ekipin e Torinos këtë sezon, veçohet një futbollist i cili është duke shkëlqyer me karakterin dhe aftësitë e tij të lojës.
Migjen Basha, mesfushori kosovar me shtetësi zvicerane ka zhvilluar vetëm 15 ndeshje për skuadrën Granata në Serie B por menjëherë ka pushtuar zemrat e tifozëve të cilët tashmë i kanë përgatitur transparente si “11 Basha” dhe e krahasojnë me legjendën e klubit, Giacomo Ferri.
Basha si adoleshent shkoi në Itali dhe shkeli fushat e Legra Pro me Lucchesen e Viareggion para se të depërtojë në Rimini dhe Frosinone, stacione nga të cilat bëri hapa të mëdhenj drejt profesionistit të madh që është sot.
Me paraqitje të mira i ndihmoi Riminit të ngjitet në Serie B nga Lega Pro 2. Për një futbollist kualitativ si ai, është i pazakonshëm fakti se nuk është anëtar i një përfaqësueseje.
Për këtë ai ka përgjigje. “Edhe pse kam lindur në Zvicër jam shumë i lidhur me origjinën kosovare, dhe kur kam kohë të lirë gjithmonë kthehem në Suharekë dhe takohem me familjarët e mi. Sa i përket debutimit në përfaqësuese, nuk e kam bërë ende për shkak se dy Federatat (Zvicra dhe Shqipëria) nuk arrijnë marrëveshje mes vete”, tha Basha gjatë një interviste për TNMagazine.
Pas vështirësive të shumta në sezonin e kaluar te Atalanta ku nuk bëri numër të konsiderueshëm të paraqitjeve, e veshi fanellën Granata. Aktualisht, Torino është lider në Serie B pas 15 xhirosh ndërsa publiku vazhdon të mahnitet me paraqitjet e 24 vjeçarit i cili me autoritetin e tij në fushë ka zgjuar krahasime me legjendën e klubit, Giacomo Ferri.
Por, ai vazhdon të ruan modestinë. “Giacomo është një futbollist i madh që ka shkruar historinë e Torinos dhe është duke e bërë tani edhe si zyrtar”, shtoi Basha, karakteristikat e së cilit e bëjnë shumë të dobishëm për ekipin meqë është në gjendje të luaj në pozita të ndryshme në mesfushë.
“Më pëlqen të luaj në qendër dhe të nisem përpara në kërkim të shërbimit ose goditjes”, u shpreh ai.
Edhe pse në huazim te Torino, ai shpreh gatishmërinë të mbetet për një kohë të gjatë me Torinon. “Do të nënshkruaja menjëherë për të mbetur këtu për sa më gjatë që është e mundur”, theksoi ai.
Basha komentoi edhe pozitën aktuale të Torinos duke kërkuar që skuadra të vazhdoj me paraqitje të mira por edhe të injorojë ngacmimet dhe lojën e ashpër që i ndodh shpesh në përballje me kundërshtarë si Bari, xhiron e kaluar.
“Jemi si Atalanta vitin e kaluar dhe mendoj se dallojmë me superioritet për mënyrën e organizimit. Por, duhet të dimë të kalojmë momentet e vështira. Ka skuadra që bazohen më tepër në fuqinë fizike dhe nganjëherë e teprojnë por ne duhet të qëndrojmë të qetë duke i rezistuar provokimeve. Unë kam dy personalitete, një për çdo ditë që pasqyron një figurë të butë dhe ajo në fushë ku nuk dukem i urtë”, përfundoi ai.