E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kampioni olimpik e paraolimpik Oskar Pistorius del ne gjyq

Ora ishte 10:11 sipas Afrikës së Jugut. Ishin çastet kur Oskar Pistorius dërgohej në sallën e gjyqit në Pretoria, duke pasur mbi shpinë barrën e akuzës së vrasës me paramendim.
Kampioni i madh i atletikës, olimpik dhe paraolimpik, rrezikon shumë pasi akuzohet për vrasjen e të dashurës, Riva Stenkamp, ndërsa dëshmitarët thanë se ai ishte kokëulur dhe me sytë mbushur me lot, ndërsa akuza u lexua në sallën e gjyqit.
Në sallë janë edhe familjarët e tij, ndërsa njëkohësisht lexohet edhe mbrojtja e bërë nga avokatët.
Ngjarja e rëndë ndodhi të enjten në orët e para të mëngjesit në kryeqytetin administrativ të Afrikës së Jugut, ndërsa fillimisht u përfol se ishte vrasje aksidentale.
Gjithçka ndryshoi dhe nga fqinjët u mor informacioni se pati britma dhe pastaj të shtëna në shtëpinë e Riva Stenkampit, ndërsa vajza 29-vjeçare gjeti vdekjen po aty e plagosur me 4 plumba në kokë dhe pjesën e sipërme të trupit.
E mbiquajtur “një ëngjëll mbi dhe”, Stenkamp ishte modele dhe prezantuese televizive, ndërsa lidhja me Pistoriusin besohet se nisi në vjeshtë të vitit të kaluar.
Informacionet janë që shkak i vrasjes ka qenë një grindje për shkak xhelozie, ndërsa pritet që mbi ngjarjen të hidhet dritë gjatë zhvillimit të gjyqit.
Pistorius mund të quhet me fat, pasi në Afrikën e Jugut është hequr dënimi me vdekje prej 18 vjetësh, ndërsa ekzekutimi ishte varje në litar.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›