“Seks-skandali”, Brixh hakmerret ndaj Territ
Uejn Brixh u hakmor ndaj Xhon Territ pasi Mançester Siti i tij shkërmoqi Çelsin e mbetur me nëntë lojtarë në fitoren madhështore 4-2 në “Stamford Brixh”. Pasi nuk përfilli shtrëngimin e duarve me Xhon Terrin në ritualin e përshëndetjes në rreshtimin e skuadrave përpara fillimit zyrtar të ndeshjes, Brixh – i cili hoqi dorë nga vendi i tij në Kombëtaren e Anglisë pas sex-skandalit të Territ me ish-të fejuarën e tij, Vanesa Peronsel, - luajti një rol të dorës së parë në fitoren e Sitit në humbjen e parë të Çelsit në shtëpi pas 38 ndeshjesh, qysh kur Arsenali fitoi në “Stamford Brixh” në nëntor të vitit 2008. Frenk Lampard i dha avantazhin liderëve të Premier Ligës në minutën e 42-të, por Karlos Tevez barazoi një minutë përpara përfundimit të pjesës së parë falë një gabimi të kryer nga Teri dhe portieri Hilario.
Kreig Belami realizoi për miqtë në minutën e 51-të me një gjuajtje nga një kënd i vështirë e që mund të shmangej nga Hilario. Tevez shënoi golin e tij të dytë nga pika e penalltisë pas një faulli të Huliano Beleti të ndëshkuar me karton të kuq ndaj Gereth Berit në minutën e 76-të. Pesë minuta më pas me kartonin e kuq u ndëshkua edhe Mikael Balak. Kreig Belami i vodhi një top Çelsit të “plagosur” duke shënuar golin e katërt në minutën e 87-të, përpara se Lampard me golin e tij nga pika e bardhë në minutën e 90-të reduktoi deficitin. Çelsi është tani në krye me vetëm një pikë më shumë se Mançester Junaitid, ndërkohë që Siti u ngjit në vendin e katërt duke lënë pas Totenhemin.
1 Mars 2010