E Diel, 1 Nëntor 2026

Kamza sdo ta lërë kupën për kampionatin

Nga ILIR CARA

Para një jave kamzalinjtë janë mundur 2-1 në Lushnjë, por drejtuesit kërkojnë kalimin në fazën e grupeve

Humbja në transfertën e Ballshit i ka trazuar ujërat te kamzalinjtë, pasi sipas tyre, rivali më i frikshëm nuk është kundërshtari që ke përballë, por xhaketat e zeza. Drejtuesit e Kamzës e kanë bërë publikefaktin se në Ballsh janë vjedhur nga gjyqtari Edvin Hoxha dhe, nëse ecet me këtë mënyrë, presidenti Naim Qarri ka pohuar se do të vlerësojë pozicionin e tij, sepse janë të tjerë, të cilët nuk kanë lidhje me ekipin ata që vendosin fatet e skuadrës.

Në këtë atmosferë aspak të mirë drejtuesit kërkojnë nga skuadra me çdo kusht kalimin e turit të parë të Kupës së Shqipërisë. Një javë më parë kamzalinjtë janë mundur 2-1 në Roza Haxhiu të Lushnjës, kështu që kualifikimi kërkohet në shtëpi, takim i cili do të luhet në orën 15:30 në stadiumin e Kamzës. Para një jave, trajneri Ernest Gjoka preferoi që ndaj Lushnjës të mos hedhë në fushë njëmbëdhjetëshen bazë, duke ruajtur energji për sfidën më Bylisin.

Por sot Kamza do të paraqitet ndaj Lushnjës pa rezerva, pasi kualifikimi është detyrim për blutë. Me shumë gjasa trajneri Ernest Gjoka do të hedhë në fushën e lojës këtë formacion: Bytyçi, Hallaçi, F.Tafaj, Ndreka, Ardit Beqiri, Belçev, Capa, Manuka, Oladotun, Ziambo, Pema. Pra, pak a shumë ndaj Lushnjes do të luajë grupi, që u aktivizua me Bylisin, me të vetmet ndryshime është se në vend të Ishkës aktivizohet Capa dhe nigeriani Oladotun zëvendëson Karapicin.

Për blutë e trajnerit Ernest Gjoka kualifikimi me Lushnjën është më se i arritshëm, kështu që ata do ta kërkojnë fitoren që në fillim të takimit. Dihet që këtë sezon Kupa e Shqipërisë zhvillohet sipas një formati të ri, ku pas këtij turi të parë 16 skuadrat e kualifikuara ndahen në katër grupe me nga katër ekipe.

Kamzalinjtë nuk është se kanë synim fitimin e kupës, por kalimi në fazën e grupeve është më se i domosdoshëm, sepse është një mundësi për të mbajtur ekipin të angazhuar. Në fundjavë Kamza pret Apoloninë, takim i vlefshëm për javën e katërt të kategorisë superiore, por  kamzalinjtë për momentin janë të fokusuar vetëm tek përballja e kupës me Lushnjën.

Pra, pasi të kenë eliminuar lushnjarët, kamzalinjtë do të nisin të mendojnë për ndeshjen me Apoloninë. Dje blutë kanë kryer dy seanca stërvitore, paraditje kanë marrë ngarkesë në sallë force, ndërsa pasdite janë përgatitur me top.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›