E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuqi: Mjafton që me Tiranën të mbajmë këtë ritëm

Nga ELTON NIKA

Mesfushori vlonjat është i bindur që me lojën në dy ndeshjet e fundit, të gjithë kundërshtarët do ta kenë të vështirë

Kemi fituar me meritë ndaj Kastriotit, por duhet ta lëmë pas këtë ndeshje, për të menduar për sfidën e radhës. Na pret Tirana dhe duhet të përgatitemi seriozisht për këtë ndeshje shumë të rëndësishme. Kështu shprehet mesfushori i Flamurtarit, Taulant Kuqi, një nga futbollistët që në tri javët e para ka gjetur rolin e titullarit. Ai kërkon të mos mendohet për ndeshjet e kaluara, pavarësisht rezultatit fitues ndaj Kastriotit.

Ne kemi marrë një fitore plotësisht të merituar, ku mbi të gjitha kemi treguar se nëse luajmë futbollin tonë, nuk e vëmë asnjëherë në diskutim tripikëshin. Kështu ndodhi edhe ditën e diel, ndaj duhet të jemi të kënaqur me paraqitjen në këtë sfidë, por mbi të gjitha që përballë publikut tonë kemi arritur një fitore që ka kanë ngjitur edhe në renditje.

Por është shumë shpejt për të folur për kreun, janë luajtur veç tri javë kampionat dhe duhet ende shumë punë për të arritur në majë. Jam i mendimit se nga ndeshjet që kemi zhvilluar deri tani në këto tri javë meritonim të kishim diçka më shumë në renditje, ndoshta një pikë më shumë dhe të ishim në krye bashkë me Bylisin, por ky është realiteti, thekson mesfushori vlonjat.

Tirana është kundërshtari ynë i radhës, në një ndeshje mes rivalësh. Të gjithë e presin me shumë dëshirë në të gjithë opinionin sportiv në vend. Janë nga ato ndeshje që askush nuk mund ti humbë dhe për këtë të dyja skuadrat janë duke u përgatitur maksimalisht. Kemi objektivat tona, ashtu si realisht i ka edhe Tirana, ndaj të mendojmë të përgatitemi dhe të jemi gati për këtë sfidë.

Besoj se fitorja e fundit na ka vlejtur edhe moralisht, por mbi të gjitha duke treguar se ky grup po funksionon në mënyrën më të mirë të mundshme dhe se idetë që ka stafi teknik po vihen në zbatim. Përsosmëria nuk arrihet, por mund të kërkojmë më të mirën në çdo ndeshje dhe, nëse luajmë si në dy ndeshjet e fundit, vështirë se ka ekip që mund të na shkaktojë humbje. Ka ditë në dispozicion për të përgatitur ndeshjen dhe, duke nisur nga dita e mërkurë, startojmë përgatitjet tona me mendjen veç te ndeshja ndaj Tiranës.

Mendoj se kemi shanset tona për të vijuar në rrugën e suksesit edhe në ndeshjen e radhës dhe kështu që do të vijojmë të luftojmë fort në çdo takim. Mendoj se Flamurtari është ndër ekipet pretendente, por të mos jemi euforikë, të marrim çdo ndeshje sipas radhës, tani mendohet veç për Tiranën, – përfundon mesfushori i Flamurtarit, Taulant Kuqi.

Flamurtari pushoi dje, sot në Kupë me Bilishtin

Pavarësisht se sot luhet ndeshja e kthimit për Kupën e Shqipërisë ndaj Bilisht Sportit, dje e kanë bërë pushim. Rezultati i ndeshjes së parë, 1-4, duket se u jep të drejtë. Ndërkohë, edhe për sot futbollistët do të ndahen në dy grupe. Ata lojtarë që kanë luajtur më pak minuta në kampionat dhe lojtarët e rinj do të jenë të impenjuar për ndeshjen e kthimit në kupë, ndërsa pjesa tjetër, duke përfshirë këtu kryesisht lojtarët që u aktivizuan ndaj Kastriotit, do të vijojnë me stërvitje normale nën drejtimin e trajnerit Lutaj. Edhe për ndeshjen e kthimit në kupë Flamurtari do të drejtohet nga zv.trajneri Sokol Branica.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›