Pogradeci bëhet barrikadë në Durrës, Teuta ndalet në shtëpi
Durrsakët krijojnë raste, por nuk arrijnë të shënojnë, ku spikat portieri mik Petrovski me pritjet e tij
Teuta nuk ka dalë me më shumë se një barazim nga Niko Dovana në ndeshjen e parë në grupin e saj kundër Pogradecit. Durrsakët kanë qenë të pafat në këtë ndeshje, pasi Teuta krijoi volum loje, qarkulloi rrjedhshëm topin, luajti bukur, krijoi një mori rastesh shënimi, madje goditi edhe shtyllën, por i mungoi ai që ka rëndësi, pikërisht goli. Në këtë ndeshje pa dyshim që heroi i Pogradecit ishte portieri Petrovski, që ka zhvilluar një takim të shkëlqyer, duke shpëtuar disa herë portën e tij me pritje spektakolare.
Pjesa e parë ka filluar e furishme për durrsakët, që qarkullojnë shumë shpejt topin dhe dalin furishëm në sulm, duke ushtruar një presion të madh ndaj kundërshtarit, që ishte vendosur i tëri në mbrojtje. Megjithatë, shpesh durrsakët arrijnë të dalin përballë portës kundërshtare, por nuk arrijnë të finalizojnë.
Dy rastet më flagrante i ka pasur Pepa, ku në minutën e 30-të ka dalë i vetëm me Petrovskin, por bën më të vështirën, duke goditur lehtë tokazi dhe portieri i Pogradecit ka arritur të grushtojë. Po kështu, Pepa 5 minuta më vonë ka humbur një tjetër rast, kur në hyrje të zonës ka dërguar topin në formë parabole mbi portierin Petrovski, që kishte dalë pak nga porta e tij, por topi përplaset në traversë dhe sulmuesi e tifozët durrsakë nuk u besojnë syve.
Pogradeci nuk e ka rrezikuar asnjëherë në këtë pjesë Rizvanin, ndërkohë që durrsakët humbasin raste njëri pas tjetrit, por rezultati mbetet i pandryshuar. Në pjesën e dytë durrsakët vazhdojnë me të njëjtën mënyrë loje, me ndryshimin që në këtë pjesë Teuta është edhe më e rrezikshme dhe bën gjithçka në kërkim të golit, por nuk arrin të finalizojë përballë një Pogradeci, që është rreshtuar i tëri në mbrojtje dhe me një portier si Petrovski, që ka bërë mrekullira në portë.
Pogradeci, nga ana e tij, ka rrezikuar vetëm dy herë portën durrsake me anë të Eminhazerit, që në të 47-ën godet jashtë pranë shtyllës së majtë pingule, ndërkohë që në 69-ën pogradecari ka hyrë në zonë dhe godet fort, por pret Rizvani. Durrsakët nga ana e tyre krijojnë një mori rastesh, ku ato më flagrantet kanë qenë në minutën e 55-të, kur Dosti godet në hyrje të zonës, por Petrovski me mjaft vështirësi ka grushtuar.
Në të 57-ën Pepa sërish brenda zonës, vetëm tre metra larg portës, godet fort, por sërish Petrovski ka bërë një grushtim të habitshëm, duke shtangur durrsakët. Teuta vazhdon të shtojë presionin dhe Lika kryen edhe tri zëvendësime në ndihmë të sulmit, ku Mancaku për pak ka vulosur ndeshjen.
Pikërisht në minutën e dytë shtesë Mancaku çlirohet bukur brenda zonës dhe godet një predhë të vërtetë në gjysëm kthesë, një goditje praktikisht e pamundur të pritej, por Petrovski me majat e gishtave ka arritur ta largojë topin, duke i humbur kështu durrsakëve një tjetër rast shënimi. Në këtë mënyrë Teuta ka marrë barazimin e parë të sezonit në ndeshjen e kupës.
Hasan Lika, trajner i Teutës: Mund të them që e donim një fitore në ndeshjen e parë të kupës, për ta filluar sa më mirë edhe këtë kompeticion, por nuk arritëm. Djemtë kanë luajtur mirë dhe kemi krijuar një mori rastesh, por nuk arritëm te goli. Pikërisht finalizimi është e vetmja gjë që na shqetëson, si në kampionat, ashtu edhe në kupë, pasi luajmë mirë dhe krijojmë shumë raste, por nuk shënojmë sa duhet. Megjithatë, kupa sapo ka filluar dhe natyrisht ne kemi pretendimet tona.
Ylli Çekiçi, trajner i Pogradecit: Ne jemi më shumë në shërbim të kampionatit, por edhe në kupë do të mundohemi të përfaqësohemi sa më denjësisht. Mund të them se ekipi ishte i plotë në këtë ndeshje dhe, sigurisht, përderisa kishim përballë një kundërshtar të fortë, duhej të mbroheshim dhe të arrinim rezultat me kundërsulme, ku në pjesën e dytë mund të shënonim me anë të Eminhazerit. Megjithatë, jemi të kënaqur nga ky fillim i fazës së grupeve dhe Pogradeci do të vazhdojë të jetë po kaq i fortë.
