E Diel, 1 Nëntor 2026

Kana, një dritare më shumë për kinematografinë shqiptare

Pavijoni i ekspozesë së filmit shqiptar ngjall interes në Festivalin e Filmit

Festivali i Filmit në Kanë 12 -23 maj, këtë vit pati dhe një ekspoze me prodhimet filmike shqiptare të tri viteve të fundit, duke i kushtuar një hapësirë të veçantë prodhimeve kinematografike shqiptare. Në ditët e zhvillimit të këtij evenimenti kinematografik botëror 12-23 maj,

gjashtë regjisorë shqiptarë u prezantuan në një pavijon të veçantë me një ekspoze në këtë festival. Për regjisorin e njohur, realizues i shumë prodhimeve kinematografike shqiptare por dhe fitues i çmimeve të ndryshme, Pirro Milkani kjo ekspoze është shumë e rëndësishme për kinematografinë shqiptare. Me të njëjtin mendim është dhe kryetari i QKK Artan Minarolli, i cili pohon se kjo ekspoze është pritur mirë në Kanë. Pavijoni i ekspozesë së filmit shqiptar në Kanë ngjalli interes të madh. Guida që ne kishim përgatitur me filmat shqiptarë u mirëprit. Ajo përmbante prodhimet më të mira kinematografike të tre viteve të fundit, por dhe më gjerë. Dita e filmit shqiptar ishte me datë 13 maj, por ndërkohë që ekspozeja vazhdon dhe gjatë këtyre ditëve, ku të pranishëm janë dhe producentët dhe regjisorët. Ekspoze të tilla do të jenë dhe në festivale të tjera, u shpreh Minarolli. Më tej ai pohon se kjo gjë do ti shërbente dhe turizmit shqiptar, pasi dhe vendi i xhirimit i shërben kësaj ideje dhe për këtë po punohet për një bashkëpunim me MTKRS. Unë bëra një takim me ministrin Ferdinand Xhaferraj, i cili e mirëpriti këtë ide. Së shpejti do të kemi një memorandum bashkëpunimi me Agjencinë e Turizmit, e cila do të jetë në funksion të kësaj ideje, pohon Minarolli. Regjisori Pirro Milkani tregon se kjo ekspoze, ashtu si u bë në Kanë duhet të bëhet dhe në festivale të tjera, si në Berlin e më gjerë. Në këtë ekspoze u prezantuan filma e viteve të fundit të kinematografisë shqiptare. Kjo ekspoze megjithëse është e vonuar, dhe duhet të ishte bërë më parë ajo duhet të jetë dhe në festivale të tjera, si në Berlin e më gjerë. Kjo ekspoze i shërben shumë dhe distribuimit të filmit shqiptar, pasi aty krijohen mundësi për të lidhur kontakte, për tu njohur më shumë kinematografia shqiptare në botë etj. Nuk duhet të harrojmë se Festivali i Filmit në Kanë, është një eveniment i rëndësishëm i kinematografisë botërore, thekson regjisori Milkani. Nën logon South-East European Pavilion(Pavijoni i Vendeve të Evropës Juglindore), prezantojnë prodhimet e tyre filmike shtetet si: Maqedonia, Bosnja, Bullgaria, Sllovenia, Kroacia, Qipro dhe Shqipëria. Festivali i Kanës është ngjarja më me rëndësi për kineastët, sidomos të vendeve të vogla, për krijimin e kontakteve dhe prezantimi e punës së tyre. Më 12 maj, në Kanë regjisorët dhe producentë shqiptarë: Pluton Vasi, Vjollca Dedei, Spartak Pecani, Dritan Huqi, Andi Deliana, Sabina Kodra dhe Joni Shanaj në hapësirën e pavijonit shqiptar prej 200 m2, patën mundësinë e ekspozimit të afisheve, katalogëve, broshura, manualë dhe DVD të filmave të tri viteve të fundit. Në këtë hapësirë prezantohen filmat: "Kronikë provinciale" me regji të Artan Minarollit, "Ne dhe Lenini" i Saimir Kumbaros, "Mao Ce Dun" i Besnik Bishës, "Sekretet" i Spartak Pecanit, "Trishtimi i Zonjës Shnajder" i Pirro Milkanit, bashkëprodhimi i suksesshëm shqiptaro-serb "Honeymoons" një realizim nga Genc Përmeti dhe Goran Paskaljevic. Në këtë vitrinë janë edhe të filmat: Ballkan Pazar me regji të Edmond Budinës, I huaji i Pluton Vasit, Farmakon me regji të Joni Shanajt , Out of Touch me regji të Andi Delianës, Shqiptari i Johannes Naber. Ekspozeja e filmit shqiptar në Kanë është diçka shumë e rëndësishme për kinematografinë shqiptare, një punë të mirë ka bërë dhe bordi i QKK, i cili ka bërë përzgjedhjen e këtyre filmave. Kjo ekspoze i kushtohet për herë të parë kinematografisë shqiptare në këtë festival dhe aty janë prodhime të vlerësuar, por nëse sot kinematografia shqiptare përfaqësohet me një ekspoze në Kanë, do të ishte sukses një konkurrim i filmit shqiptar në këtë festival. Festivali Ndërkombëtar i Filmit(12-23 maj) në Kanë ka mbledhur dhe në këtë edicion yje të kinematografisë botërore, regjisorë, skenaristë dhe aktorë të njohur.


Nga Julia Vrapi

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›