E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kanabisi, RENEA qëllohet me armë në Lazarat

Foto Ilustruese

Një grup prej katër oficerësh të repartit special RENEA është përballur me të shtëna armësh mëngjesin e djeshëm nga banorët e Lazaratit. Ngjarja ka ndodhur në orën 06:30 të mëngjesit të djeshëm. Breshëritë e armëve, që besohet se kanë qenë kallashnikovë, kanë ardhur nga pas shkurreve të maleve që rrethojnë fshatin problematik. Të shtënat i kanë detyruar forcat speciale të zmbrapsen pa e çuar deri në fund operacionin që kishte për qëllim monitorimin e parcelave me kanabis. Burime nga Policia e Shtetit thanë dje se ende nuk është dhënë një urdhër që forcat speciale të zbarkojnë në Lazarat për asgjësimin e kanabisit, por para se të jepet ky urdhër duhet studiuar terreni nga larg. Ky ka qenë edhe roli i katër oficerëve të RENEA- s që dje në orët e para të mëngjesit ishin pozicionuar në një grykë mali dhe studionin duke filmuar parcelat e mbjella me kanabis. Fakti se Lazarati vazhdon të jetë i padepërtueshëm nga policia vjen, me sa duket, prej faktit se banorët thuajse të gjithë janë të armatosur. Dyshohet se persona të armatosur, të pozicionuar nëpër male, vëzhgojnë çdo lëvizje mjetesh apo personash që hyjnë në fshatin e tyre dhe atëherë kur pikasin forca policie, nuk mungojnë të shtënat me armë zjarri. Kjo nuk është hera e parë që banorët e Lazaratit qëllojnë me armë kur RENEA i afrohet fshatit. Në disa raste banorët kanë qëlluar me armë jo vetëm në ajër, por edhe drejt forcave policore, madje edhe drejt helikopterëve që monitoronin nga ajri parcelat me kanabis. Specialistë të Policisë së Shtetit po përgatisin një plan operacional për asgjësimin e rrënjëve të kanabisit në Lazarat. Megjithatë, duket se ende nuk po gjendet një formë që operacioni të përfundojë pa konfrontime, të shtëna armësh apo edhe gjakderdhje. Burime të rezervuara thanë se deri diku shihet si mision i pamundur depërtimi i policisë në fshatin rebel. Kjo për shkak se banorët janë të armatosur dhe do të mbrojnë me çdo kusht parcelat që kanë mbjellë me kanabis.

PARCELAT E KANABISIT

Ndryshe nga vitet e tjera, duket se këtë vit Lazarati ka më pak parcela të mbjella me kanabis, ose të paktën ato kanë sipërfaqe më të vogël. Monitorimet e djeshme të kryera nga forcat RENEA, përveç dy parcelave të vogla, të identifikuara në distancë, kanë zbuluar se parcelat e dikurshme tashmë nuk ekzistojnë. Megjithatë, burimet thanë se pavarësisht aksioneve të vazhdueshme, kontrolleve të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, në rrugën hyrëse të fshatit, por edhe në rrugët e malit ku kalojnë kafshët, në Lazarat edhe këtë vit është mbjellë hashash. Por, sipas të njëjtave burime, mësohet se parcelat e mëdha që konstatoheshin vitet e kaluara nuk shihen më në distancë, pasi bimët mbillen në parcela më të vogla, aq sa të maskohen nga shtëpitë, në një pozicion të tillë që as nga monitorimet në distancë të mos zbulohen nga policia. Duket se aksionet e vazhdueshme të Policisë në bllokimin e plehut, ujit dhe punëtorëve që punësojnë banorët, ua ka vështirësuar disa punën lazaratasve, të cilët megjithatë nuk heqin dorë.

Etleva Delia

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›