E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama kërkon dorëheqjen e Bodes, Rushaj: Klienti i tij nuk plotësoi kushtet

Aida Malaj

Lotaria Kombëtare, akuza të ndërsjellta mes kryesocialistit Edi Rama dhe Ministrisë së Financave

Lotaria Kombëtare është bërë sërish burim akuzash të ndërsjella mes kryesocialistit Edi Rama dhe Ministrisë së Financave. Gjatë mbledhjes së sotme të grupit parlamentar të PS-së, Rama është ndalur në skandalin e Lotarisë Kombëtare, duke kërkuar dorëheqjen e ministrit të Financave, Ritvan Bode.
Ajo çka po gatuan kuzhina e korrupsionit të Sali Berishës e të Ridvan Bodes me Lotarinë Kombëtare është një pabesi e madhe ndaj publikut, me qëllim transformimin e Lotarisë Kombëtare nga një lojë ku përfitimet i merr shteti për ti investuar në funksion të interesit publik, në një mekanizëm për të rritur fitimet e klientelës më të afërt të kryeministrit e të Ministrit të Financave. Me dhjetëra miliona euro në vit që do të dalin përmes Llotarisë Kombëtare, në vend se të kthehen në investim i shtetit për sportin e për rininë, do të shkojnë në xhepat e njerëzve të afërt të Sali Berishës e të Ridvan Bodes. Ministri i Financave është sot një spekulator që vepron për llogari të klientëve të pushtetit dhe dokumentet e tenderit të Lotarisë Kombëtare provojnë vetëm një gjë: Që Ridvan Bode duhet të japë dorëheqjen. Sigurisht që Ridvan Bode nuk do ta japë dorëheqjen, sepse dora e tij është e zhytur kaq thellë në këtë aferë dhjetramilionëshe në vit sa që ai nuk e heq dot. Por ne do ta zhbëjmë aferën kur me votat e popullit shqiptar të marrim të drejtën për të qeverisur vitin e ardhshëm për njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, duke e çmontuar ruletën e tryezës së qeverisë së sotme ku kryeministri luan bixhoz me paratë e popullit për të pasuruar oborrin e ministrave e të ortakëve në biznes me qeverinë. Dhe ku Ministri i Financave darovit paratë publike dhe të drejtat publike për ta bërë lojën më eksituese dhe për ti bërë fitimet më marramendëse, u shpreh Rama përpara deputetëve socialistë.

Reagimi i Ministrisë së Financave

Pas deklaratave të shefit të opozitës, ka reaguar zv/ministri i Financave, Alfred Rushaj, i cili nëpërmjet një deklarate për mediat ka hedhur poshtë akuzat duke nënvizuar se opozita kërkon të bëjë presion ndaj komisionit të tenderit. Kjo është një shpifje që kalon të zakonshmen. Shpifje dhe presion ndaj komisionit të tenderit të Lotarisë Kombëtare, vetëm sepse klienti i tij nuk plotësoi kushtet e garës. Bëjmë me dije që ligji që përcakton dhe rregullon këtë sektor, doli vite para dhe ishte një dokument publik, në bazë të këtij ligji, Këshilli i Ministrave kishte kritere për licencimin e lotarisë kombëtare,- tha Rushaj, duke shtuar se kompania konsulente, Vladimir Partners BBA me seli në Belgjikë ka dokument zyrtar me të gjitha vlerësimet dhe është një kompani prestigjioze.

Rama në Twitter

Pas daljes publike të zv/ministrit të Financave, kreu i selisë rozë ka reaguar në rrjetin social Twitter duke akuzuar sërish kreun e Financave Ridvan Bode. Dhe i mjeri Bode flet edhe për një klient timin që spaska fituar! “Klienti” im i vetëm është publiku dhe opozita mbron vetëm këtë “klient”! Ne s’themi pse privilegjohen ortakët e Bodes dhe pse nuk fiton dikush tjetër! Jo,ne themi kjo e drejtë është e publikut dhe i takon publikut! Bodja duhet të dorëhiqej, po dora i ka mbetur brenda në arkën e parave të popullit dhe nuk e heq dot! Do tia heqë populli me votë në 2013! Tani dy fjalë Bodes: Ky është krim ekonomik. Ky është korrupsion. Ky është bixhoz me paratë e popullit. Ky është fillimi i fundit të qeverisë! Prapë Bode: Opozita i di hapat që kam ndjekur! Nuk gënjen! I dimë të gjitha, dimë edhe ortakët e Bodes në këtë biznes, janë klientë të pushtetit. Flet Bode: Kemi kërkuar konsulencë! Gënjen! E ka kërkuar pasi ka vendosur fituesin me tender të qepur sipas masës së klientelës së vet!, ka shkruar Rama në profilin e tij në rrjetin social.

26 qershor 2012 (gazeta-Shqip.com)

Rama kërkon dorëheqjen e Bodes, Rushaj: Klienti i tij nuk plotësoi kushtet burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip Nga diktatura në demokraci

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›