BE Shqiperia prane marrjes se statusit te vendit kandidat

Në Bruksel është zhvilluar takimi parapërgatitor ndërparlmamentar Shqipëri-BE. Në këtë kontekst, Komisioni Europian është shprehur me nuanca pozitive për vlerësimin e pjesës së dytë të 12 rekomandimeve në opinionin për Shqipërinë, duke venë në pah natyrisht edhe mangësitë.
“Strategjia e pronave është një ligj shumë i mirë. Sigurisht ne presim të shohim versionin përfundimtar, por ka angazhim të qartë për të trajtuar çështjen e pronave, siç është regjistrimi i pronës, që është një aspekt kyç, apo kompensimi i pronarëve që është një çështje shumë e ndjeshme si dhe legalizimi i pronave të paligjshme, që është një problem i ndjeshëm juridik në Shqipëri”, u shpreh përgjegjësi për Shqipërinë në Komisionin Europian, Vassilis Maragos.
Njëkohësisht, ai ka vlerësuar gjithashtu hapat që janë bërë në drejtim të të drejtave të njeriut.
“ Ka patur lëvizje në drejtimin e duhur. Ne vërejmë një bashkëpunim shumë të mirë midis avokatit të popullit, një kampion i të drejtave të njeriut nga njëra anë dhe policisë nga ana tjetër. Policia ka një sistem shumë të mirë të trajtimit të rekomandimeve të avokatit të popullit. Një fenomen i ngjashëm ka filluar edhe në fushën e burgimit, por proçesi aty është më i avashtë. Ka patur proges për trajtimin e dhunës shtëpiake. Ka një qendër të financuar nga fondet e qeverisë për viktimat e dhunës shtëpiake”, vlerësoi Maragos.
Gjithashtu, Maragos ka përmendur përpjekjet që janë bërë për përmirësimin e kushteve të të burgosurve, duke ju lejuar atyre, që të lëshojnë celulat e burgut për një kohë të caktuar. Ai ka vlerêsuar strategjinë për të drejtat e fëmijëve,mbi bazë të të cilës janë krijuar njësitë e mbrojtjes së fëmijëve pranë autoritetev lokale. Por Shqipëria nuk ka bërë aq sa duhet në drejtim të të personave me aftësi të kufizuara. Gjithsesi, problemi kryesor mbeten reformat zgjedhore, parlamentare dhe heqja e imunitetit, që kërkojnë konsensus.
“ Qeveria shqiptare dhe opozita nga pozicionet që kanë, pa dashur të asimilojmë qëndrimet e tyre, kanë një përgjegjësi që të punojnë bashkë për të përmbyllur çështjet e hapura. Kjo është esenciale për Shqipërinë në mënyrë që vendi të eci përpara në periudhën në vijim”, vuri në dukje përgjegjësi për Shqipërinë në Komisionin Europian.
Sipas Komisionit Europian, Shqipëria ka parametra pozitivë për situatën ekonomike, por vendi duhet të bëjë kujdes me kontrollin e borxhit dhe defiçitit për tu mbrojtur nga efektet negative të krizës dhe dobësitë e brendshme.