Kanada, takim trepalësh mes Klinton-Kushner dhe kryeministrit haitian
Komuniteti ndërkombëtar do të mblidhet në një konferencë të ardhshme për Haitin e cila do të mbahet në muajin mars. Lajmi u bë i ditur nga një grup ministrash të jashtëm dhe kreyministri haitian. Sekretarja amerikane e shtetit Hillary Clinton ka qenë e pranishmë në një takim të zhvilluar në Kanada nën praninë edhe të ministrit të jashtëm francez Bernard Kouchner. Ky takim u organizua nga kryeministri i Kanadasë, Stephen Harper. Ky takim sipas të pranishmëve nuk u krye që të paraqiste strategji specifike për katastrofën në Haiti. Por aty u diskutua një plan i përgjithshëm në lidhje më rindërtimin e një shteti i cili sipas bilanceve paraprake ka humb 200 mijë qytetarë të tij.
"është shumë e rëndësishme që qeveritarët e Haitit të na shohin si partnerë për zgjidhjen e situatës dhe jo si padronë të tyre. Qëllimet tona janë që Haiti të përjetojë sa më shpejtë begati dhe prosperitet, pavarsisht se kjo tragjedi do të lërë gjurmë të mëdha në ndërgjegjen e këtij kombi."- u shpreh pas takimit zonja Klinton.
Ndërsa kryeministri haitian pohoi se roli i vendit të tij duhet të qartësohet sa më shpejt që të jetë e mundur.
"Ne, qeveria haitiane, duam që të jemi aktiv në zgjidhjen e problemi. Por gjithsesi ne e falenderojmë popullin e Kanadasë, si edhe të gjithë popujt e mbarë globit që na kanë ndenjur afër pas tragjedisë që ne po vazhdojmë që të përjetojmë."- pohoi kryeministri Jean-Max Bellerive.
Ndërsa ministri i jashtëm francez, Bernard Kouchner pohoi se aksioni politik mbarëbotëror po e kryen me sukses angazhimin e tij për të qenë sa më efektiv në përballimin e katastrofës humanitare në Haitin e shkatërruar.
"Kjo që po bëjme ne është përgjigja më shëmbullore që ka dhënë ndonjëherë politika botërore pas një katastrofe humanitare. OKB-ja dhe përfaqësues nga mbarë globi ndodhen në Haiti për të dhënë asistencën dhe ndihmën e tyre të vlefshme,"- tha Kouchner, duke iu përgjigjur në këtë mënyrë kritikëve.
Pas afro dy javë nga tërmeti 7 ballësh që përjetoi Haiti, ky vend është duke luftuar ditë përditë për të ushqyer dhe për tu dhënë strehë qytetarë të tij. Misionet ndërkombëtare janë duke u përpjekur që të ndihmojnë me mijëra e mijëra njerëz që të rehabilitohen fizikisht, pasi është shumë i madh numri i njerëzve të cilët kanë mbetur invalid si pasojë e tërmetit.