Kanavaro i trishtuar: “Ishte Europiani im i fundit”

Fabio Kanavaro do të qëndrojë jashtë fushës për disa muaj pas dëmtimit në kavilje. Mbrojtësi i Realit të Madridit, i cili do të ishte edhe kapiteni i skuadrës e që do të operohet sot, tha gjatë një konference shtypi se do të qëndrojë me skuadrën. "Ky ishte Europiani im i fundit. Jemi futbollistë dhe këto gjëra ndodhin", - tha futbollisti 34-vjecar. "Pas vitesh pune së bashku me duket e drejtë të qëndroj me shokët e mi", -shtoi, duke saktësuar se shpreson të rij pushim vetëm "disa muaj". Trajneri Roberto Donadoni tha se ende nuk është marrë një vendim se kush do të jetë kapiteni. Por ndërsa, Fabio Kanavaro ndodhet në spital për t'u operuar, i thirruri i ri Gamberini ndodhet në qendrën e grumbullimit të kombëtares italiane në Baden. Trajneri Roberto Donadoni është i detyruar të revolucionarizojë repartin difensiv. Ne teori vendin e kapitenit duhet ta marrë Marko Materaci, por kryetrajneri mund të besojë edhe te Kielini, i cili vjen nga një sezon i shkëlqyer por edhe Panuci. Eksperienca apo freskia, hierarkia apo meritokracia. Ky është problemi për t'u zgjidhur nga Donadoni. Fabio Kanavaro nuk bën pjesë në ata lojtarë të cilët mund të zëvendësohen lehtësisht. Pasi bëhet fjalë jo vetëm për karizmën që ka lojtari, por edhe për lidershipin që ai përcjell. Xhorxho Kielini garanton energji, grintën dhe entuziazmin e të rinjve në aktivitetin e tij të parë të madh ndërkombëtar. Kristian Panuci ka një eksperiencë të madhe ndërkombëtare, dhe mund të bëjë edhe regjisorin në repartin e mbrojtjes, duke pasur pranë Barzaljin, Zambrotën në djathtë dhe Groson në të majtë. Materaci, përkundrazi është një lider, por nuk ndodhet në kondicionin e tij më të mirë fizik. Gjithsesi, "Matrix" mund të jetë shumë i dobishëm për fraksione të ndryshme kohe në ndeshje e sipër.