E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kanavaro, kundër Ibrës për "Topin e Artë"

Fabio Kanavaro, në të gjithë fushën. Mbrojtësi dhe njëkohësisht kapiteni i Kombëtares italiane flet për gjithçka, duke filluar nga "Gomorra". "Për kinemanë italiane shpresoj që të fitojë çmimin ‘Oskar‘. Por nuk mendoj se kjo do t‘i shërbejë imazhit të vendit tonë nëpër botë. Etiketat negative për Italinë janë të shumta dhe kjo natyrisht që nuk ndihmon në përmirësimin e situatës". Lojtari napolitan i ka dhënë këto deklarata për të përjavshmen "Chi". "Edhe në ditët e sotme, një shoku im i skuadrës më ka thënë: ‘Italian? Mafioz‘. Është shumë e thjeshtë që një problem lokal të përgjithësohet". Kanavaro flet edhe për jetën në Spanjë, ku është shtyllë kryesore e Realit të Madridit. Ai shpreh mendimin e tij për shoqërinë iberike dhe për qeverinë e Zapateros, duke thënë: "Spanja është në moment të mirë, ka investuar në rinovimin e qyteteve të mëdha. Martesat ndërmjet homoseksualëve? Mmmh, për këtë çështje, ndoshta nuk jam shumë dakord...". Nuk kishin si të mungonin as disa batuta për thashethemet rreth sulmuesit të Milanit, Borrielo, dhe jetës së tij private. "Marko është një djalë inteligjent, vazhdoi mbrojtësi, dëshiroj t‘i bëj komplimente sepse nuk bëri polemika kur e fejuara e tij ishte në spektaklin televiziv "Ishulli i të Famshmëve" ("Isola dei Famosi"): priti që ajo të kthehej dhe mori një vendim. Mendoj se kur të rehabilitohet nga dëmtimi do të jetë deçiziv për skuadrën e tij".

Mes buzëqeshjes dhe seriozitetit, Kanavaro ka "shigjetuar" edhe ish-shokun e tij të skuadrës, Zlatan Ibrahimoviç: "Për momentin, nëse dëshiron të shohë ‘Topin e Artë‘, duhet të vijë në shtëpinë time. Unë e fitova në vitin 2006, ishte provokimi i 35-vjeçarit, i cili është mbrojtësi i parë në histori që fitoi trofeun prestigjioz. Kur luaja te Juventusi, më thoshte gjithmonë: ‘Falë meje u shpalle kampion i Italisë në moshën 30 vjeç, më parë nuk kishe fituar asgjë‘. Më pas rrugët tona u ndanë, ai kaloi tek Interi, ndërsa unë te Reali i Madridit. Që prej asaj periudhe kam fituar një herë Botërorin, një ‘Top të Artë‘ dhe dy tituj: me fjalë të tjera e masakrova!".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›