Karlos Tevez: Do të më pëlqente të luaja me Realin
Karlos Tevez është gjithmonë e më pranë "divorcit" nga Mançester Junajted. Kjo edhe për shkak të deklaratave të tij më të fundit, e cila ka shtuar spekulimet rreth së ardhmes së argjentinasit. Huazimi dyvjeçar në "Olld Traford" përfundon në fund të sezonit dhe klubet evropiane kanë filluar garën për ta afruar. I pari në listën e pretendentëve është Reali i Madridit, të cilët kishin shprehur interes që prej verës së vitit 2007, kur Tevez u transferua te Junajted nga Uest Hemi. Shanset e "merengues" për ta afruar janë rritur dukshëm edhe pas fjalëve të 24-vjeçarit, i cili zbuloi se do të ishte i lumtur të luante për klubin madrilen. "Më thoni një lojtar që nuk dëshiron të luajë me Realin?", citohej Tevez në kolonat e "The Sun". "Ashtu si Mançesteri, ata janë një prej skuadrave më të mira në botë. Do të ishte kënaqësi të mbroja ngjyrat e kësaj skuadre".