E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kanavoro i trishtuar: “Ishte Europiani im i fundit”



Fabio Kanavaro do të qëndrojë jashtë fushës për disa muaj pas dëmtimit në kavilje. Mbrojtësi i Realit të Madridit, i cili do të ishte edhe kapiteni i skuadrës e që do të operohet sot, tha gjatë një konference shtypi se do të qëndrojë me skuadrën. “Ky ishte Europiani im i fundit. Jemi futbollistë dhe këto gjëra ndodhin”, - tha futbollisti 34-vjeçar. “Pas vitesh pune së bashku me duket e drejtë të qëndroj me shokët e mi”, -shtoi, duke saktësuar se shpreson të rij pushim vetëm “disa muaj”. Trajneri Roberto Donadoni tha se ende nuk është marrë një vendim se kush do të jetë kapiteni. Por ndërsa, Fabio Kanavaro ndodhet në spital për t’u operuar, i thirruri i ri Gamberini ndodhet në qendrën e grumbullimit të kombëtares italiane në Baden. Trajneri Roberto Donadoni është i detyruar të revolucionarizojë repartin difensiv. Ne teori vendin e kapitenit duhet ta marrë Marko Materaci, por kryetrajneri mund të besojë edhe te Kielini, i cili vjen nga një sezon i shkëlqyer por edhe Panuçi. Eksperienca apo freskia, hierarkia apo meritokracia. Ky është problemi për t’u zgjidhur nga Donadoni. Fabio Kanavaro nuk bën pjesë në ata lojtarë të cilët mund të zëvendësohen lehtësisht. Pasi bëhet fjalë jo vetëm për karizmën që ka lojtari, por edhe për lidershipin që ai përcjell. Xhorxho Kielini garanton energji, grintën dhe entuziazmin e të rinjve në aktivitetin e tij të parë të madh ndërkombëtar. Kristian Panuçi ka një eksperiencë të madhe ndërkombëtare, dhe mund të bëjë edhe regjisorin në repartin e mbrojtjes, duke pasur pranë Barzaljin, Zambrotën në djathtë dhe Groson në të majtë. Materaci, përkundrazi është një lider, por nuk ndodhet në kondicionin e tij më të mirë fizik. Gjithsesi, “Matrix” mund të jetë shumë i dobishëm për fraksione të ndryshme kohe në ndeshje e sipër.

Mediat britanike: “Ançeloti, trajneri i Çelsit”

Karlo Ançeloti është vetëm një hap larg të qenit trajneri i ri i Çelsit. Sipas “Sky Sports Neës”, bosi i Milanit ka arritur një paramarrëveshje me përfaqësuesit e Roman Abramoviçit për një lëvizje të shpehtë në “Stamford Bridge”. Çelsi është pa trajner, qysh kur izraleti Avram Grant u shkarkua dy javë më parë, menjëherë pas finales së humbur në Ligën e Kampioneve, kundër Mançesterit. Ançeloti dhe Abramoviç u takuan dy ditë më parë në Paris në hotelin “Four Seasons” pranë Kullës Eifel, teksa dhe teknikut iu propozua një kontratë katërvjeçare dhe një rrogë prej 7.2 milionë euro në sezon, ndërsa do të ketë në dispozicion 100 milionë euro për të investuar menjëherë në merkato, ku destinacioni kryesor është Kaka. Ndihmësi i Ançelotit do të jetë Xhanfranko Zola, një ish-legjendë e Çelsit. Administratori i Milanit, Adriano Galiani, pranoi faktin se Karlo Ançeloti ishte në Paris, por sipas tij, ishte për biznes.

Bekam: “Ronaldo mos shko te Reali!”

Devid Bekam e këshilloi Kristiano Ronaldon të mos ndiqte hapat e tij e të shkonte te Reali i Madridit, duke i dhënë si referencë shembullin e tij. Ylli anglez u transferua nga Mançester Junaitid te Reali i Madridit në vitin 2003. Gjigantët spanjollë janë duke u përpjekur të joshin portugezin 23-vjeçar, edhe pse trajneri i Mançesterit, Sër Aleks Ferguson, i ka paralajmëruar drejtuesit e Realit për të hequr dorë nga Kristiano. “Unë besoj se ai (Ronaldo) është në klubin e duhur, dhe duhet të qëndrojë atje. Ai ka vetëm tre vjet atje dhe ka shumë njerëz që do ta mbrojnë atë”, - tha Bekam për BBC-në. Mesfushori i Los Anxheles Galaksi shtoi: “Reali është një ekip i madh dhe një nga më të mëdhenjtë në botë, ai sapo ka filluar te Junaitid”. Ronaldo, i cili shënoi 42 gola për formacionin e tij, fitoi Ligën e Kampioneve dhe Premier Ligën sezonin e kaluar, tha se do të qartësojë të ardhmen brenda disa ditëve. Trajneri i Mançester Junaitid, Aleks Ferguson, u shpreh i bindur se Ronaldo, 23 vjeç, do të vazhdojë të luajë për ekipin e tij. “Unë kam i bindur për këtë. Kam shumë besim. Kjo është e njëjta lojë që Reali luan gjithmonë. Në të kaluarën këtë e bënë me Bekamin, dhe këtë po bëjnë me Ronaldon. Të njëjtën gjë bënë edhe me trajnerin tim të fitnesit verën e kaluar kur e morën nga ne, dhe kështu kanë për bërë gjithmonë. Në dëshirojmë që Kristiano Ronaldo të rijë me ne për një kohë të gjatë. Ai ka një kontratë fantasitike dhe për më tepër ai është lojtari më i mirë në botë”,- tha tekniku që fitoi në Moskë, Ligën e Kampioneve.

Numri 7 i Raul, futet në “arkiv”

Reali i Madridit është gati të tërheqë bluzën me numër 7 të Raulit, kur sulmuesi spanjoll të vendosë të varë “këpucët në gozhdë”. Lajmi bëhet i ditur nga vetë presidenti Ramon Kalderon për gazetën e përditshme spanjolle “Marca”. Ky do të ishte edhe gjesti më i mirë për të shpërblyer një lojtar të rritur në “kantierin” e Realit të Madridit e që më pas u bë kapiteni i skuadrës, duke u bërë idhull i tifozëve në “Santiago Bernabeu”. 7 –ta është një numër i famshëm në botën futbollistike, pasi atë e ka dhe Kristiano Ronaldo te Mançester Junaitid, por më parë e kanë veshur edhe Xhorxh Best, Erik Kantona e Devid Bekam. Për Raulin ky është një lajm i mirë pas përjashtimit nga kryetekniku i Spanjës, Luis Aragones, për në finalet e Euro 2008.

Pas skandalit, Moslej falet

Presidenti i Federatës Ndërkombëtare e Automobilizmit (FIA), Maks Moslej siguroi votëbesimin në Asamblenë e Jashtëzakonshme të FIA-s , që i lejon atij të qëndroj në postin e tij, pas skandalit të provokuar nga disa foto që e shfaqnin atë gjatë një orgjie me sfond nazist. Robert Darbelnet, shefi i Federatës Amerikane të Automobileve, tha se 68-vjeçari mori 103 vota në favor dhe 55 kundër. Moslej është president i FIA-s nga viti 1993, ndërsa mandati i tij skadon në tetor të vitit 2009.

4 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›