Shqiptari Sokol Jareci, bilbili i Spanjë-SHBA
Sokol Jareci, gjyqtari ndërkombëtar shqiptar, do të arbitrojë të mërkurën ndeshjen miqësore Spanjë-SHBA, njëherësh edhe takimi i tretë historik midis dy ekipeve, pas dy të parave në vitin 1950 dhe në vitin 1992, të dyja të fituara nga Spanja respektivisht 31 në Botërorin e Brazilit dhe 2-0 në miqësoren e luajtur në Valadolid. Ky është testi i fundit për skuadrën iberike të Luis Aragonesit, përpara se të fillojë aventurën në Euro 2008 dhe “xhaketa e zezë” shqiptare shpreson t’i sjellë fat. Trajneri i Shteteve të Bashkuara, Bob Bradley ka bërë gati listën e 24-lojtarëve, ku midis tyre është edhe Steve Kerundelo, shok ekipi me Altin Lalën te Hannover 96 në Gjermani.
39-vjeçari Sokol Jareci është gjyqtar ndërkombëtar që nga 1 janari i vitit 2000 dhe deri tani ka gjykuar 10 ndeshje ndërkombëtare: 4 ekipesh kombëtaresh në nivelin U-21 dhe 6 klubesh. Për eliminatoret Euro 2002 U-21: Bosnia Hercegovina-Izrael 2-4 (2001), Zvicër-Luksemburg 6-0 (2001); për kualifikueset Euro 2004 U-21: Danimarkë-Luksemburg 9-0 (2002); eliminatoret Euro 2006 U-21: Bosnjë Hercegovinë-San Marino. Në “listën” e Jarecit janë 5 ndeshje kualifikuese në Kupën UEFA dhe një ndeshje kualifikuese në Kupën Intertoto. Gjatë 10 takimeve ndërkombëtare Sokol Jareci ka dhënë 4 penallti (43 kartonë të verdhë e 7 të kuq). “Kulmin” e tij Jareci e ka në ndeshjen e parë të tij ndërkombëtare për klubet: në raundin e parë eliminator të Kupës UEFA, në sezonin 2001-2002, kur në takimin Sliema Uonderes-Matador Puchov (2-1) nxori 12 kartonë të verdhë (5-7) dhe 3 kartonë të kuq (1-2).
GJYQTARËT E PARË - Të aprovuar në vitin 1337, Luigj Shala dhe Llazar Mina janë dhe gjyqtarët e parë ndërkombëtarë shqiptarë, ndërkohë që në vitin 1946, Qazim Dervishi u bë gjyqtari i parë shqiptar që morri pjesë në një turne ndërkombëtar duke u zgjedhur edhe si gjyqtari më i mirë i Kampionatit të VIII Ballkanik. Gjithsesi, në vitin 1954, Ramazan Kuka u bë gjyqtari i parë me stemën e FIFA-s pas Luftës së Dytë Botërore. Gjyqtarët shqiptarë kanë qenë shumë pak të pranishëm në ndeshje ndërkombëtare në nivel kombëtaresh, por gjithsesi statistikat ofrojnë disa emra. “Albania” ju paraqet “bilbilat” që kanë gjykuar ndeshje përfaqësuesesh, zyrtare apo miqësore.
Ramiz Pregja në vitin 1965 (23 tetor) gjykoi ndeshjen kualifikuese Turqi-Rumani (2-1), të vlefshme për Kampionatit Botëror “Angli 1966”.
Në vitin 1971 (24 shkurt), Faik Barjami gjykoi takimin Holandë-Luksemburg (6-0), të vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Europian të viti 1972, e të fituar me pas nga Gjermania.
Gjyqtari fierak Arsen Hoxha ka gjykuar takimin Rumani-Qipro (3-1) (2-0), të zhvilluar, më 1 maj 1982 në Bukuresht, e te vlefshëm për eliminatoret e Euro 1984. Hoxha, i cili që nga viti 1992 jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka gjykuar edhe takimin e Ligës së Kampioneve, Dinamo e Bukuresht-Valerengen e Norvegjisë (3-1) në vitin 1982.
Edhe Dhori Prifti ka emrin e tij në skedat e ndeshjeve ndërkombëtare. Korçari arbitroi ndeshjen miqësore Shqipëri-Turqi (0-0), takim i luajtur në “Qemal Stafa”, më 28 mars 1985.
Në vitin 1996 (8 maj), Luan Zylfo (i vrarë në gabimisht gjatë një atentati në vitin 1998 e ku në qendër të tij ishte ish-presidenti i Tomorit, Adrian Çobo) gjykoi takimin miqësor Greqi-Gjeorgji (2-1) të zhvilluar në Janinë.
Më 8 tetor të vitit 1996, ndërkombëtari Ylvi Kollari gjykoi takimin Luksemburg-Bullgari (1-2), të vlefshëm për eliminatoret e Kampionatit Botëror të vitit 1998.
Gjyqtari i njohur Bujar Pregja ka gjykuar takimin Maltë-Gjeorgji (1-3, 10 shkurt 1998) të vlefshëm për turneun Rothmans.
Shqipëria vazhdimisht ka pasur gjyqtarë ndërkombëtarë, kjo dhe për shkak të kërkesave të FIFA-s, që çdo federatë të ketë arbitrat e saj. Aktualisht, gjyqtari tjetër ndërkombëtar shqiptar është Albano Janku (40 vjeç), i cili gjykoi më 22 gusht 2007, ndeshjen San Marino-Qipro (0-1) të vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Europian. Gjithsesi, Albano Janku (ndërkombëtar që nga 1 janar 2002, 9 ndeshje në total) ka gjykuar edhe ndeshje eliminatore të Kampionatit Europian U-21, përfshirë San Marino-Suedi (2003), Itali-Bjellorusi (2004), Hungari-Maltë (2005), Andora-Islandë (2006).
Shqipëria
Gjyqtarët ndërkombëtarë
Sokol Jareci
Albano Janku
Josa, trajneri i ri i Elbasanit
Mirel Josa do të jetë trajner i ekipit të Elbasanit për sezonin e ardhshëm. Akordi mes tij dhe presidentit të klubit Laze është arritur dje në mes ditë në kryeqytet ku Josa është bindur që të drejtojë ekipin e Elbasanit sezonin e ardhshëm. Presidenti i klubit të futbollit Elbasani, Arben Laze i është dashur të zgjedhë mes trajnerësh dhe në fund ka bërë zgjedhjen më të mirë. Josa më parë ka drejtuar Vllazninë, Tiranën (kampion), Skënderbeun e Lushnjën.
4 Qershor 2008