E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha përuron fillimin e punimeve për ndërtimin e Urës së Goricës

     Kryeministri Berisha i shoqëruar nga Ministri i Punëve Publike,Transportit dhe Telekomunikacionit, z. Sokol Olldashi mori pjesë sot në inaugurimin e fillimit të punimeve për ndërtimin e Urës së Goricës, në hyrje të qytetit të Beratit.
     
      Ndërtimi i kësaj urë, me një gjatësi 130 metra dhe gjerësi 18 metra, do të jetë e standarteve bashkëkohore me 4 korsi dhe 2 trotuare. Investimi ka vlerën e 2 milionë dollarëve. Në ndërtimin e saj do të ruhet tradita e qytetit të Beratit dhe e gjithë ura do të vishet me punime guri.
     
      Kryeministri Berisha e cilësoi ndërtimin e kësaj ure si një nga investimet më të rëndësishme për qytetin e Beratit, e cila së bashku me unazën e këtij qyteti që pritet të ndërtohet, zgjidh një nga problemet më të mëdha në qarkullim.
     
      “Ne inauguruam fillimin e punimeve në një urë ndër më të rëndësishmet në të gjithë rajonin, një urë me investim 2 milionë dollarë që lidh Beratin me Përmetin, me Kalanë e Beratit që ndahet nga lumi Osum dhe përbën një mundësi shumë më të madhe komunikimi në këtë rajon”, u shpreh Kryeministri.
     
      Duke e vënë theksin në rëndësinë e përshpejtimit të përfundimit të projekteve para afatit, Kryeministri i kërkoi presidentit të kompanisë ndërtuese ta përfundojë ndërtimin e urës sa më shpejt që të jetë e mundur.
     
      Presidenti i firmës Salillari u zotua se për të përfunduar punimet brenda 12 muajve, pavarësisht se ndërtimi i urës është planifikuar në dy vjet.
     
      Kryeministri garantoi se financimi i urës do të parashikohet në buxhetin e vitit 2008. “Ta inagurojmë këtë urë në 12 muaj nga sot, një vepër kjo shumë e rëndësishme për Beratin dhe vendin”, tha Kryeministri duke shtuar se gjitahshtu do të rikonstruktohet edhe ura tjetër e qytetit.
     
      Ju siguroj - vijoi më tej Kryeministri- se qeveria do të investojë në infrastrukturën e këtij qyteti dhe të qarkut të Beratit në mënyrë që t`u përgjigjet të gjitha kërkesave industriale, kulturore dhe turistike të këtij qarku.
     
      Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Kryetari i Bashkisë së Beratit, z. Fadil Nasufi, deputetët e qarkut të Beratit, z. Mehmet Xheka, z. Marko Bello, dhe z. Erion Braçe, si dhe drejtues të tjerë të pushtetit vendor.
     
    

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›