E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kanceri i gjirit dhe permiresimi i teknikave te operacioneve

Vendimi i aktores Angelina Jolie për t’iu nënshtruar një mastektomie të dyfishtë, për të reduktuar rrezikun e kancerit të gjirit, ka risjellë në qendër të vëmendjes zgjedhjet e vështira me të cilat përballen gratë që vendosin të bëjnë operacion të gjirit. Por mjekët thonë se përmirësimi i teknikave të operacioneve po ndihmon në zgjerimin e alternativave për gratë që vuajnë nga kanceri i gjirit.

Trajtimi i kancerit të gjirit pothuajse gjithmonë përfshin operacion dhe një zgjedhje të vështirë. Një gruaje i duhet të vendosë të heqë masën kanceroze apo gjithë gjoksin.

Cilado të jetë zgjedhja, mjekët thonë se një operacion plastik i suksesshëm është i rëndësishëm për rimëkëmbjen fizike dhe psikologjike të një pacienteje me kancer gjiri.

Metodat e reja për operacionin e gjirit po e ndryshojnë dramatikisht mënyrën sesi po bëhen këto procedura.

Ato po u japin grave më shumë alternativa, trajtim më të shpejtë, plagë më pak të dallueshme, efekte anësore më të pakta dhe rezultate më të mira kozmetike.

Kirurgët thonë se po vazhdojnë të zbulojnë mënyra më të mira për të trajtuar kancerin e gjirit, duke përdorur teknika që inkurajojnë rigjenerimin e gruas.

Gratë i nënshtroheshin mastektomisë, që zakonisht përfshin heqjen e lëkurës dhe një pjese të madhe të gjirit, së bashku me indet dhe pas disa muajsh një operacion të dytë për ndërtimin e gjirit.

Prirja e re është rindërtim i menjëhershëm, duke filluar njëkohësisht me mastektominë. Në disa raste, i gjithë procesi mund të kryhet me një operacion.

Kanceri i gjirit është më i përhapuri mes grave në botë dhe këto përparime jo vetëm mund të shpëtojnë jetë, por edhe t’i lejojnë ato të kenë përsëri një jetë të plotë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›