Kanceri i qafës së mitrës, Shqipëria e treta në rajon
Shqipëria renditet e treta në rajon për nivelin e lartë të vdekshmërisë nga kanceri i qafës së mitrës. Pas Rumanisë, me 13 vdekje për 100.000 ferma dhe Serbisë me 10.1 vdekje për të njëjtin indikator, në vendin tonë shifrat shkojnë në 8.9. Popullata është përgjithësisht e painformuar për rrugët e parandalimit, ndërsa në spital pjesa më e madhe e grave shkojnë tepër vonë. Zonat me numrin më të lartë të rasteve janë Tropoja, Lezha e Shkodra, por vitet e fundit kemi një shpërndarje gjeografike të sëmundjes në të gjitha rrethet. Krahasuar me vendet e zhvilluara të BE-së, te ne ka gati 3 herë më shumë vdekje. Në vendin tonë çdo vit evidentohen 25 raste të reja për 100 000 gra dhe rreth 140 prej tyre humbin jetën, si pasojë e kancerit të qafës së mitrës. Te femrat shqiptare ky ngelet kanceri i dytë më i shpeshtë, pas atij të gjirit. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, megjithëse vdekshmëria në vendin tonë është më e ulët se në disa vende të Europës Lindore, ende ngelet më e lartë se në shumicën e vendeve perëndimore. Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, vihet re një prirje për rritje gjatë dekadës së fundit. Kanceri i qafës së mitrës është i dyti për incidencë te femrat, pas atij të gjirit dhe i treti për mortalitet. Ndërkohë që sipas studimeve të ISHP-së, zona e Shkodrës, Lezhës dhe Tropojës regjistrojnë një numër të madh rastesh.