E Diel, 1 Nëntor 2026

Maturantët nga jashtë, si do garojnë për në universitet

MASH: Afati deri më 15 prill. Gjuha shqipe, kusht për në shkollat e larta.

Gjuha shqipe do të jetë kushti kryesor për të gjithë ata maturantë që mbarojnë jashtë dhe që duan të vazhdojnë shkollën e lartë në Shqipëri. Një komision i posaçëm pranë Ministrisë së Arsimit do të shqyrtojë kërkesat e kandidatëve. Nga sa ka vendosur ky dikaster çdo nxënës duhet të paraqesë pranë komisionit të posaçëm, nga data 1 deri më 15 prill, një dosje me një sërë dokumentesh. Ajo duhet të përmbajë kërkesën me shkrim, për të vazhduar një program studimi në IAL. Po kështu, kandidati duhet të dorëzojë dëftesë origjinale, së bashku me listën e notave të të gjitha viteve të shkollës së mesme, kopje e noterizuar e pasaportës ose e kartës së identitetit. Pranë komisionit duhet të dorëzohet edhe dokumenti zyrtar nga vendi që vjen, i cili vërteton se cikli i studimeve të kryera nga shtetasit shqiptarë në atë vend dhe profili i shkollës së mesme që kanë përfunduar, u japin të drejtën të vazhdojnë studimet universitare ose shkolla të larta jo-universitare në vendin ku kanë studiuar, thuhet në udhëzim. Kur komisioni e vlerëson se kandidatët nuk kanë dhënë provime ekuivalente me Maturën Shtetërore, atëherë ata duhet ti rijapin ato. Kandidatët duhet të japin si provime të detyruara Gjuhën shqipe e Letërsinë dhe Matematikën, ose një nga gjuhët e huaja të listës së lëndëve me zgjedhje, e konceptuar sipas standardit të testit të Gjuhës shqipe dhe Letërsisë (D1), si dhe provimet me zgjedhje, thuhet në udhëzimin e Ministrisë së Arsimit. Sipas tij, zotërimi i gjuhës shqipe vërtetohet nëpërmjet dëshmisë së provimit, që zhvillohet mbi bazën e programit për të huajt pranë Fakultetit të Histori-Filologjisë në Universitetin e Tiranës. Sipas tij, kandidatët do të kenë afat deri në maj për të dhënë provimin e gjuhës. Nga ky detyrim do të përjashtohen të gjithë ata shtetas, të cilët kanë vazhduar studimet në shkollat e mesme që kanë program mësimor në gjuhën shqipe, ose ata shtetas që e japin gjuhën shqipe dhe letërsinë si provim të detyruar të Maturës Shtetërore. Ky grup maturantësh duhet të plotësojë gjithashtu formularin A2. Ky formular pritet të plotësohet online. Sipas këtij dikasteri, në formularin A2 do të caktohen 10 preferencat për degët ku duan të studiojnë maturantët në shkollat e larta. Jemi në fazën intensive të realizimit të kontratës dhe shumë shpejt mund të fillojë aplikimi për këtë kontratë, moduli online për Maturën Shtetërore, aplikimi online. Në të ne kemi të dhënat njëherësh dhe në kohën e duhur, kanë sqaruar specialistët e MASH.

Datat e provimeve
Provimi i Letërsisë dhe Gjuhës shqipe është i pari që do të japin rreth 34 mijë maturantë. Në të gjithë vendin është caktuar data 2 qershor për të marrë pjesë në testim. I dyti me detyrim është Matematika. MASH ka vendosur që këtë vit ky provim të jepet më datë 16 qershor. Lëndët me zgjedhje do të jepen më 30 qershor. Sa u përket shkollave profesionale, provimet do të jepen në të njëjtat data si vitin e kaluar.

Si do jenë testet
Testi për secilin nga provimet e detyruara përmban 25 pyetje, nga të cilat 13 kërkesa janë me përgjigje alternative. Ato vlerësohen me nga një pikë secila. Pyetje me zhvillim do të jenë 12, të cilat vlerësohen në total me 37 pikë. Testi për secilin nga provimet me zgjedhje do të përmbajë 20 pyetje, nga të cilat 10 pyetje janë me përgjigje alternative dhe vlerësohen me nga një pikë secili dhe 10 pyetje janë me zhvillim, të cilat vlerësohen në total me 30 pikë, ka vendosur MASH. Të dyja provimet e detyruara do të zgjasin 2 orë 30 minuta secila. Provimet me zgjedhje zgjasin 3 orë. Maturantët do të kenë në dispozicion nga 1 orë e 30 minuta për të zgjidhur pyetjet për secilën lëndë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›