E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pekini, mbështetje Tiranës për projektet e Bashkisë

Basha dje pas takimit me anëtarin e Byrosë Politike të Partisë Komuniste të Kinës, Liu Çi

Kryebashkiaku Basha ftoi dje investitorët kinezë të bëhen pjesë e projekteve strategjike në Tiranë. Ai priti në një takim anëtarin e Byrosë Politike të Partisë Komuniste të Kinës, Liu Çi dhe delegacionin që e shoqëronte në përbërje të të cilit ishte edhe nënkryetari i Bashkisë së Pekinit, përgjegjës për transportin, ekonominë e tregtinë dhe sekretarin i Përgjithshëm i Bashkisë së Pekinit. Basha e njohu delegacionin kinez me prioritetet e tij për ta bërë Tiranën një qytet të zhvilluar për të rritur punësimin dhe përmirësuar cilësinë e jetës. Kryetari i Bashkisë së Tiranës u shpreh i gatshëm që edhe në bashkëpunim me qeverisjen qendrore të krijojë të gjitha lehtësitë e nevojshme për biznesin kinez që dëshiron të investoje në Tiranë. Mundësitë për të investuar në Tiranë janë të shumta, tha Basha, i cili bëri edhe një prezantim të projekteve strategjike. Sipas tij, ekspertët më të mirë të urbanistikës shqiptare janë drejt përfundimit të planit urbanistik. Kryetari i Bashkisë i njohu dhe me konkursin për bulevardin e ri dhe lumin e Tiranës, ku morën pjesë 7 studio të njohura në mbarë botën në fushën e arkitekturës. Basha i ka njohur edhe me projektin e tramit dhe të terminalit të ri multimodal. Kontributi i Kinës në realizimin e këtyre projekteve është i mirëpritur, tha zoti Basha, sikundër nxiti edhe kompanitë kineze të bëhen pjesë e realizimit të këtyre projekteve, një pjesë e të cilave do të bëhen në partneritet publik privat. Qytetet kineze kanë një eksperiencë të madhe të nderuar me çmime botërore në fushën e gjelbërimit dhe zhvillimit urban, tha Basha. Anëtarin e Byrosë Politike të Partisë Komuniste të Kinës dhe Sekretar i Parë i Partisë për Pekinin, zotin Liu Çi, e ka konsideruar shumë të rëndësishem shkëmbimin e vizitave reciproke mes drejtuese të dy bashkive të cilat janë qendrat më të mëdha politike, ekonomike dhe kulturore të dy vendeve. Zoti Çi tha se mes Tiranës dhe Pekinit ka mundësi të mëdha për të bashkëpunuar në fushën ekonomike dhe tregtare. Ai u angazhua për të inkurajuar kompanitë kineze që të shfrytëzojnë potencialet që ofron Shqipëria dhe veçanërisht Tirana. Ai nënvizoi se do të shqyrtohen të gjitha projektet e zhvillimit të parashtruara nga zoti Basha, duke konsideruar mundësitë e financimit të tyre. Një mundësi e mirë për të promovuar potencialet që ofron Shqipëria do të jetë edhe vizita që do të zhvillojnë në Shqipëri në muajin maj një grup prej 100 kompanish kineze.

100 kompani kineze në Shqipëri
Një grup prej 100 kompanish kineze në maj të këtij viti do të vizitojnë Shqipërinë. Gjithçka u bë me dije dje gjatë takimit që Kryeministri Berisha pati me anëtarin e Byrosë Politike të Partisë Komuniste të Kinës dhe Sekretar i Parë i Partisë për Pekinin, zotin Liu Çi. Ai nënvizoi se të dyja vendet duhet të zhvillojnë me prioritet marrëdhëniet ekonomike dhe se qeveria kineze do të krijojë lehtësi për kompanitë dhe produktet shqiptare. Ai u shpreh gjithashtu se do të inkurajojë kompanitë kineze me reputacion që të shfrytëzojnë potencialet që ofron ekonomia shqiptare. Në këtë kuadër, ai u shpreh se zyrtarët midis dy vendeve duhet të studiojnë të gjitha projektet e zhvillimit dhe mundësitë për financimin e tyre, si dhe shprehu interes për krijimin e një zone të lirë për investimet kineze. Berisha e konsideroi këtë vizitë si një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e marrëdhënieve miqësorë, midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Popullore të Kinës. Ai konstatoi me kënaqësi nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve miqësore midis dy vendeve në të gjitha sferat, si dhe faktin se këto marrëdhënie njohin rritje dhe konsolidim nga viti në vit. Kryeministri Berisha vlerësoi se Partia Komuniste Kineze dhe Partia Demokratike e Shqipërisë kanë qenë dhe janë promotorët e zhvillimit epokal në të dyja vendet tona. Kryeministri u shpreh se marrëdhëniet shumë të mira midis PD-së dhe PKK-së janë themel i shkëlqyer për stadin e larte të marrëdhënieve dypalëshe dhe zhvillimin e tyre të mëtejshëm. Kryeministri Berisha shprehu gatishmërinë për forcimin e marrëdhënieve në të gjitha fushat, si ato politike, institucionale ekonomike, kulturore etj.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›