E Diel, 1 Nëntor 2026

Kandic: Drejtësia normalizon raportet Kosovë - Serbi

BEOGRAD- "Tani duhet klimë, në të cilën, përmes së vërtetës dhe drejtësisë mbi të kaluarën, mund të ndërtohen raporte normale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë", ka thënë për Radio Evropa e Lirë, Natasha Kandic, drejtore e Fondit për të Drejtën Humanitare.

Sa i përket vullnetit politik në Beograd për të bashkëpunuar me Kosovën dhe vendet e rajonit në këtë çështje, drejtoresha ekzekutive e Fondit për të Drejtën Humanitare shtoi se “është me të vërtetë një çështje e ndjeshme. Po, ne nuk kemi marrëdhënie ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe kjo prodhon pyetjen se si mund të ketë marrëdhënie ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, kur Serbia nuk e njeh Kosovën.”

“Mendoj se ideja mbi krijimin e një komisioni rajonal mund të ndihmojë në vendosjen e marrëdhënieve. Tani i kemi hetimet mbi vendin e krimit të Qyshkut në Beograd dhe jam e sigurt se pas kësaj do të lëshohet padia kundër më shumë se 15 autorëve. Por, neve na duhet më shumë. Neve na duhet klima, në të cilën, përmes së vërtetës dhe drejtësisë mbi të kaluarën, mund të ndërtohen raporte normale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Kandic.

E pyetur nga REL se a duhet të ketë një presion ndërkombëtar mbi Serbinë, kur bëhet fjalë për luftërat në Ballkan, e veçanërisht rreth Kosovës dhe a mendoni se Brukseli mund të luajë një rol në këtë, Kandiq u përgjigj:
“Po, në dhjetorin e vitit të kaluar, ne organizuam një prezantim mbi këtë iniciativë në Bruksel dhe Komisioni Evropian, veçanërisht departamenti për Ballkanin, na mbështeti shumë.

Përfaqësuesit dhe anëtarët e Komisionit Evropian e kuptuan shumë mirë se sa është e rëndësishme për një shoqëri që t’i mbajë kujtimet mbi luftën, që të përpiqet të ndërtojë kujtimet mbi viktimat dhe që të përpiqet të krijohet një klimë, në të cilën të gjitha viktimat do të respektohen”, duke shtuar se ky presion duhet të ngrihet edhe në nivel politik.

“është shumë herët të flitet për këtë gjë, sepse tani na duhet një mbështetje e madhe e shoqërisë civile dhe duhet të shohim kapacitetin e shoqërisë civile karshi qeverive. Kjo do të bëhet më e qartë në vitin e ardhshëm, kur do të organizojmë një fushatë për të mbledhur 1 milion nënshkrime dhe atëherë do të kemi nevojë për presionin dhe mbështetjen e Bashkimit Evropian”, ka përfunduar Natasha Kandic.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›