Kandidat për postin e xhelatit
Henri MICHAUX
U pendova më pas
Duke parë dobësinë e krahut tim, s’do të kisha mundur kurrë të isha xhelat.
Asnjë qafë s’do të kisha prerë ashtu siç duhet, dhe as në ndonjë mënyrë tjetër. Në duart e mia, arma do të kishte ngecur jo vetëm në pengesën perandorake të kockës, por edhe në muskujt e qafës së atyre burrave të stërvitur për beteja, për luftë.
Një ditë, megjithatë, erdhi për të vdekur një i dënuar me qafën aq të bardhë e të brishtë, saqë u kujtuan për kandidaturën time në postin e xhelatit; ma prunë të dënuarin pranë portës dhe ma dhanë ta vras.
Meqë qafa e tij ishte gjatoshe e delikate, mund t’ia prisja si një fetë buke. Sakaq i rashë më të, ishte vërtet joshëse. Sidoqoftë refuzova njerëzisht, gjithë duke falënderuar.
Më pas u pendova menjëherë për shkagimin tim; por ishte shumë vonë, tashmë xhelati i zakonshëm po ia priste kokën.
Ai ia preu si rëndom, ashtu si çdo kokë tjetër, duke ndjekur ritin e vet të prerjes së kaptinave, shpërfillës, pa vënë re as ndryshimin.
Atëherë mua më erdhi keq, më mbeti hatri dhe i vura faj vetes, siç kisha bërë, siç kisha refuzuar, shpejt, i nervozuar e gati pa e kuptuar.
Punët e Sizifit
Nata është një hapësirë e madhe kubike. E qëndrueshme. Skajshmërisht e qëndrueshme. Grumbuj muresh që, në të gjitha kuptimet, ju vënë caqe, pra dëshirojnë t’ju vënë sinore. Gjë që nuk duhet lejuar.
UNË nuk dal prej andej.
Por, prapë, sa pengesa kam përmbysur tashmë!
Kubetë e forta që formohen sipër meje, ngaqë bëhen të pranishme, i rrah me çekiç, i shtyp me tokmak, i hedh në erë, i shpërthej, i çaj, por gjenden gjithmonë të tjera prapa tyre. Me çekiçin tim që s’lodhet kurrë, u jap goditje të atilla, sa do të shembnin një mamuth, po të gjendjej ende një i tillë. Por atje has vetëm kubè, kubè kokëngjeshura, edhe pse duhen copëtuar e rrënuar.
Bëhet fjalë pastaj për të qëruar atë vend të përmbytur nga kërndi që fsheh ç’vjen përtej, por nuk zbuloj dhe aq shumë, sepse e kam të qartë se ka akoma një kubè më tutje, më lart, e cila duhet rrëzuar gjithashtu.
Gjërat e forta nën vete nuk më angushtojnë më pak, pengesa që s’mund e që s’duhet t’i duroj, lëndë të së njëjtës masë të madhe të urryer, ku qeshë vendosur për rrotje.
Me goditje kazme e shkallmoj, pastaj shkallmoj vijuesen.
Nga bimsa në bimsë gjithmonë zbres, duke çarë kubetë, duke shkulur pajandrat.
Zbres i patronditur, i palodhur nga zbulimi i bimsave të pafund, numrin e të cilave ka qyshkur që kam reshtur së numëruari, por gërrmoj, gërrmoj gjithnjë derikur, pas një pune të pamatë, detyrohem të ngjitem lart për të sjellë ndërmend drejtimin nga duhet të shkoj, sepse ka raste që përfundoj, duke gërrmuar, në ligavec.
Por, si mbërrij sipër, detyrohem të zbres prapë, i thirrur nga pafundësia e qilareve që më presin për t’i prishur.
Zbres pa bërë kujdes për gjë, me hapa gjiganti, zbres shkallë si ato të shekujve dhe, më në fund, përtej shkallëve i turrem greminës së gërrmimeve të mia, më shpejt, më vrulltaz, gjersa mbështetem mbi pengesën e fundit, në çastin e fundit, dhe i vihem përsëri punës të sheshoj me një furi të re, të sheshoj, të sheshoj, duke gërrmuar në masën e mureve që nuk kanë fund e që më ndalojnë të nisem me këmbë të mbarë.
Por kjo gjendje, një ditë, ndoshta do të ndryshojë.
Statujat e mia
Unë kam statujat e mia.
M’i kanë lënë shekujt trashëgim; shekujt e pritjes, shekujt e brengave, shekujt e pakufishmërisë, e shpresës sime të pamposhtur i kanë bërë. Dhe tash ato janë atje.
Meqë janë mbeturina antike, kurrë s’e kam marrë vesh se çfarë përfaqësojnë.
Zanafilla e tyre më është e panjohur dhe më humbet në natën e jetës, ku vetëm format u kanë mbetur nga shuarja e paepur.
Por ato janë atje, dhe mermeri u forcohet çdo vit e më shumë, duke zbardhur mbi sfondin e errët të pirgjeve të harruara.
Përktheu Alket Çani
18 Shkurt 2008