E Diel, 1 Nëntor 2026

Mehmet Shehu: “Jemi gati të vendosim marrëdhënie me SHBA-të”

Kryeministri shqiptar flet për herë të parë për një media amerikane në vitin ‘57 . Takimi në zyrën e tij dhe ftesa për rifillimin e bisedimeve mes dy vendeve
Harrison E. Salisbury

Kryeministri i Shqipërisë, Mehmet Shehu, drejtoi një apel të dyfishtë sot për rivendosjen e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane dhe denoncoi në mënyrë të hidhur politikën e Eisenhower-Dulles (presidenti dhe sekretari amerikan i Shtetit në vitin 1957, - shën. red.) ndaj Europës Lindore. Goditja e Mehmet Shehut u bë sigurisht përmes një interviste të dhënë në godinën zyrtare të qeverisë. Intervista arriti kulmin në turin njëjavor të korrespondentit (të “The New York Times”, - shën. red.) në vizitën e parë të një gazetari amerikan pas 10 vitesh, në vendin e vogël të Ballkanit. Kjo ishte intervista e parë e dhënë nga kryeministri shqiptar për një gazetar amerikan. Shqipëria komuniste, një vend me shumicë myslimane, shtrihet përgjatë detit Adriatik, kufizohet nga Jugosllavia dhe Greqia dhe është pjesë e Bllokut Komunist. Shtetet e Bashkuara i ndërprenë marrëdhëniet zyrtare me Shqipërinë në vitin 1946.
Kryeministri kryen edhe detyrën e presidentit të vendit në mungesë të Enver Hoxhës, kryetar i Partisë Komuniste, i cili është për pushime në Bashkimin Sovjetik. Zoti Shehu këmbëngul në mënyrë të fuqishme se qeveria e tij dëshiron të normalizojë marrëdhëniet jo vetëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe me vendet e tjera Perëndimore. Megjithatë, ai e shoqëron qëndrimin e tij me një akuzë për politikën amerikane, gjuha e së cilës ishte reminishencë e sharjeve të “Luftës së Ftohtë”. Ai akuzoi Shtetet e Bashkuara se janë përpjekur në mënyrë të vazhdueshme për të përmbysur regjimin shqiptar, me ndërhyrje të përhershme në punët e brendshme të shqiptarëve dhe me “qëllimin për të përmbysur regjimin popullor dhe rivendosur regjimin e vjetër të pronarëve dhe kapitalistëve”. Kryeministri këmbënguli se “Shtetet e Bashkuara kanë dërguar persona brenda në Shqipëri që të bëjnë spiunazhe, sabotim dhe vrasje”. Ai tha se Shtetet e Bashkuara u kanë ofruar azil shqiptarëve që ishin “stërvitur ushtarakisht” me qëllimin për të përmbysur pushtetin në Shqipëri. Ai akuzoi presidentin Eisenhower se kishte marrë një pozicion të papajtueshëm me parimet e Kombeve të Bashkuara, ku deklarohej se “çlirimi paqësor i popujve të skllavëruar të Europës Lindore është një ndër parimet kardinale të politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara”. Zoti Shehu u përgjigj se nëse sekretari Amerikan i Shtetit, Duller, dëshiron një Shqipëri të lirë nga populli shqiptar, nuk ka pse shpall se “qeveria e Shteteve të Bashkuara nuk do t’u japë fund qëllimeve të saja derisa të shohë Shqipërinë e lirë”.
Replika të shkruara
Gjuha e udhëheqësit shqiptar ishte në formën e përgjigjeve të përgatitura me shkrim për çështjet e parashtruara më parë nga ky korrespondent. Duke folur që përtej tavolinës së gjerë të zyrës së tij, të mobiluar thjesht, në katin e dytë të ndërtesës së qeverisë, zoti Shehu zbuti pedalin negativ dhe u shpreh pozitivisht. Kryeministri 44-vjeçar që pasoi Enver Hoxhën në korrikun e vitit 1955, është “një kujdestar i kryqëzuar”, por një njeri gojëmbël”. Fjalët e para të tij për korrespondentin ishin: “OK. Hoë are you (Dakord. Si jeni ju? - shën. red.) Ai fliste në mënyrë të shkëlqyer anglishten idiomatike, falë edukimit të tij në shkollën amerikane në Tiranë, në të cilën ishte diplomuar në vitin 1932. Teksti i intervistës së sotme do të jetë i publikuar ditën e nesërme në mëngjes në gazetën partiake “Zëri i popullit”. Një numër pyetjesh që iu drejtuan zotit Shehu ngritën çështje që nuk janë debatuar publikisht në Shqipëri; statusi i vendit si një “satelit” (i Bashkimit Sovjetik, - shën. red.), progresi në çmitizimin e Stalinit, marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik, politika e jashtme e Shqipërisë dhe roli i rusëve në udhëheqjen e forcave të armatosura. Këto çështje ishin klasifikuar nga zoti Mehmet Shehu si ndërhyrje të shpifura dhe të shpërndara qëllimisht vetëm nga një grusht njerëzish që ushqejnë ndjenja armiqësie kundër vendit tonë dhe dëshirojnë të prishin marrëdhëniet ndërkombëtare”.
Zoti Shehu refuzoi që Shqipëria ishte në çdo sens një satelit i Bashkimit Sovjetik. Ai përmendi si shembuj të regjimeve satelite Guatemalën, Tajvanin (Formosa) dhe Korenë e Jugut, të cilat janë në miqësi të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Tirana është një qytet me rreth 100 mijë banorë, ndërsa popullsia në gjithë vendin përllogaritet në rreth 1.3 milionë. Banorët e qytetit janë mësuar të ngrihen herët dhe zyrtarët e qeverisë e nisin punën në 7 të mëngjesit. Kur zoti Shehu e mori korrespondentin në 8 të mëngjesit, ai tashmë ishte këshilluar me Haxhi Lleshin, që ishte President i Kuvendit Popullor si dhe titullari numër një i shtetit (presidenti, - shën. red.)
Zoti Shehu, i cili ishte veshur me një kostum bojë hiri, me një këmishë të bardhë dhe një kravatë të mëndafshtë, me vija të bardha dhe blu, e hapi diskutimin me deklaratën se Shqipëria dëshiron të ketë “marrëdhënie të mira me të gjitha vendet, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara. Ju jeni plotësisht të lirë që të shkruani si t’ju pëlqejë”, - tha ai. Sigurisht që ne do të dëshironim që ju të shkruani në mënyrë objektive. Por ne nuk presim nga ju që ta shfaqni publikisht se jeni simpatizues i Shqipërisë komuniste; ashtu siç edhe ju nuk prisni nga ne që të jemi simpatizues të Amerikës kapitaliste”.
Pastaj, zoti Shehu dha një panoramë, të cilën ai e quajti “realitetet objektive të Shqipërisë që nuk mund të hidhen poshtë”. Në këtë panoramë ai përmendi përparimin që Shqipëria kishte bërë në bujqësi dhe industri. Ai theksoi se populli dhe udhëheqja janë të bashkuar në objektivat e tyre dhe në vendosmërinë e tyre që të mbështesin “paqen dhe progresin”.
SHBA akuzohet për përmbysje
“Ne nuk kemi ndër mend që të sulmojnë askënd, e veçanërisht, Amerikën”, - tha ai, teksa vinte buzën në gaz. Në anën tjetër ai tha se “qindra e miliona dollarë shpenzohen nga qeveritë e Shteteve të Bashkuara që të përçojnë punën armiqësore në radhët e demokracive popullore, përfshirë edhe Shqipërinë, por nuk ia kanë arritur në Shqipërinë”. Duke dhënë opinionin e tij, ai tha se nuk ekzistojnë pengesa që të rifillojnë marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, dhe janë në pritje të palës amerikane. “Këtu kanë qenë dy perde, - tha ai, - njëra është perdja prej hekuri që rrethon Shtetet e Bashkuara dhe tjetra perdja prej druri që na rrethon ne. Tani ju duhet të bëni perden tuaj prej druri dhe ne ta bëjmë perden tonë prej letre”. Kur ai tha se mund të pranohet lehtësisht një politikan i Shteteve të Bashkuara dhe madje dha shembuj të ngjashëm si ai i guvernatorit të Pensilvanisë, George M. Leader, zoti Shehu qeshi në një mënyrë dyshuese: “Imagjinoni, - ne që jemi në polet kundërshtare të globit, - dhe ai përpiqet të ndërtojë kapitalizmin dhe ne komunizmin”. Zoti Shehu i kërkoi korrespondentit të japë përshtypjet e tij pas një jave vëzhgimi në Shqipëri dhe foli në mënyrë të kujdesshme për çdo qëndrim.
Gjithashtu ai theksoj se paralajmërimi i korrespondentit, që këtu kishte pasur kufizime në shumë vëzhgime dhe se nuk do të jetë dakord me shumë prej tyre, por do t’i shikojë si të paanshme, zoti Shehu ra dakord se kjo do të respektohet, duke këmbëngulur se Shqipëria shpreson që shumë gazetarë nga Perëndimi të vijnë tani këtu dhe t’i shohin gjërat konkretisht. “Në parim, dyert tona janë të hapura për gazetarët nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera, që ata të vijnë kur të dëshirojnë”, - tha ai. Shehu u shpreh se Shqipëria do të dëshironte që të dërgojnë gazetarë në të gjitha vendet e tjera, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Shkrimi është publikuar në “The New York Times” më 28 gusht 1957
Titulli është redaksional
Përgatiti: Albert Gjoka

Në numrin e së martës do të lexoni:

Shehu: Nuk jemi shtet satelit i Rusisë

Gazetari amerikan bisedon me kryeministrin shqiptar për sistemin ligjor dhe policor, si dhe për domosdoshmërinë e ndryshimeve

Ai hedh poshtë pretendimet e perëndimorëve në lidhje me rolin e ushtrisë ruse në Shqipëri dhe uzurpimin e vendit

Shehu fton gazetarët dhe turistët amerikanë që të vijnë e të vizitojnë shtetin e izoluar komunist në Europën Lindore

Për më shumë, na ndiqni në numrin pasardhës

18 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›