Thatësira kërcënon Gadishullin Iberik
Bujqësia pret mangësi në të korra. Në thellësi të vendit është reduktuar përdorimi i ujit, qytetet e mëdha në breg po furnizohen me ujë të pijshëm. Guri rrokulliset mbi rezervuar, por ai bie në një pellg të mjerë. “Kaq keq nuk ka qenë kurrë më parë”, - thotë një bujk, që qëndron në buzë të një rezervuari uji në verilindje të Spanjës. Sytë e tij kërkojnë qiellin, por aty nuk ka asgjë tjetër, veç kaltërsisë rrezatuese. Në qiell nuk duket asnjë shenjë reje. U bë gati një vit e gjysmë që këtu nuk po bie shi. Kur mbushet rezervuari përgjysmë është festë. Në shumë zona të tjera mezi mblidhet vetëm një e pesta e sasisë së nevojshme të ujit. Pasojat shtrihen që nga Veriu më i largët e deri në Jugun e thellë të Spanjës, shpjegon Haime Palop (Jaime Palop) nga Ministria e Ambientit. “Thatësira ka prekur të gjithë harkun mesdhetar të Katalanjës deri në Algericas, shtratin e lumit Gadalkibir (Guadalquivir), pjesën e sipërme të Tahos (Tajo) dhe pjesë të shtratit të Deueros". Në të gjitha këto rajone po bën thatësira më e madhe që prej 80 vjetësh. Bujqit po përpiqen tani të paktën që të shpëtojnë frutat ose të mbjellin bimë që kërkojnë më pak ujë. Megjithatë, që tani ata janë të shqetësuar për të korrat në verë. Sepse edhe ai pak ujë që është ndahet nga qeveria mbi bazën e rregullave të rrepta, thotë ministrja e Mjedisit, Kristina Narbona. “Me kërkesë të organeve ujore Ministria jonë do të marrë një pako masash të posaçme", - sqaron ajo. Aty përfshihet zvogëlimi e numrit të licencave për ujitjen e tokave, shumë plantacione do të duhet të mjaftohen me gjysmën e ujit dhe ta paguajnë atë shtrenjtë, sepse ky ujë vjen nga impiantet e shkripëzimit të ujit të detit, dhe kjo kushton. Pishinat dhe shatërvanët do të mbeten të zbrazëta për njëfarë kohe larja e makinave do të ndalohet. Në këtë mënyrë, qeveria përpiqet të garantojë të paktën furnizimin me ujë të pijshëm për popullsinë. Dega e turizmit ka filluar të shqetësohet që tani për pushuesit, të cilët kurrsesi nuk duhet ta ndiejnë thatësirën. Përjashtim këtu bën Majorka, ishulli i pasur me hotele, resurse dhe reshje të bollshme për këtë vit.
18 Shkurt 2008