Shqipëria, përmirësim raportesh me Athinën, Romën dhe Beogradin
Intervistë e kryeministrit Mehmet Shehu me rastin e Vitit të Ri 1957. Reformat ekonomike në vend dhe raportet me Greqinë dhe Italianë. Ekskluzive për Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH)
Pyetje: Cilat janë rezultatet e arritura nga populli shqiptar gjatë vitit 1956 në fushën e ekonomisë kombëtare dhe të marrëdhënieve me vendet e tjera?
Përgjigje: Në përpjekjet krijuese të popullit tonë për ndërtimin socialist të vendit, viti 1956, viti i parë i planit të dytë pesëvjeçar, mund të konsiderohet si një vit i suksesesh të rëndësishme në zhvillimin e ekonomisë kombëtare, në ngritjen e mëtejshme të gjendjes ekonomike, të nivelit kulturor të popullit, në forcimin e mëtejshëm të gjendjes së brendshme dhe të pozitës ndërkombëtare të Republikës sonë Popullore. Kongresi III i Partisë sonë, që u mbajt në maj të vitit 1956, shënoi fillimin e një etape të re në ndërtimin socialist të vendit tonë, duke i hapur perspektiva të mëdha popullit me aprovimin e direktivave të planit të dytë pesëvjeçar. Në bazë të të dhënave paraprake, plani i prodhimit të përgjithshëm industrial në vitin 1956, realizohet dhe arrin 107% në krahasim me vitin 1956. Në vitin 1956 planit të prodhimit të degëve kryesore të industrisë parashikohet që të jetë: industria e naftës rreth 131 për qind, industria e qymyrgurit 114 për qind, industria e kromit 110 për qind, industria elektrike 121 për qind, industria e materialeve të ndërtimit 151 për qind, industria e lehtë 101 për qind, industria ushqimore 126 për qind etj. Të gjitha këto degë të industrisë e tejkalojnë planin e vitit 1956. Viti 1956 shënon një përmirësim të dukshëm të cilësisë së prodhimit industrial dhe zgjerimit të asortimenteve të artikujve industrialë, si dhe rezultate të rëndësishme në rritjen e rendimentit të punës dhe në uljen e kostos. Rezultate të rëndësishme janë arritur edhe në fushën e zhvillimit të bujqësisë. Sipërfaqja ndënë kulturë në vitin 1956 është rritur 3 për qind më tepër se ajo e vitit 1955. Viti 1956 shënon kthesën në drejtim të zgjerimit të kolektivizimit të bujqësisë. Kështu, në qoftë se në fund të vitit 1955 ne kishim 318 kooperativa bujqësore që përfshinin rreth 13 për qind të sipërfaqeve të mbjella të Republikës. Por duhet përmendur se prodhimi bujqësor në vitin 1956 nuk u realizua plotësisht në bazë të planit, sidomos prodhimi i drithërave dhe prodhimi i pambukut, kryesisht nga shkaku i kohës së keqe. Plani i ndërtimeve në vitin 1956 parashikohet të tejkalohet. Këtë vit përfundoi ndërtimi i një seri objektesh të rëndësishme, si rafineria e naftës, kombinati i konservimit të peshkut dhe frutave, tri fabrika të konservimit të frutave dhe perimeve, sistemimi i lumit të Gjadrit, rikonstruksioni i disa uzinave dhe fabrikave etj. Si rezultat i zhvillimit të industrisë, bujqësisë dhe sektorëve të tjerë të ekonomisë popullore, është përmirësuar furnizimi i popullit me mallra të konsumit të gjerë. Kështu, këtë vit i janë shitur popullit më shumë se në vitin 1955; mish dhe peshk rreth 15 për qind, fasule dhe oriz 18 për qind, djathëra 13 për qind, sapun 4 për qind, këpucë dhe opinga 6 për qind etj. Partia dhe qeveria, gjatë vitit 1956, morën një seri masash të rëndësishme për ngritjen e mirëqenies së masave punonjëse. U zbatua me sukses heqja e sistemit të triskëtimit për artikujt industrialë qysh në fillim të vitit 1956. Gjithashtu gjatë po këtij viti u ulën çmimet dy herë; një herë në muajin prill dhe herën tjetër në nëntor. Sot shumë artikuj industrialë që kanë të bëjnë me veshmbathjen e fëmijëve, kanë një çmim më të ulët sesa kishin në tregun e garantuar përpara se të hiqej sistemi i triskëtimit. Duke filluar nga 1 janari i vitit 1957, ngrihen pagat e ulëta dhe pensionet e ulëta dhe nga kjo masë punonjësit do të përfitojnë 350 milionë lekë në vit. Rezultate të mira janë arritur gjatë vitit 1956 edhe në lëmin e zhvillimit të arsimit e kulturës dhe të ruajtjes së shëndetit të popullit. Të gjitha këto rezultate janë arritur në sajë të udhëheqjes së drejtë të partisë sonë, në sajë të patriotizmit të lartë të masave punonjëse të vendit, në krye të të cilave qëndron klasa punëtore, janë arritur në sajë të përmirësimit të dukshëm të metodës ekonomike, shtetërore dhe të partisë, janë arritur në sajë të ndihmës bujare të Bashkimit Sovjetik, të Kinës popullore dhe të vendeve të demokracisë popullore. Gjatë vitit 1956, si rezultat i zbatimit të politikës paqësore të qeverisë sonë, është forcuar pozita ndërkombëtare e Republikës sonë popullore. Vendi ynë sot ka marrëdhënie diplomatike me 20 shtete. Me 5 nga këto shtete, Republika e Hindusë, Republika e Egjiptit, Republika e Finlandës, Republika e Austrisë, Republika e Sudanit, marrëdhëniet diplomatike janë lidhur në vitin 1956. Gjatë vitit 1956 janë nënshkruar me shtete të tjera: 7 protokolle vjetore dhe një marrëveshje mbi bashkëpunimin tekniko-shkencor, 9 marrëveshje tekniko-tregtare vjetore dhe 2 marrëveshje tregtare për herë të parë, 8 plane vjetore dhe një marrëveshje për bashkëpunim kulturor, 2 marrëveshje mbi komunikacionin ajror, 4 marrëveshje ndërkombëtare ku merr pjesë edhe vendi ynë etj. Në vitin 1956 Shqipëria ndërkombëtare ka marrë pjesë në 15 konferenca ndërkombëtare, në tre panaire ndërkombëtare është zgjuar shkëmbimi i delegacioneve parlamentare, kulturore, tekniko-shkencore, me vendet që ndërtojnë socializmin. Vizita e delegacionit qeveritar të Koresë së Veriut në vendin tonë dhe vizitat e delegacionit tonë qeveritar në Mongoli dhe Kore, si edhe vizita e delegacionit të Partisë sonë në Kinë, me rastin e kongresit VIII të Partisë Komuniste të Kinës, i kanë forcuar shumë marrëdhëniet tona me vendet socialiste të Azisë. Në vitin 1956 Shqipëria mori pjesë për herë të parë në mbledhjet e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, si pjesëtare e kësaj organizate. Guri themeltar i politikës sonë të jashtme ka qenë dhe mbetet miqësia e pathyeshme e vendit tonë me Bashkimin Sovjetik dhe vendet e tjera të kampit të socializmit. Partia dhe qeveria jonë konsiderojnë se uniteti ideologjik i kampit të socializmit në bazë të vijës së përgjithshme të marksizëm-leninizmit, në qendër të të cilit qëndron eksperienca e Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, marksizëm-leninizmi në veprim është faktori vendimtar për zhvillimin e socializmit botëror dhe për ruajtjen e paqes. Viti 1956 ka qenë viti i përpjekjeve të qeverisë sonë për përmirësimin e marrëdhënieve me shtetet fqinj. Ne kemi bërë një seri përçapjesh për përmirësimin e marrëdhënieve me Greqinë. Por ne na ka habitur shumë fakti që ndërsa ne bëjmë të gjitha përçapjet e mundshme për të përmirësuar marrëdhëniet me Greqinë, duke e ditur se kjo është në interes të të dy popujve tanë dhe të paqes, rojet kufitare greke këto muajt e fundit i kanë intensifikuar provokacionet e tyre duke shkelur integritetin tonë tokësor dhe duke plagosur e vrarë rojet tona kufitare. Megjithatë, ne shpresojmë që qeveria greke t’u japë fund njëherë e përgjithmonë këtyre provokacioneve dhe marrëdhëniet midis vendeve tona të përmirësohen, në interes të të dy popujve. Marrëdhëniet tona me Italinë gjatë vitit 1956 janë përmirësuar me ritëm shumë të ngadalshëm. Këto marrëdhënie do të kishin ecur më tepër përpara se të tregohej gatishmëria e duhur nga qeveri Italiane. Përsa u përket marrëdhënieve tona me Jugosllavinë, dihet nga të gjithë se ne kemi bërë të gjitha përpjekjet për t’i zhvilluar dhe më tej pozitivisht këto marrëdhënie. Ka pasur një farë përmirësimi gjatë vitit 1956 në marrëdhëniet tona me Jugosllavinë, p.sh në përfundim një marrëveshje për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e piramidave të kufirit, një marrëveshje për komunikacionin ajror midis të dy vendeve, Shqipëria është vizituar nga gazetarë Jugosllavë, por marrëdhëniet tona nuk kanë ecur me ritmin e duhur. Kjo, natyrisht nuk ka ndodhur për fajin tonë. Ne dëshirojmë që marrëdhëniet tona me Jugosllavinë të përmirësohen vazhdimisht, në bazë të vijës që ka caktuar Kongresi III i Partisë sonë, në bazë të respektit reciprok të sovranitetit të secilit vend, në bazë të barazisë reciproke dhe të mos ndërhyrjes në punët e brendshme të njëri-tjetrit. Po të qe se qeveria jugosllave do t’i respektonte në praktikë këto parime të drejta kundrejt vendit tonë, parime të cilat ajo me fjalë i ka deklaruar disa herë, atëherë marrëdhëniet tona me Jugosllavinë do të na kishin ecur shumë më përpara. Ne jemi të vendosur për përmirësimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve tona me Jugosllavinë, por kurdoherë në bazë të parimeve të mësipërme. Qëndrimi i partisë dhe qeverisë sonë kundrejt ngjarjeve ndërkombëtare të vitit 1956, kundrejt çështjes së paqes, unitetit të kampit të socializmit dhe parimeve themelore të marksizëm-leninizmit, ka qenë i drejtë dhe kjo e ka forcuar unitetin e popullit tonë rreth Partisë dhe qeverisë.
Shkrimi është marrë nga gazeta “Bashkimi”, më datë 1 Janar të 1957-s
Titulli është redaksional
Përgatiti: Matilda Arapi
Në numrin e së martës do të lexoni:
Flet Mehmet Shehu për raportet me perspektivën e vendit
Cilat janë perspektivat për zhvillimin e Shqipërisë në fushën ekonomike dhe kulturore
Zhvillimi i marrëdhënieve me shtetet fqinje dhe vendet e tjera të Lindjes dhe Perëndimit
Përmirësimi i jetës ekonomike dhe rritja e të ardhurave për shtetasit e Republikës së Shqipërisë.
Për më shumë, na ndiqni në numrin pasardhës
18 Shkurt 2008