E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vullneti për jetën

Christopher JANAWAY

Ajo çka qëndron në bazë të funksionimit të trupit dhe e shpjegon atë, në të vërtetë ekzistenca e tij e përnjimendtë, është pikërisht ajo dukuri e drejtuar për kah jeta ose, siç e quan Shopenhauer-i, vullneti i tij për jetën. Përkthimi i zakonshëm i Ville zum Leben si ‘vullnet për jetën’ është i saktë nga ana linguistike, por ajo çka Shopenhauer-i ka në mend është diçka më gjithpërfshirëse; ky vullnet mishëron përpjekjen jo vetëm për të jetuar, por gjithashtu për të krijuar një jetë të re dhe për ta mbrojtur atë. Me fjalë të tjera, vetë jeta e jo të jetuarit është qëllimi i përbashkët i gjithë Vullnetit për jetën. Shopenhauer-i, me guxim, kërkon një hipotezë të vetme për të shpjeguar rrugët, nëpërmjet të cilave të gjitha format e jetës rriten, funksionojnë dhe veprojnë.
Është e thjeshtë të mendosh se ideja e ‘vullnetit për jetën’ është fiksuar gabimisht mbi idenë se në natyrë ekzistojnë ‘qëllimet’. Sidoqoftë, ndonëse Shopenhauer-i flet për përmbushje të ‘synimeve’ apo ‘qëllimeve’ nga modelet e sjelljes dhe mekanizmat e organeve të veçanta, ai nuk mendon se organizmat e gjallë ushqejnë ndonjë synim të caktuar, për arsyen e vetme se vullneti vepron ‘verbërisht’: “Ne e shohim menjëherë nga instikti dhe dhuntia mekanike e kafshëve që vullneti është aktiv edhe atëherë, kur nuk udhëhiqet nga ndonjë lloj njohurie... një zog që s‘është më shumë se një vjeç, nuk e ka nocionin e vezëve për të cilat ndërton folenë; merimanga e vogël nuk e ka nocionin e présë për të cilën thur pëlhurën; një milingonë nuk e ka nocionin e milingonës për të cilën gërmon një tunel për të parën herë... Bile edhe brenda organizmit tonë, i njëjti vullnet vepron në shumë mënyra dhe verbërisht; në të gjitha ato funksione të trupit tonë që nuk udhëhiqen nga njohja, në të gjitha proçeset jetësore dhe vegjetuese, në tretjen e ushqimit, qarkullimin e gjakut, sekretimin, rritjen dhe riprodhimin.”
Kështu, pavarësisht nga dukjet, Shopenhauer-i nuk dëshiron thjesht të kuptojë natyrën në kuptimin antropologjik të fjalës. Ndonëse ai na kërkon që ta interpretojmë botën, duke përdorur koncepte të aplikuara njëherë te vetja, nocioni i vullnetit për jetën jep një efekt që e çvlerëson atë lloj statusi special, i cili e ndan njerëzimin nga pjesa tjetër e natyrës.
Së pari, e njëjta forcë ‘e verbër’, që vepron kudo në natyrë, vepron edhe në trupat tanë: ne nuk jemi organizuar për të jetuar dhe për t`u riprodhuar të shtyrë nga ndonjë veprim i vetëdijshëm i vullnetit.
Së dyti, ekziston madje një vazhdimësi e ngushtë edhe ndërmjet vetë vetëdijes, vullnetit të qëllimshëm të veprimit njerëzor, funksioneve të ruajtjes së jetës dhe instikteve që veprojnë gjetiu. Në mënyrën se si kërkojmë partnerin dhe në kujdesin që tregojmë për trashëgimtarët, ne udhëhiqemi nga po të njëjtat instikte si kafshët e tjera. Pra, Shopenhauer-i i sheh mundësitë njerëzore për të perceptuar, për të qenë të arsyeshëm dhe për të vepruar si një degëzim më të gjerë të të njëjtit parim, i cili drejton insektet për të ndërtuar foletë, zogjtë t`u dalin puplat dhe qelizat të ndahen.
Nga ky këndvështrim, vullneti për jetën, gati-gati, duket si një nocion largpamës.

* * *
Një tjetër tipar kyç është kundërshtimi i palëkundur i Shopenhauer-it ndaj gjithçkaje, ndërsa i qaset natyrës me një qëllim të jashtëm ose hyjnor. Edhe pse ky është një ‘vullnet i veçantë’, i cili e shpreh veten përmes shumanshmërisë së fenomenit në fjalë, kjo vërteton vetëm faktin se, në themel të gjithë këtyre sjelljeve, është e njëjta përpjekje e llojit me drejtim të përcaktuar. Të gjitha format e jetës rreken për kah jeta; por nuk ekziston qëllimi i bashkërenditur për kah natyra, aq më tepër ato veprime të paqëllimta e konflikte që zakonisht shkojnë bashkë me Darvinizmin. Shopenhauer-i përçmon ata ‘panteistë’ dhe ‘spinozistë’ që e konsiderojnë botën si hyjnore, por nuk kanë “as idenë më të vogël se përse ekziston e gjithë kjo tragji-komedi”.
Nga ana tjetër, beson se në botë specie të ndryshme të sendeve, me shpirt e pa shpirt, janë të përjetshme dhe të pandryshueshme. Nuk ekzistojnë vetëm individë, të cilët mund t`i klasifikojmë, si p.sh. milingonat, lisat apo fushat magnetike. Për më tepër, çdo individ i përket një lloji. Ato lloje që mund të ekzistojnë, janë të fiksuara. Kësisoj, ndërsa sendet e veçanta shkojnë e vijnë përgjatë rrjedhës së kohës, milingona apo pema e lisit, si lloj më vete, është një tipar i pandryshueshëm i realitetit empirik.

* * *
Shopenhauer-i përdor dy mënyra për ta shprehur këtë pikëpamje, mënyra që i përsërit vazhdimisht. Njëra është të thuhet se vullneti (sendi në vetvete) manifeston apo objektivizon vetveten në një seri nivelesh. Tjetra ka kuptimin se milingona dhe pema e lisit në vetevete janë Ide ose, siç e thekson shpesh ai, ’Ide (platonike)’. Njohuritë më të përshtatshme dhe objektive që mund të fitojmë, konsistojnë në natyrën e këtyre formave të qëndrueshme ‘të mbërthyera në natyrën e sendeve’. Kjo lloj njohjeje objektive nuk mund të mbështete në njohjen e sendit në vetvete në formën e tij të zhveshur, çka është e pamundur, por në njohjen e modeleve të pakohë të atyre sendeve, që mund t`i perceptojmë.
Paragrafi që pason, tregon më së miri se si e përdor Shopenheri-i doktrinën e tij të vullnetit dhe këndvështrimin mbi rendin e Ideve në natyrë: “Kudo në natyrë ne shohim luftën, përpjekjet dhe luhatjet për fitore... çdo nivel i objektivizimit të vullnetit lufton për materien, hapësirën dhe kohën e tjetrit... Ky konflikt universal mund të shihet më qartë në mbretërinë e kafshëve. Kafshët kanë mbretërinë vegjetative të të ushqyerit. Gjithashtu, pikërisht brenda kësaj mbretërie, çdo kafshë është pré dhe ushqim për një kafshë tjetër. Kjo do të thotë që materia, brenda së cilës Ideja e njërës kafshë manifeston vetveten, mund të mënjanohet për t`i hapur rrugën manifestimit të një tjetër Ideje, qyshse çdo kafshë mund ta përballojë vetë ekzistencën e saj vetëm nëpërmjet eliminimit të vazhdueshëm të kafshëve të tjera. Kështu, vullneti për jetën në përgjithësi kënaq vetveten dhe, në forma të ndryshme, është ushqim për vetveten, derisa më në fund raca njerëzore, për shkak se sundon mbi të gjithë të tjerat, i përket natyrës, si të qe shpikur enkas për t`u përdorur prej saj.”

Përktheu Albana Kozeli

18 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›