E Diel, 1 Nëntor 2026

Kabina elektrike rrezikon shembjen, fshati në errësirë

SHKODËR Banorët e fshatit Rrapshë të komunës Kastrat në rrethin e Malësisë së Madhe rrezikohen të mbeten në errësirë të plotë. Dhe kjo për shkak të dëmtimeve të shumta të së vetmes kabinë elektrike që bën shpërndarjen e energjisë elektrike në të gjithë fshatin me rreth 900 banorë. Por kjo kabinë është dhe pjesë e sistemit shpërndarës të energjisë elektrike të krejt zonës dhe mosfunksionimi i saj do sillte ndërprerjen e energjisë elektrike dhe për Kelmendin. Kjo kabinë e ndërtuar në vitet ‘70-të ka pësuar dëmtime të shumta në mure dhe në soletë, e cila në disa vende është duke rënë. Tulla të thyera e të shkëputura, soletë e thyer që është mbuluar me dërrasa apo pllaka llamarine, është ajo që vërehet në këtë kabinë. Kabina është ndërlidhëse mes komunës Kastrat e Këlmend dhe dalja jashtë funksionit e saj lë pa energji elektrike gjithë fshatin Rrapshë. Kabina, brenda së cilës kohët e fundit është vendosur dhe një transformator i ri, rrezikon të shembet në çdo moment. Sipas banorëve, ata kanë 5 vjet që e kanë ngritur zërin për këtë problem dhe u është thënë se KESI-i në Malësinë e Madhe ka gati preventivin për rikonstruksionin e kabinës, që është vetëm 2.5 milionë lekë të vjetra, por fondet mungojnë. Por me privatizimin e shpërndarjes duket se investimi në këtë objekt do jetë dhe më i largët. Kabina, e cila rrezikon të shembet, përbën rrezik për banorët që jetojnë aty, pasi ndodhet pranë rrugës automobilistike, si dhe për punonjësit e KESH-it që shkojnë aty për të riparuar defektet ndryshme, duke u dashur të hyjnë dhe brenda saj, ku ndonëse ka energji elektrike nuk mungon as lagështira që hyn nga soleta e thyer. Fran Marku , banor i fshatit Rrapshë shprehet se indiferentizmi është i tillë sa nuk kursen as jetë njerëzish e jo më lënien në errësirë të një fshati të tërë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›