E Diel, 1 Nëntor 2026

Kandidatët për Këshillin e PD-së kërkojnë publikimin e plotë të listës

Eljona Ballhysa
Kandidatët për Këshillin Kombëtar të Partisë Demokratike kërkojnë të njihen me të gjithë listën dhe renditjen në bazë të votave të marra nga secili nga delegatët e Kuvendit Kombëtar. Kjo kërkesë, sipas tyre, bëhet për t’u njohur me renditjen në listë dhe numrin e votave që kanë marrë. Sipas tyre, megjithëse nuk kanë rezultuar fitues, mund të jenë shumë pranë fitores në rast se ndonjë nga fituesit mund të marrë ndonjë post që i heq atij të drejtën për të aderuar në organe vendimmarrëse partiake.
Burimet bëjnë të ditur se zakonisht vendet që mbeten bosh në listë janë mbushur me firmë të kryetarit të partisë, pavarësisht se kujt i takonte e drejta për t’u përfshirë në Këshillin Kombëtar në bazë të numrit të votave që ka marrë. Për këtë arsye, kandidatët që kanë rezultuar humbës kanë kërkuar që të njihen me numrin e votave që ka marrë secili edhe për të vërtetuar se procesi nuk ka pasur manipulime.
Zgjedhjet
Këto dyshime, sipas burimeve, kanë lindur për shkak se nga zgjedhjet e fundit për Këshillin Kombëtar janë larguar shumë anëtarë të vjetër të PD-së me kontribute në këtë parti, por që shpeshherë janë cilësuar si kritikë të mënyrës së drejtimit të PD-së. Në listën e fituesve për Këshillin Kombëtar mungonin shumë ish-deputetë të PD-së që u lanë jashtë listave për shkak se mbajtën qëndrim individual në disa votime në Kuvend. Kështu, në listën e fituesve mungonte Aleksandër Biberaj, i cili madje ka paraqitur në Kuvend një projektstatut që cenonte një sërë kompetencash të kryetarit të partisë. Duket se kjo i vuri vulën përfundimtare përjashtimit të tij nga Këshilli. Po kështu, në listën fituesve mungonin disa ish-anëtarë të Këshillit, ish-deputetë që janë cilësuar si mbështetës të ish-nënkryetarit të PD-së, Bamir Topi. Të tillë janë Ndriçim Babasi, Pal Dajçi e Sali Shehu. Të tjerë që mungojnë dhe që njihen për vizionin e tyre liberal dhe që herë pa shere kanë hedhur kritika kundër Berishës, janë Omer Stringa e Arben Xhiku. Duke e krahasuar me listën e mëparshme të anëtarëve të Këshillit, janë vërejtur disa mungesa, si ajo e deputetëve Eris Hoxha e Leonard Demi, apo e anëtarëve të vjetër, si Mitro Çela, Mujë Buçpapaj e Uran Butka.
Ajo që ra në sy në listën e fituesve ishte numri i madh i anëtarëve të rinj që janë zgjedhur nga delegatët e Kuvendit Kombëtar. Megjithëse shumica e tyre janë të rinj dhe nuk njihen ende në qarqet mediatike, duket se ata kanë lidhje të ngushta me delegatët, ndaj dhe kanë marrë votat e tyre. Shumica e anëtarëve janë këshilltarë të Berishës të emëruar rishtazi. Hyrjet e reja në Këshill nisin me aktoren e mirënjohur Rajmonda Bulku, që ka zënë vendin e 17-të, duke marrë më shumë vota se anëtarët e vjetër të PD-së, vazhdojnë më tej me këngëtaren Çiljeta Xhilaga, e cila nuk mbetet pas për nga mbështetja që gëzon në radhët e demokratëve, duke marrë 502 vota. Më tej lista vazhdon me dy zëdhënëset zyrtare, atë të kryeministrit, Juela Meçani, dhe atë të selisë blu, Erla Mëhilli. Më tej vijnë këshilltarët dhe ish-këshilltarët e Berishës, si dhe ish-zëvendësministra, tani deputetë të rinj të PD-së, si: Suzana Guxholli, Spiro Ksera, Albana Vokshi, Oerd Bylykbashi, Florion Mima, Keltis Kruja, Ledina Aliolli, Adriana Gjoni, Jorida Tabaku e Paulina Hoti.

Raporti, 465 VKM nuk janë publikuar në Fletoren Zyrtare

Qendra për Çështjet e Informimit Publik, ÇIP, ka shpallur dje rezultatet e monitorimit për botimin e akteve të Kuvendit dhe të Këshillit të Ministrave në Fletoren Zyrtare për tre vitet e fundit. Botimi në Fletoren Zyrtare i ligjeve, akteve normative të Këshillit të Ministrave, ministrave dhe institucioneve të tjera është një detyrim kushtetues dhe kusht juridik për hyrjen e tyre në fuqi. Botimi i ligjeve dhe akteve të tjera në Fletoren Zyrtare prezumon faktin që të gjithë njerëzit janë në dijeni të këtyre akteve. Qendra ÇIP ka monitoruar botimin e ligjeve të Kuvendit dhe të akteve kryesore që nxjerr Këshilli i Ministrave dhe ka identifikuar konkretisht akte normative me fuqinë e ligjit të Këshillit të Ministrave, si dhe vendime të Këshillit të Ministrave, të cilat nuk rezultojnë të jenë botuar në Fletore Zyrtare të Republikës së Shqipërisë. Nga verifikimi i ndërmarrë në kuadër të këtij projekti, në mënyrë të përmbledhur rezulton se gjatë tre viteve, 2006, 2007 dhe 2008, nuk janë botuar në Fletore Zyrtare të paktën 465 vendime të Këshillit të Ministrave. Nga këto vendime rezulton se rreth 167 kanë impakt financiar; rreth 189 janë për pasuri të paluajtshme që i kalojnë në pronësi të pushtetit vendor; rreth 3 kanë si objekt të tyre investime dhe/apo projekte publike në infrastrukturë rrugore. Autorët e projektit hedhin idenë nëse duhen konsideruar korrekte juridikisht efektet që mund të kenë prodhuar këto VKM, sa kohë që edhe vetë Këshilli i Ministrave ka përcaktuar në mënyrë prerë mënyrën e hyrjes së tyre në fuqi duke përfshirë botimin në Fletore Zyrtare.
Botimi i këtyre VKM-ve, pavarësisht dispozitës së fundit, duhet të jetë praktika normale e ndjekur në këtë rast, konform përcaktimit të Ligjit Nr. 8502, datë 29.6.1999, “Për krijimin e Qendrës së Publikimeve Zyrtare”. Në përfundim, autorët e projektit i kanë rekomanduar Qendrës së Publikimeve Zyrtare botimin në Fletoren Zyrtare “ekstra” i akteve, të cilat janë evidentuar përmes këtij monitorimi si të pabotuara. ÇIP mban në këtë rast parasysh parimin se mosbotimi i një akti normativ në Fletore Zyrtare nuk sjell detyrimisht pavlefshmërinë e tij. Efektet juridike që akti mund të këtë krijuar deri në momentin e botimit të tij konsiderohen pa fuqi juridike dhe akti vetë si i paqenë dhe që nuk ekziston.

23 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›