E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pollo mbledh grupin ndërministror për luftën kundër korrupsionit

Ministri i Shtetit, Genc Pollo, mblodhi dje grupin ndërministror për zbatimin e Strategjisë Antikorrupsion. Gjatë takimit Pollo u shpreh se vetëm nëpërmjet një qasjeje tërësore dhe të integruar, duke vendosur rregulla të qarta dhe procedura efikase qeveria do të mund të luftojë me sukses korrupsionin. “Korrupsioni nuk luftohet me fjalë, por me vepra konkrete dhe masat konkrete duhet të jenë të organizuara. Detyra e këtij grupi është të zbatojë një strategji shtetërore për antikorrupsionin, të miratuar para një viti. Çdo ministri, çdo agjenci qendrore, ka një plan veprimi dhe është përgjegjëse për ta zbatuar këtë strategji. Nëpërmjet kontrollit shikohen rregullat, rishikohen procedurat, ndryshohen legjislacionet, në mënyrë që çdo hapësirë abuzimi me detyrën, apo për të kryer korrupsion të ngushtohet, mundësisht të shkohet drejt zeros. Ky është qëllimi i punës së këtij grupi dhe mendoj që përpjekjet e mëdha që janë bërë këta 4 vjet edhe nga grupi i punës, apo e realizuar nga çdo organizatë shtetërore janë ato që kanë bërë që korrupsioni të luftohet, masa e korrupsionit të reduktohet”, - është shprehur Pollo.
Ministri theksoi se me dorëzimin e Pyetësorit të KE-së para disa ditësh qeverisë shqiptare i del përpara një sfide e re në lidhje me zbatimin e strategjisë antikorrupsion. Sipas Pollos, korrupsioni mbetet një problem shqetësues për shoqërinë shqiptare dhe, si i tillë, duhet luftuar me vendosmëri dhe pa ndërprerje.

23 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›