E Diel, 1 Nëntor 2026

Kandidatët presidencialë në shtetet vendimtare për garën

Kandidatët për president të Shteteve të Bashkuara po zhvillojnë pa pushim fushatë në orët e fundit parazgjedhore. Si demokrati Barak Obama, ashtu edhe republikani Xhon Mekein e kanë përqendruar vëmendjen tek një numër i vogël shtetesh vendimtare. 

Ndër shtetet kyçe përfshihet Pensilvania dhe Ohajo, dy shtete fqinje që mund të ushtrojnë ndikim të madh në zgjedhjet e nesërme. Barak Obama kryeson në Pensilvania që ka një numër të konsiderueshëm votash, megjithatë gara është e fortë. 

Pikërisht për këtë arsye Xhon Mekein shkoi personalisht për të kërkuar votat e zgjedhësve të pavendosur në atë shtet, dhe në të njëjtën kohë në përpjekje për të mobilizuar bazën republikane. Në një tubim në një periferi të Filadelfias, ai parashikoi fitore:

"Jemi pak pikë prapa në Pensilvani. Analistët na e kanë hequr vizën, siç kanë bërë edhe herë të tjera. Por ju siguroj se unë jam ende në garë."

Ndërkaq, kandidatja republikane për nënpresidente, Guvernatorja e Alaskës Sara Pejlin, ishte në Ohajo për fushatë. Në atë shtet disa anketa flasin për një garë në barazim të plotë. Asnjë republikan nuk ka siguruar fitoren në garën për Shtëpinë e Bardhë, pa fituar në Ohajo. Kandidati demokrat Obama ishte po kështu në shtetin e Ohajos ku mori pjesë në një sërë tubimesh zgjedhore në këtë shtet. Ai theksoi rëndësinë e këtyre zgjedhjeve për vendin.

"Pas 21 muajsh fushate në të gjithë Amerikën, tanimë jemi vetëm dy ditë larg ndryshimit të madh. Dhe ndryshimi do të fillojë pikërisht këtu në shtetin e Ohajos."

Duke folur në programet televizive, zyrtarët që drejtojnë fushatat e kandidatëve folën mbi strategjitë për 36 orët e fundit parazgjedhore. Drejtuesi i fushatës së republikanit Mekein, zoti Rik Dejvis tha se Mekein do të bëjë çudinë dhe do të fitojë shtetet kyçe si Ohajo, Florida, Virxhinia, shtete të fituara nga presidenti Bush në vitin 2004 por të pavendosura në këtë garë. 

Ndërkaq drejtuesi i fushatës së zotit Obama, Dejvid Plauf tha se ai është optimist, por asnjë gjë nuk ka përfunduar. Ai tha se fokusi gjatë fushatës do jetë pjesëmarrja në votime. Në këto orë të fundit të dyja fushatat kanë intensifikuar aktivitetet e tyre parazgjedhore duke bërë telefonata, shpërndarë pamfleta dhe duke nxitur votuesit të votojnë për kandidatët e tyre nesër. //ad//

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›